Gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Ilir Demalia ka skenuar situatën politike në Shqipëri dhe jovetëm, ndërsa ka shpërthyer në sulme e kritika të forta në adresë të katër politikanëve që dominojnë politikën në Shqipëri si: kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha, presidentin Ilir Meta dhe ish-kreun e Partisë Demorkatike, Lulzim Basha. Gjatë një interviste të gjatë për gazetën “SOT” dhe të mbushur me shumë detaje, zoti Demalia shpreh bindjen se PD është në koma, teksa shton se rikthimi i Sali Berishës në krye të kësaj partie e dëmton këtë të fundit dhe e zgjat krizën. Duke komentuar afrimitetin mes presidentit Meta dhe ish-kryeministrit Berisha, analisti I njohur theksoi se këtë dyshe i ka bërë bashkë halli, ndërkohë që vuri në dukje faktim se shumë shpejt edhe kreu i shtetit në ikje do të shpallet “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, gazetari dhe publicisti Demalia akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij se janë të korruptuar dhe inkriminuar, duke I bërë përgjegjës për krizën ekonomiko-sociale që ka mbërthyer vendin tonë.
-Zoti Demalia, pak ditë më parë Lulzim Basha dha dorëheqjen nga drejtimi PD. Sipas jush, çfarë ndikoi dhe çfarë e detyroi të merrte këtë vendim?
Së pari, mendoj se jo vetëm me Lulzim Bashën, por edhe e gjithë ajo ç’ka po ndodh në Partinë Demokratike, është humbje kohe të merresh, e kjo do të thotë: të mendosh që PD do të dalë nga gjendja që është sot me po atë njerëz dhe po atë udhëheqësi që për 30 vjet funksionuan si një klan bajraktaro-fshatar pa instaluar dhe modeluar një minimum demokracie vlerash dhe gare, duke u bërë modeli i minimit te demokracisë me vjedhjen dhe shkatërrimin e votës ne 1996, me korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin kur ishin ne pushtet dhe krimin dhe lidhjet me krimin, ose duhet të jesh i lidhur me këtë kastë me interesa fitimesh në rrugë të paligjshme gjatë pushtetit të Partisë Demorkatike, ose më e pakta duhet të jesh naiv, për mos të thënë budalla turmash që edhe pas 30 vjetësh mendojnë se po bëjnë luftë me komunizmin duke thirrur: “Liri-Demokraci”! Poshtë Komunizmi! Bëra një parantezë nga pyetja juaj, për të kuptuar edhe Bashën dhe dorëheqjen e tịj. Basha erdhi krye të Partisë ashtu siç erdhi Berisha ne 1990. Pra me emërim. Pa kontribute. Pa garë. Si i tillë ai ishte vetëm nje kukull në duart e Sali Berishës, duke pranuar këtë dhe duke ndenjur në karrigen e kryetarit si kukulla e kryetarit de-facto Berisha, ai as nuk u bë dot lider dhe as kryetar de-facto. Kjo u pa dhe kur hyri në “luftë” me Berishën nga vendimi i SHBA për non-grata, ashtu si dhe kur u tërhoq nga posti kryetarit de-juro se de-fakto nuk ishte kurrë. Nuk krijojë asnjë lloj tronditje dhe asnjë lloj fraksioni të fuqishëm brenda PD. Ngeli me Alibeajn, Gaz Bardhin dhe ndonjë tjetër. Edhe ata që e mbështetën ne fillim se menduan se do të ngrihen si boçet e 1 Majit me Lulin e doktorit u hodhën në anën tjetër të anijes. Kjo tregon shumë për këtë parti dhe gjendjen e saj, n.q.s një turmë e tillë mund të quhet parti (?!)
-Gjykata e Tiranës regjistroi ndryshimet e Sali Berishës në statut. Si e shihni këtë vendim?
Siç u shpjegova me lart në këtë parti-turmë nuk ka rëndësi as statuti, as vendimi Gjykatës. Kur i gjithë sistemi është i kolapsuar prej korrupsionit politik dhe trafiqeve, si mund të besohet në vendimin e një gjyqtari, kur ai së pari duhet të investigohet për pasuritë e tij. Por nuk është ky problemi në Partinë Demokratike, problemi i PD-së është statuti i mosbesueshmërisë dhe gjendjes pashpresë kur si “fanar ndriçues” për ndryshim dhe të ardhmen kanë Sali Berishën, shkaktarin e kësaj gjendje duke përfshirë dhe vetë emërimin e Lulit ne krye të PD, ku sot po e anatemon si armikun kryesor në PD dhe të demokracisë, por shoku Sali nuk dinte gjë(?!)
-A do të marrë Sali Berisha drejtimin e Partisë Demokratike, apo do të shkojë drejt një krijimi të një partie të re me Ilir Metën në krah?
