Avokat i njohur, Idajet Beqiri shprehet i bindur se hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe miratimi i ligjit, i cili zbardh dosjet e komisioneve ‘Mezini” dhe “Bezhani”, do të sjellë fundin politik të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Metaj. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Beqiri tregoi disa nga ngjarjet më të bujshme kriminale ku janë përfshirë dyshja Meta-Berisha, teksa për këtë të fundit shkon deri atje sa tregon se si ai ka spiunuar shokun e tij të ngushtë, njësoj siç ka bërë kreu i Partisë së Lirisë. Sipas avokat Beqirit, letra që ka në dorë Autoriteti i Dosjeve, e cila zbulon se çfarë raportonte ish-kryeministri për shokun e tij të ngushtë tek shefi i Sigurimit të Shtetit, do të tronditë pozitat e Berishës. Ndërkohë avokat Beqiri paralajmëron fund të hidhur për kreun e PL. Sipas zotit Beqiri, ish-presidenti Metaj është elefant i korrupsionit dhe do vdesë në burgje.
-Avokat Beqiri, Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit ka vendosur që pas më shumë se 7 muajsh nga miratimi i ligjit, të hapë dosjet e komisioneve ‘Mezini” dhe “Bezhani”. Bëhet fjalë për dy komisione që u ngritën pas rrëzimit të diktaturës, me qëllim që të verifikohej politika nëse kishte lidhje apo jo me ish-Sigurimin e Shtetit. Të dyja komisionet nuk prodhuan shumë rezultat, pasi pjesa dërrmuese e deputetëve dhe kandidatëve të asaj kohe rezultuan sigurimsa dhe të dhënat u fshehën, njëri prej të cilëve dyshohet se është kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit ishte verifikuar dikur dhe kishte dalë i pastër, mirëpo AIDSSH siguroi të dhëna se Meta del në fashikujt e Sigurimit. Nga dokumentet e hapura, rezulton se 9 politikanë kanë qenë sigurimsa. Pra, përveç Ilir Metës janë dhe 8 emra të tjerë. Por skandali është se dosja e Ilir Metës vijon të mbetet peng, ndërkohë që ka zëra se edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Sa qëndrojnë këto pretendime dhe keni një koment?
I nderuar, Ilir Meta ishte spiun qysh në vitet 1990 dhe këtë mos e vini në diskutim. Ai ka plotë 33 vjet spiun. Nën petkun dhe mbulesën e spiunit, këto 33 vjet, ky person tërësisht analfabet dhe me dërrasa mangut, rrjedhojë kjo edhe gjenetike nga familja e tij, i kapi të gjitha postet e larta të shtetit vetëm për të vjedhur, për të grabitur, për të bërë korrupsion, për të vrarë, për të shantazhuar. Ilir Meta, ky spiun ordiner duhet të largohet me bishtin në shalë nga politika dhe të iki nga sytë këmbët, duke bërë operacionin e fundit estetik për të ndryshuar tërësisht fytyrën aktuale të mbushur në çdo pore, si zgavër, me krim dhe vjedhje, me qëllim që shqiptarët t’i harrojnë edhe surratin. Ligji që miratoi Kuvendi i Shqipërisë për deklasifikimin e dosjeve dhe heqjen e pengesave të vëna për rishikimin e dosjeve ndaj spiunëve që mbuluan me dashje dhe përkundrejt milionave Komisionet Mezini-Bezhani, hedhin përfundimisht në koshin e plehrave pisllëkun 33 vjeçar politik Meta-Berisha, nëse do ketë vullnet të zbatohet. Pra Ilir Meta, meritë të vetme të tij në politikë ka se i shërbente Sigurimit të Shtetit dhe i ka shërbyer që në vitin e dytë në gjimnaz, ndërkohë më pas u rekrutua si spiun i SHIK-ut të Gazidedes. Ndërkohë nëse ka vullnet nga drejtësia dhe politika, Sali Berisha ikën përfundimisht nga politika sepse të qënurit e tij spiun potent për 52 vjet me radhë i Serbisë dhe i Rusisë, tashmë nuk ka njeri dhe ndërkombëtarë në botë, deri edhe fëmijët e Shqipërisë, që nuk e dinë. Sali Berisha do të zhduket nga sytë këmbët edhe si spiun i ish Sigurimit të Shtetit me disa pseudonime, deri te “Penicilina”, sepse krahas shumë letrave të tij për shefin e Sigurimit të Shtetit që ndiqte intelektualët, Autoriteti i Dosjeve ka zbuluar edhe një letër mjaft domethënëse që Sali Berisha i ka drejtuar këtij shefi për shokun e tij të ngushtë mjek, të cilit i nxiu jetën në internim, me shpifjet dhe provokimet që i bënte për ta bërë “armik të Partisë” me zyrë. Në këtë letër të shkruar me dorë nga Sali Berisha, i kërkohet “shefit” që të gjejë dikë tjetër për të ndjekur ditën e shtunë dhe të diel doktori…., pasi ai (Sali Berisha), ishte në një dasmë dhe e kishte të pamundur t’i rrinte nga pas doktorit!Në Kuvendin e sotëm të Shqipërisë, për shkak të moshës së vogël të deputetëve në kohën që vepronte ish Sigurimi i Shtetit, janë shumë të pakët spiunët e kësaj kategorie. Por në këtë Kuvend ka një numër të konsiderueshëm spiunësh të SHIK të Gazidedes, të cilët janë më zi sesa ish-spiunët e ish-Sigurimit të Shtetit.
