E enjte, 20 Mars, 2025

Ilir Beqaj përfundon në SPAK, 9 orë në pyetje para prokurorëve, rritet numri i funksionarëve të shëndetësisë nën hetim për koncesionet

Share

Ditët në vijim pritet të sjellin zhvillime shumë të forta sa i takon luftës kundër korrupsionit Drejtësia e re do të tronditë politikën shqiptare ditët në vijim. Dosja e rëndë për korrupsionet në shëndetësi është drejt mbylljes nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Skandalet e fundit, nga kjo ministri do të çojnë drejt prangave “koka të mëdha” të politikës shqiptare. Gjithashtu, SPAK po bën gati fletë-arrestet për të gjithë zyrtarët e përfshirë në këto abuzime. Gazeta e ka paralajmëruar pak ditë më parë se një “peshk i madh”që është në “shënjestër” nga SPAK është ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili dyshohet për shpërdorim detyre në tenderin e sterilizimit dhe check up. Ditën e djeshme Beqaj, është paraqitur për herë të parë pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ai është pyetur për rreth 9 orë, pas një fletëthirrje nga prokurori Edvin Kondilli që po heton prej disa muajsh procedurat e dhënies së tenderave përmes partneritetit publik-privat për 2 koncensione në shëndetësi, sterilizimin dhe check-up. Koncesionet janë dhënë në kohën kur ministër i Shëndetësisë ishte Ilir Beqaj, sot në krye të Agjencisë Shtetërore për koordinimin e donacioneve të huaja. Ish-ministri u paraqit herët në dyert e SPAK, vetëm me një çantë shpine, i pa shoqëruar nga avokat. Ilir Beqaj është pyetur nga prokurori Kondilli dhe 2 oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për mënyrën se si janë lidhur kontratat.

Detaje nga hetimet

Gazeta “Sot” ka zbuluar se indiciet kanë ardhur dhe nga dëshmitë e marra nga SPAK të ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Alfred Çareri pak kohë më parë lidhur me koncesionet në shëndetësi. Pas grumbullimit të dokumenteve dhe shqyrtimit të kontratave dhe vendimeve, prokurorët e SPAK kanë nisur marrjen në pyetje të punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe anëtarëve të Komisionit të Ofertave. Mësohet se, është marrë në pyetje edhe Saimir Kadiu. Ndërkohë, që pas Kadiut, mësohet në pyetje është marrë pak kohë më parë për gjashtë orë ish zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rrapaj në lidhje me hetimet në kuadër të koncensionit të sterilizimit me vlerë 100 mln euro. Ai është pyetur për rreth 6 orë nga prokurorët e SPAK-ut lidhur me procedurat që janë ndjekur nga institucioni ku ai ishte vartës në dhënien në dhënien e këtij koncesioni, dëshmi kjo që pritet të fundosë personat e përfshirë në këtë aferë. Hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme, mbi sterilizimin disa milionë euro, e që ka një sërë pikëpyetjesh jo vetëm nga denoncimi I shoqërisë civile, por edhe nga fakti se prokurorët po vijojnë ende këto hetime, në fakt siç bëhet me dije ka kulmuar me sekuestrimin e një sërë dokumentesh mes tyre edhe dosja e pushuar në prokurorinë e Tiranës, e cila u drejtua në atë kohë nga prokurori Endrit Bini, por I cili e mbylli këtë hetim, duke qenë se sipas tij, nuk ekzistonte vepra penale.

Presionet e forta nga politika

Nga burime konfidenciale kemi mësuar se ka një presion të jashtëzakonshëm nga politika për institucionet e drejtësisë për të mos u marrë me dosjen për korrupsionet në shëndetësi. Por SPAK nuk do të ndalet nga asnjë presion, pasi ai u ngrit me ndihmën e SHBA dhe amerikanët vazhdojnë të investojnë shumë. SHBA dha një mesazh të koduar për Ilir Beqajn pak kohë më parë. Gjithçka e tregoi një takim, ku e parafundit që mori fjalën ishte ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila foli për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, ndërsa pas saj fjala ju kalua Beqajt ku u prezantua si drejtor i ri. Por pak pasi ai nisi fjalën ambasadorja amerikane është larguar nga salla. Gjatë gjithë fjalës së Ilir Beqajt, në pamje nuk u fokusua në asnjë moment ambasadorja e SHBA-ve dhe as karrigia e saj e boshatisur. Lëvizja e saj ishte një mesazh shumë i fortë. 

Te tjera

Lajme te tjera