E martë, 4 Gusht, 2026

Ilir Meta si kërmilli pas shiut dhe si miu i zënë në çark nga SPAK

Share

Nga Ali Beqo

Është e habitshme se si një politikan që ka qenë ministër, zv/kryeministër, kryeministër, kryetar Kuvendi dhe President i Republikës së Shqipërisë të shndërrohet në një “klloun cirku”. Prej disa muajsh, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë në shesh si kërmilli pas shiut, ndërkohë që është kryefjalë e ditës në rrafshin mediatik dhe politik, pasi çdo ditë ai sulmon si “rrugaç” ndërkombëtarët, Reformën në Drejtësi dhe veçanërisht Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Lart e poshtë ka zëra se ai ka dalë nga vetja, pra është “çmendur”, pasi po hetohet nga SPAK për disa afera ku dyshohet se është përfshirë. Mesa duket kapja në çark nga Prokuroria Speciale ka bërë që Ilir Meta, të paraqesë një sjellje që duket se po i vjen nga çrregullimet e psikikës. Ai po flet përçart, dhe, duke qenë nën një presion të brendshëm, që ia përcjell psikikës së tij akuza penale, ai po sulmon pa sens logjik të gjithë, që nga SPAK e deri te kryeministri dhe qeveria aktuale e ndërkombëtarët. Sot me të drejtë të gjithë pyesin: A është çmendur Ilir Meta? Në fakt, Ilir Meta është ai i vërteti dhe shqiptarët duhet të kujtojnë gjithë rrugëtimin e tij politik dhe madje bëmat e tij. Ai është zënë në çark dhe e di tashmë se koha i ka mbaruar dhe se në Shqipëri tanimë ka trokitur koha e llogaridhënies. Ajo që njerëz si Ilir Meta, Sali Berisha, etj zullumqarë, nuk e besonin kurrë se do të ndodhte, po ndodh. Dhe kushdo që ka grabitur dhe zhvatur qytetarët shqiptarë në këto 30 e kusur vite demokraci, tashmë duhet të japë llogari para drejtësisë. Kjo është arsyeja që Ilir Meta ka dalë nga kontrolli. Ilir Meta nuk është i çmendur, kjo është pak, por e sigurt. Mund të ketë lajthitur, por jo për ndonjë arsye tjetër, përveçse faktit se ka ngecur, i zënë në rrjetën e SPAK dhe e di tashmë se koha e tij ka marrë fund dhe s’ka fat tjetër përveç hekurave. Kështu që nisur nga vendosmëria e Prokurorisë Speciale për të hetuar aferat korruptive dhe kriminale në Shqipëri, një gjë është e sigurtë që Ilir Metën nuk e shpëton dot as hipja majë paraleleve, ngjitja në mal apo kërcënimet se është i fortë e ka qenë shtangëngritës (peshëngritës). Dhe madje njëjta si Meta, shpata e SPAK qëndron edhe mbi kokat e zullumqarëve të tjerë që kanë abuzuar me pasuritë dhe pronat e shqiptarëve, të cilët do të japin llogari para drejtësisë së re.

Te tjera

Lajme te tjera