-Dakord dhe si gjithmonë i nderuar avokat, ju jeni shteruese. Por sipas jush, pse Ilir Meta nuk po e bën transparente dosjen e “Sigurimit”, ndonëse pretendon se është i pastër?
Misionarët e së keqes, spiunët në përgjithësi, kusarët dhe të korruptuarit deri në majin e thoit, as skuqen dhe as zverdhen. Ata edhe kur i zë me presh në dorë, siç është zënë Ilir Metaj, nuk është preshi im, thonë!
-Avokat këto janë akuza të forta dhe besoj ju bazoheni në prova dhe fakte…
Shiko, një njeri normal, kudo në botë, i cili ka një karrierë “fatlume”, si Ilir Meta, i cili “meritë” të vetme në këtë jetë ka të qënurit kontributor i ish-Sigurimit të Shtetit dhe të qenurit të tij “qen besnik me dosje i Sali Berishës”, pasi konsumon edhe postin e lartë të Presidentit të Republikës, nuk i duhet më kryetarllëku i një SHPK-je me emrin LSI, që u bë PL! Zinte një qoshe dhe bënte ndonjë bamirësi me floririn dhe pasuritë kombëtare që u grabiti shqiptarëve. Mirëpo Berisha e do në lojë, ndaj ja tundi edhe një herë dosjen në fytyrë dhe i tha “ec Like, hidhe vallen deri në fund me mua dhe për mua”! Sulmi i Metës ndaj Autoritetit të Dosjeve ishte mjeran, i pa bazë dhe mbi të gjitha, i pabesueshëm. Mjafton fakti që shqiptarët të pyesin veten se për çfarë cilësish, për çfarë të kaluare, për çfarë mençurie apo intelektualiteti u bë Ilir Meta deputet, Kryeministër, Kryetar Kuvendi, President Republike etj, dhe pa e parë fare dosjen e tij dalin në deduksioni e palëkundur se veç të qënurit të tij si ish bashkëpunëtor dhe kontributor i ish Sigurimit të Shtetit, si dhe i të qenurit të tij “këlysh i Berishës”, asnjë meritë tjetër nuk ka. E kam thënë edhe një herë tjetër, por jo me detaje, se jam një prej viktimave të Ilirit dhe të kolegut të tij deputet të PS, të cilët më spiunuan te Berisha dhe te ish Shefi famëkeq i SHIK, Bashkim Gazidede. PUK në ato vite ishte Partia e 3-të në vend për nga numri i votave. Ishim pozicionuar shumë fortë si Parti opozitare kundër Berishës dhe pushtetit absolut të tij, në koalicion me PS. Ishte fundi i vitit 1995. Në përbërjen e Qeverisë hije të Nanos, Ministria e Brendshme do t’i jepej Partisë tonë. Ilir Meta dhe Kastriot Islami më thirrën për një kafe një mbasdite, aty ku është “Kalsbergu”, pranë Gardës së Republikës. Ilir Meta më provokoi se çfarë do të bëja unë, si ministër i Brendshëm i mundshëm pas zgjedhjeve të majit 1996, me Sali Berishën, që ishte President i Republikës me mandat 5 vjeçar, domethënë do të ishte 1 vit President në qeverisjen Socialiste. Me Kushtetutë atëherë Presidenti kishte në kompetencë shpërndarjen e Kuvendit dhe Socialistët e kishin këtë frikë, pasi harbutëria dhe papërgjegjshmëria e Berishës ishte e tillë, që brenda mandatit të tij 5 vjeçar, t’i linte Socialistët vetëm një vit në pushtet dhe pastaj të shpërndante Kuvendin dhe të shpallte zgjedhjet e parakohshme. Dihet tashmë përgjigja ime e sinqertë sesi do të veproja për arrestimin e Sali Berishës para se ai të ndërmerrte këtë hap. Qëndrimi im i shkoi menjëherë Gazidedes dhe Berishës, për rrjedhojë para se të zhvilloheshin zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, unë u arrestova dhe u dënova me 15 vjet burg!
