Ish-truproja e ish-kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhia do të vuajë përfundimisht 21 vite burg. Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Vendim i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Izet Haxhinë. Gjykata e Tiranës e dënoi Haxhinë në shkurt të këtij viti me 21 vite burg, në lidhje me vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari në vitin 1998. Ai u dënua për veprën penale “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”. Por kur kanë kaluar 24 vite nga kjo vrasje, ka shumë pikëpyetje që kërkojnë përgjigje, ndërkohë që hijet e dyshimit vijojnë të jenë prezente, ndonëse në një farë mënyre është shprehur drejtësia. Po për të mësuar më shumë rreth vrasjes së shekullit”, siç është etiketuar eliminimi i ish-deputetit Azem Hajdari, gazeta bisedoi me avokatin e njohur, Idajet Beqiri, i cili është edhe avokat mbrojtës i Izet Haxhisë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Beqiri shprehet i bindur se pas vrasjes së Hajdarit, fshihet ish-kryeministri Sali Berisha, i cili sipas tij, është urdhëruesi i këtij krimi. Ndërkohë zoti Beqiri tregon detaje se çfarë ndodhi mbrëmjen kur u vra Azem Hajdari, si u përgatit kurthi dhe kush ja ngriti atë, duke përfshirë roli i Berishës.
-Avokat Beqiri, Izet Haxhia u dënua pak ditë më parë me 21 vite burg, ju i akuzuat gjyqtarët si kamikazë të Sali Berishës, si e komentoni këtë zhvillim?
Për Izet Haxhinë, por mbi të gjitha për mua si avokati i tij, për mendimin juridik profesional që e kanë thuajse qind për qind profesionistët më në zë të Shqipërisë, duke filluar nga ata të botës akademike, deri te gjyqtari, prokurori apo avokati më i ri, procesi gjyqësor kundër tij ishte zhgënjim, ishte farsë, ishte paligjshmëri ekstreme, ishte pandershmëri, ishte më në fund pisllëk politik, i të dyja krahëve të politikës… Izet Haxhia erdhi nga Turqia me besimin se më në fund Shqipëria po bëhej me drejtësi, se reforma në drejtësi ishte vërtet e thellë dhe do e shkulte krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilat i mbanë gjallë politika e Berishës dhe e Metës. Ai erdhi me besimin se, pasi ai të zbardhte krimin e vrasjes së Azem Hajdarit, pasi të zbardhte rolin e Sali Berishës në këtë krim, si bashkëpunëtorë në vrasjen e Hajdarit, do të zbardhte edhe mjaftë krime të tjera të rënda të kryera nga Sali Berisha, Ilir Meta etj, duke filluar me grabitjen e floririt dhe të dy bankave, me aktin terrorist kundër Ambasadës Amerikane në Tiranë, me vrasjet e vëllezërve Haklaj në Tropojë, me aktet terroriste dhe vrasjet e shumta ndaj veprimtarëve politik në vitin 1992-1998 etj, etj. Mirëpo ai gjeti në Shqipëri, në majat e deri në bishtin e drejtësisë shqiptare, kamikazët e Sali Berishës. Argita e tij ushtronte ende ndikimin e saj kriminal mbi gjyqtarët e Tiranës, duke filluar nga shoqja e saj e ngushtë Enkeledi Hajro, ish kryetare e Gjykatës së Tiranës, deri te gjyqtarët kamikaz të Saliut, Lazër Sallaku, Gerd Hoxha dhe klani i tij “tepelens”(!) në këtë gjykatë etj. Ata i gjetën “viegat” sistemit të kalbur gjyqësor, qysh me shortimin e komanduar dhe deri te shqyrtimi i çështjes i paragjykuar, duke mbyllur sy dhe vesh ndaj të vërtetës së vrasjes së Azem Hajdarit dhe shmangies me çdo lloj mjeti të përgjegjësisë së Sali Berishës si organizator dhe vrasës i këtij deputeti për përfitime politike personale. Vrasja e Azem Hajdarit u kualifikua si vrasje me paramendim për hakmarrje, në një kohë që ishte vrasje politike. Izet Haxhia u bë “kokë turku” për të mos marrë në përgjegjësi penale Sali Berishën si vrasës të Azem Hajdarit. Ajo që bëri Sali Berisha, domethënë nxjerrja në prit e Azem Hajdarit, atje ku ishte rreziku, ndërsyerja e tij për të “paralizuar” gjoja një akt të mundshëm terrorist kundër selisë së PD dhe udhëheqjes së saj, nga personat që ndodheshin brenda në autoveturën misterioze me targa të Vlorës, ishte ideja perfekte e një krimineli vrasës tepër të djallëzuar, siç është Sali Berisha. Pikërisht këtë rol të Sali Berishës në kryerjen e vrasjes së Azem Hajdarit, Prokuror Haxhi Giu dhe Gjyqtarët kamikaz të Saliut gjatë hetimit, gjatë gjykimit si dhe në rigjykimin e fundit të dënimit me 21 vite burg, e teansferuan në mënyrë kriminale, të padrejtë, të pandershme dhe haptaz të pavërtetë mbi Izet Haxhinë.