Sali Berisha nuk do të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, ai e ka pasur dhe e ka PD pronë të tij dhe familjes së tij. Kjo është arsyeja që them se ajo parti nuk është parti, por klani Berisha me qehallarët e tij për rreth që kanë përfituar prej pushtetit të tij. Të gjitha ngjarjet e 6 muajve të fundi treguan se ai e ka pasur e ka dhe do ta ketë atë pronë që ka siglën Partia Demorkatike. Është biznes i tij ajo parti. Lulin e la si menaxher për 8 vjet.
-SHBA ka paralajmëruar se nëse Berisha rikthehet në krye të partisë që krijoi, do të shpallë edhe Partinë Demokratike “non grata”, mendoni se kjo lëvizje i jep Ramës mandatin e 4?
Përderisa kryetari de-facto, dhe nesër kur të bëhet formalisht Kuvendi i PD, do të jetë dhe de-juro kryetar Partisë Demorkatike, Sali Berisha, sigurisht që kjo parti së paku në Amerikë nuk do të ketë derën e hapur mendoj unë. Por mjerimi nuk është këtu, mjerimi i kësaj parti-turmë, Urra burra! Para demo(n)kratë! Është se si ka mundësi që këto turma ku shumë janë fëmijë të pas 1990, të kenë inspirim dhe shpresë tek Sali Berisha një njeri i tejkonsumuar dhe model i vjetër dhe i papranueshëm si në planin moral-politik the etik-intelektual.
-Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, kush politikan sipas jush mund të konkurrojë kryeministrin Edi Rama për ta rrëzuar nga pushteti?
Edi Rama e ka fushën bosh përpara tij. Rama do të rrëzohet në humnerën e vakuumit opozitar, nga pesha e pushtetit të tij tejet të korruptuar, inkriminuar, lidhur me krimin. Shqetësim për mua nuk është as fati Ramës dhe as i Berishës, por ajo se Shqipëria nga këta drejtues politik dhe administrativ të shtetit shqiptar, nuk po mundet të ndahet dot, të ndërtojë institucione demokratike, të pavarura, drejtësi funksionale bazuar në ligjet e shtetit dhe jo ato të nënshkruara mafioze dhe korruptive. Pra thënë shkurt, shqiptarët po tregojnë paaftësi shtetformuese si mosikje nga kultura e sundimit tribal feudo-bajraktar.
-A është kryeministri Rama më i qetë pas zhvillimeve në opozitë, apo ndihet më i rrezikuar me rikthimin zyrtar të Sali Berishës në krye të opozitës?
Edi Rama as nuk ishte i rrezikuar me Lulzim Bashën dhe as me Sali Berishën dhe as do të jetë me Ilir Metën kur të dalë nga Presidenca dhe të zbresë në fushën politike nëqoftëse do ta lenë të hyjë në fushë. Jetëgjatësia Ramës apo edhe Rilindjes me një Ramë-Rame në pushtet zgjat agoninë e Shqipërisë dhe zbrazjen e Shqipërisë nga shqiptarët si një vend i pashpresë.
-Ka zëra se dhe presidenti Ilir Meta rrezikon të shpallet “Non Grata” nga DASH. Sa qëndrojnë dhe ju i besoni?
Janë të gjitha indiciet dhe nga vetë arsyetimi i ngjarjeve dhe sjelljeve dhe aferave të Ilir Metës, nga injorimi dhe mospërfillja që zyrtarët amerikanë të ardhur në Shqipëri i kanë bërë Presidentit në ikje Meta, nga marrëdhënia dhe sjelljet me zonjën Ambasadore te SHBA, Yuri Kim, Ilir Meta me të dalë nga Zyra Presidencës, mendoj se do të jetë non-grata tjetër e një zyrtari të nivelit të Sali Berishës.
-Si e shikoni protagonizmin e Ilir Metës dhe ambicien e tij për t’u rikthyer në politikë?
Si ajo e Berishës. Na bashkoi halli non-grata dhe ballafaqimi me drejtësinë e munguar deri më sot.
-A ka Ilir Meta një pakt me Sali Berishën për t’u katapultuar në krye të PD dhe opozitës shqiptare?
Politika shqiptare nuk vepron me filozofi politike dhe doktrinë ideologjike se nuk e ka, nuk e ka krijuar dhe nuk e ka shtratin e një kulture të tillë. Politika shqiptare vepron si grupe mafioze kriminale bashkim interesash në ndarje zonash dhe gjësë se grabitur. Pra bashkimi i PD me LSI dhe Berishës me Metën apo katapultimi Metës në krye të PD e tregon qartasi këtë. Tregon se çfarë retorike bajate është retorika e të djathtës për mos shkuar tek ajo konservative që janë daulle si “ daullet e Ramazanit” që lajmërojnë ngrënien e syfyrit. I bashkon halli llogari-dhënies për mos dhënë llogari.
-Sipas jush, kush është receta që mund të ndihmojë PD-në të dalë nga kriza që e ka mbërthyer prej muajsh?