-Ka zërë se dosjen e spiunit Metës ja nxori Sali Berisha. Sa qëndrojnë këto hamendësime?
Sali Berisha vrau një popull të tërë në vitin 1997. Për rrjedhojë nuk ka sesi të “kursej” Ilir Metën! Ai kërkon të sfumoi “non gratën” e tij, me këtë gjëmë kaq të madhe të ish-Presidentit të Republikës, me qëllim që ndërkombëtarët të thonë “të gjithë politikanët shqiptarë njëri më hale se tjetri qenkan”…!
-Po Sali Berisha me Ilir Metën pse janë bashkë… Çfarë e lidh këtë dyshe me njëri-tjetrin…
Në gazetën tuaj prestigjioze “SOT”, e kam deklaruar dhe po e ripërsëri se Ilir Meta erdhi në vitin 1992 në Partinë Socialiste si i dërguar i Berishës. Ramiz Alia i dorëzoi Sali Berishës para se të dorëzonte pushtetin të gjitha dosjet e ish Sigurimit të Shtetit për bashkëpunëtorët me të cilët do të punonte Sali Berisha për të vazhduar rrugën e demokracisë që hapi Ramiz Alia. Njëri prej këtyre dosjexhinjëve ishte edhe Ilir Meta. Ai u bë pjesë e Lëvizjes Studentore në vitet 90′ thjesht dhe vetëm se ishte student spiun i Sigurimit të Shtetit. Duke i tundur këtë dosje në fytyrë, Berisha e çoi Ilir Metën si spiunin e tij në PS. Fatos Nano e vendosi Ilir Metën në krye të Forumit Rinor Eurosocialist dhe më pas nënkryetar të PS, me urdhër të Berishës. Pipëzat e Fatos Nanos me Sali Berishën kanë qenë gjithmonë të akorduara në një!Të gjitha aktet kriminale madhore, duke filluar nga masakra zgjedhore e 26 majit 1996, te vjedhja e Floririt të Krrabës, te mbytja e Anijes Sebilja me 113 shqiptarë të pafajshëm viktima, e deri te 21 janari 2011, janë vepra kriminale të përbashkëta Berisha-Meta. Ndaj edhe ky koalicion që u realizua mes tyre më 14, është rrjedhojë e një bashkëpunimi kriminal i dy misionarëve serbo-rus për të dobësuar, për të sunduar, për të shkatërruar, për të vjedhur e grabitur, për të shpopulluar e gjenociduar Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky bashkëpunim i sotëm i tyre është një vazhdimësi në veprimtarinë e tyre, por me një ndryshim të madh, ndryshim i cili konsiston në faktin që Ilir Metës i dolën lakrat e të qenurit spiun i Sigurimit të Shtetit që ka sjellë pasoja të rënda mbi liritë dhe të drejtat e njeriut me veprimtarinë spiunore të tij, si dhe i janë bërë dosjet mal për vjedhjet, grabitjet, korrupsionin dhe vrasjet që ka bërë në funksion të zhdukjes së gjurmëve të krimeve që ka bërë. Ndërsa Sali Berisha, duke marrë vulën më të madhe të turpit për një politikan, siç është shpallja “Non Grata” në SHBA dhe Angli, në këto dy shtete liderë të botës së qytetëruar demokratike dhe ruajtëse të paqes dhe të lirisë së popujve të botës, është tashmë në buzën e varrit për t’u përgjigjur penalisht për të gjitha krimet e rënda që ka bërë kundër lirisë dhe demokracisë, kundër njerëzimit, kundër ekonomisë dhe financave si dhe kundër jetës së shumë shqiptarëve. Aleanca e tanishme Berisha-Meta është aleanca e dy të vdekurve politikisht, e dy më të urryerve masivisht prej shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, të cilët bëjnë rezistencën e fundit për të mos u mbuluar me dhe në varrin e turpit që tashmë është hapur për ta. Janë të dështuar përfundimisht. Por për fatin e keq, këtë aleancë të tyre e përkrahë hapur dhe të kamufluar edhe Edi Rama, i cili pikërisht te aleanca Berisha-Meta sheh të ardhmen e tij qeverisëse edhe për një mandat të katërt.
Intervistoi: Rigels Seliman
