Presidenti në ikje, Ilir Meta deklaroi mbrëmjen e djeshme se pas 25 korrikut do t’i përkushtohej sfidës për rikthimin e llogaridhënies për shqiptarët. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, presidenti Meta paralajmëroi revolta të fuqishme kundër qeverisë, me qëllim shkundjen e sistemit dhe rikthimin e llogaridhënies. “Unë besoj se kam një mision të pashmangshëm për t’ju përkushtuar rivendosjes së demokracisë në vend, të gjithë sistemit të llogaridhënies dhe të mbrojtjes së interesave kombëtare që minohen në mënyrë sistematike. Kjo është një sfidë e cila nis në 25 Korrik, dhe është një sfidë që do ti bëj bashkë gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë. Jam shumë besim plotë se, ne do të tregojmë se jemi vërtet një popull shqiponjash. Dhe të gjithë ata që bënë llogaritë për të ekzekutuar pluralizmin politik dhe demokracinë në Shqipëri, me qëllim shkatërrimin e interesave tona kombëtare, do të zhgënjehen shumë thellë”, deklaroi ai.
Meta sulmon Reformën në Drejtësi dhe akuzon Ramën
Më tej gjatë fjalës së tij dhe me tone të ashpra, presidenti Ilir Meta sulmoi reformën në drejtësi dhe akuzoi Ramën se ka kapur institucionet. Sipas tij, opozita e drejtuar nga Lulzim basha u shndërruar në mashë e Partisë Specialiste. “Për demokracinë në vend, parlamentarizmin, dhe institucionet e pavarura, duke djegur mandatet dhe duke ekspozuar edhe Presidentin përballë një mazhorance prej 122 kartonësh. Për fat të keq, opozita e drejtuar nga Lulzim Basha ka bërë pikërisht atë që ka dashur mazhoranca. E ka ndihmuar dhe ja ka lehtësuar rrugën në kapjen e sistemit të drejtësisë, përmes bojkotit të reformës dhe në bojkotimin e zgjedhjeve lokale. Në kushtet e një rrethimi të plotë dhe të gjithanshëm të këtij institucioni, me një mazhorancë që kishte uzurpuar çdo institucion, ajo që unë dhashë si premtim besoj se u përmbush, që deri në 24 korrik 2022, kjo Presidencë dhe ky institucion do të vazhdoj të jetë një kështjellë e pamposhtur e demokracisë dhe e interesit kombëtar, dhe kështu do të vazhdojë deri në ditët që vijnë deri në 24 korrik 2022”, u shpreh ai.
“Ballkani i Hapur” dhe çështja e detit me Greqinë
Ndërkohë presidenti Ilir Meta u shpreh se lajmet se kryeministri Edi Rama kishte ndjekur një politikë minuese ndaj Kosovës, duke vepruar në kundërshtim me interesat e kësaj të fundit. Ai përmendi hedhjen në gjyq të Haradinajt nga ana e Ramës duke e theksuar si një fakt të rëndë, ndërsa shtoi se nisma e “Ballkanit të Hapur” thjesht do ta dobësonte Kosovën dhe do të forconte Serbinë. “dihet që është Procesi i Berlinit, i cili është një proces solid, një proces që ka një kujdestari europiane, ka instrumente financiarë që mbështetet, ku janë të përfshira katër liritë, dhe ku Kosova është e barabartë, si gjithë të tjerët. Kështu që këto lloj iniciativash hibride, përçarëse, synojnë thjesht të forcojnë regjimet autokratike në rajon. Por, kurrsesi të forcojnë bashkëpunimin rajonal përmes partneritetit, dhe të përshpejtojnë integrimin evropian të vendeve tona”, tha ai. I pyetur për çështjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për detin, presidenti Ilir Meta u shpreh se kryeministri Edi Rama nuk i kishte kërkuar kurrë një autorizim konkret për të negociuar me grekët. Madje Meta shtoi se veprimet e dyshimta të Ramës të cilat bëheshin me dije vetëm nga pala greke, ngrinin dyshime se kryeministri po vepronte kundër interesit të Shqipërisë. “Ai asnjëherë nuk kërkoi një autorizim, kur është e qartë që ka bërë veprime, ato që marrim vesh më shumë nga pala greke nga intervistat që jepen, të paautorizuara, të cilat ngrenë dyshime serioze mbi integritetin dhe qëllimet e kësaj sjellje në raport me interesat e Shqipërisë. Unë kam qenë dhe jam për një zgjidhje të ndershme, për një zgjidhje të drejtë, larg lojërave të dyfishta. Por kjo nuk mund të ndodhë kurrë jashtë transparencës dhe duke shkelur Kushtetutën e Shqipërisë”, nënvizoi Meta.
Harta e re Gjyqësore, Meta: E kisha paralajmëruar një kolaps të tillë
Presidenti, Ilir Meta ka folur mbi hartën e re gjyqësore, për të cilët u shpreh se synonte që të vështirësohej aksesi i qytetarëve në gjykata dhe këta të fundit të hasin probleme në sistemin e drejtësisë. Meta deklaroi se një problem të tillë e kishte paralajmëruar me kohë, duke përmendur kolapsin e institucioneve të drejtësisë. “I kemi paralajmëruar të gjitha pasojat e mosveprimit në kohë për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Kemi bërë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mos mbetet pa Gjykatë Kushtetuese, kemi bërë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mos mbetet pa Gjykatë të Lartë dhe e kemi paralajmëruar këtë kolaps në gjithë sistemin e drejtësisë”, deklaroi Meta./Rigels Seliman