Partia Demokratike nuk ka krizë, PD është e gangrenizuar si forcë politike nuk ka çfarë ofron. Fakti që do të rikthehet me Sali Berishën tregon që është në koma.
-Ndërkohë, ish-kryeministri Berisha vijon “luftën” me amerikanët, ku thuajse çdo ditë sulmon dhe hedh akuza të forta në adresë të Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim e madje edhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. A është normale që të sulmohen diplomatët e një vendi mik, sikundër është SHBA-ja për Shqipërinë?
Pushka top t’i bëhet në këtë luftë se do “t’ia dalë!”
-Keni një koment për qeverinë “Rama 3”? Si ju duket…
Qeveria “Rama 3” më e korruptuar dhe klienteliste dhe me e vrullshme në kapjen dhe kontrollin e të gjitha pushteteve dhe me arrogante the autoritariste se “Rama 2”. Dhe “Rama 4” do të jetë akoma më rëndë se “Rama 3”. Normalisht në një shtet me një minimum funksionimi të pavarur institucionesh, me një minimum sistemi drejtësie funksionale, me një minimum organizimi dhe funksionimi të shoqërisë civile, me një minimum media si pushtet i katërt dhe jo si pushtet i bandave politike dhe pjesëmarrëse në aferat e këtyre bandave siç është në të përgjithshmen e saj media, Rama 3 duhet të ishte rrezuar me kohë dhe një pjesë e mirë e qeverisë se tij dhe anëtarë të lartë të administratës duhet të ishin objekt i SPAK që nuk po funksionon A-SPAK, as me këta të pushtetit korrupt-kriminal sot dhe as me ata dje.
-Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor dhe amnisti fiskale për paratë e emigrantëve. Si e shihni këtë iniciativë të mazhorancës qeverisëse socialiste?
Mbasi i ka rregulluar të gjitha punët e vetmja gjë që i ka ngelur Ramës pa bërë është legalizimi kanabisit. Shqipëria është e kanabizuar dhe legalizimi ndoshta do t’i lejojë të legalizojnë Ramën dhe këtë klasë politike që ja ka bërë dhe vazhdon të ja bëjë jetën shqiptarëve Ferr. Përsa i përket amnistisë fiskale mendoj së është një truk i Ramës për të legalizuar paranë kriminale të politikanëve ne 30 vite, të klientelës së trafiqeve dhe pastrimit të parave nga oligarkët financiar që mbajnë Ramën në pushtet. Se çfarë sjell legalizimi-ilegales këtë shqiptarët e kanë parë dhe po e shikojnë me pronat se çfarë katrahure dhe çfarë krimi shtetëror është bërë në funksion të pushtetit të radhës dhe mohimit të drejtës elementare të drejtës së pronës. Pra amnistia fiskale vetëm se do të forcoj më tej pushtetin e krimit, do forcoj autoritarizmin e pushtetit dhe do të dobësoj dhe më tej zhvillim demokratik, zgjedhjet e lira ndërtimin e shtetit të së drejtës. Okulti Rama do të jetë më i fuqishëm në brekushet demo(n)kratike të tij dhe kastës së tij.
-Le të dalim pak dhe përqendrohemi tek reforma në drejtësi. Si ju duket ecuria e saj?
Reforma në drejtësi po sillet si kali në lëmë, por pa shirë lëmë, pasi mungon guri për të shirë lëmin e malit me dosje të krimit politik dhe financiar të politikanëve shqiptar por dhe kriminelëve lidhur me këta politikanë. Po nuk u vu në lëvizje guri (ligji), kuajt (gjyqtarët dhe hetuesit), le të sillen si kali në lëmë me krunde të vogla, duke bërë sikur po bëjnë drejtësi nuk është drejtësi për ndëshkim por një skenar i radhës për t;i hedhur hi syve ndërkombëtarëve se gjoja kemi filluar zbatimin e ndëshkueshmërisë nëpërmjet ligjit dhe funksionimit të tij.
-A ka ardhur koha që në Shqipëri të shohim arrestime në nivel të lartë zyrtarësh?
Koha ka kaluar. Siç thotë një postulat, drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar.
-Sipas jush, a duhet të zbardhen dosjet e bujshme si “21 Janari” apo “Gërdeci”?
Jo vetëm këto por dhe të gjitha aferat korruptive Rama 1-2-3 duke përfunduar me këtë 400 milionëshin e inceneratorëve. Ju pyetni a duhet të zbardhen dosjet… ato të zbardhura janë, por drejtësia refuzon t’i hapë faqet dhe të lexojë të zezat që i ka bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve në këto 30 vjet kjo kastë politike banditësh, matrapazësh dhe kriminelësh. Mungon forca si vullnet dhe vullneti si forcë për t’i hapur. Jam shumë pesimist, për mos thënë se nuk besoj që do të vendoset drejtësi, kjo sepse, kultura e pandëshkueshmërisë ndaj të keqes është institucioni i vetëm që funksionon mrekullisht në Shqipëri.
Intervistoi: Rigels Seliman