-Ka shumë persona që e akuzojnë Sali Berishën si vrasës të Azem Hajdarit, mes të cilëve dhe vetë Izet Haxhia i dënuar si i përfshirë, a ka gisht Sali Berisha në eliminimin e tij?
Ua thash më sipër. Po shtoj edhe diçka tjetër, posaçërisht për atë kategori njerëzish, siç jeni edhe ju, që në vitin 1998 ose nuk kishin lindur, ose ishin në moshë të vogël për të kuptuar ngjarjen e vrasjes së ish deputetit Azem Hajdari. Sali Berisha kishte rënë me turp nga pushteti. Pasi dështoi me turp organizimi i luftës civile prej tij, si ish President i Republikës, pas rënies së firmave piramidale në Shqipëri, pasi vrau me urdhër të tij mbi 3000 shqiptarë, pasi mbeti i vetëm si kukuth në Presidencë, duke qarë orë e çast si i shkalafitur nga trutë e kokës, duke mos patur nën komandë as edhe një të vetëm nga familja e tij, tentoi të arratisej në Itali. Priste në Presidencë nga çasti në çast ekzekutimin e tij prej komiteteve të shpëtimit kombëtar, të udhëhequra legalisht dhe ilegalisht nga bijtë më të shkëlqyer, më trima dhe më profesionist të Akademisë Ushtarake “Mehmet Shehu”. Lirimi nga burgu i Fatos Nanos, futja në lojë e disa personaliteteve ndërkombëtare, të cilët një pjesë të krimeve nga 2 prilli 1991, te thyerja e embargos së naftës dhe armëve ndaj Serbisë në luftën gjenocidiste në Bosnje, te masakra e përgjakur e zgjedhjeve të 26 majit 1996, e deri te lufta civile e 1997-ës, i kishin bërë së bashku me Saliun, bëri që ky kriminel të ndalohej për t’u arratisur, sepse e donin përsëri si xhahil kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Fatos Nano e mori në mbrojtje edhe si rezultat i Marrëveshjes së Sent Egidio-s, për të qenë pikërisht ai dhe Sali Berisha protagonistë të rrotacionit pushtetar në Shqipëri, sa të ishin gjallë. Mirëpo marrëveshja e Sent Egidios kishte parashikuar burgosjen e Fatos Nanos, për t’i rritur kredencialet si kryeministër pas 8 vjetëve të qëndrimit në pushtet të Sali Berishës, por nuk kishte parashikuar ikjen me turp të Sali Berishës nga pushteti, pas rënies së piramidave! Kjo situatë doli jashtë kontrollit nga lëvizja popullore e shqiptarëve, të cilët ishin të vrarë rëndë në shkatërrimin e ekonomisë dhe të financave kombëtare, në shkatërrimin, djegien dhe vjedhjen e uzinave, fabrikave, armatimeve dhe krejt pasurive kombëtare, të cilët pasi u vodhën haptazi prej Sali Berishës dhe politikanëve të pistë që polli ky misionar serbo-rus, organizuan revolucionin e vonuar demokratik, duke u futur preshin aty ku nuk thuhet gjithë sojë sorollopëve të Sali Berishës në mars-prillin 1997. Për këtë situatë më shumë se tragjike për të, Sali Berisha bëri përgjegjës Fatos Nanon, të cilin e konsideroi “besëprerë” të Sent Edigios dhe kërkoi me çdo kusht që t’ia “shpërblente” Fatos Nanos, që i mori pushtetin në qershorin e 1997, me të njëjtin mjet, domethënë nga një revolucion demokratik popullor të shkurt-marsit 1997, në një grusht shteti në vitin 1998. Në funksion të kësaj djallëzie, pas skenarit të arrestimit të 6-shes së ish drejtuesve të PD nga i papërgjegjshmi ish Prokuror i Përgjithshëm Arben Rakipi, ju dha arma në dorë dhëndrit të Serbisë Sali Berisha të niste protestat e përditshme me slloganin “Nano Ik”! Meqenëse këto protesta nisën me afro 10 mijë vet dhe pas disa ditësh u katandisën me daljen në rrugë të rreth 200 militantëve të PD, mëndja kriminale e Sali Berishës punoi për një skenar ogurzi. Duhet të flijohej një “dash i madh” i politikës për t’a bërë kauz për organizimin e një grushti shteti për të rrëzuar Fatos Nanon dhe riardhjen në pushtet të Sali Berishës. Ardhja në Tiranë e Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani, Halil Haklaj etj në datën 11 shtator 1997 ishte me tjetër qëllim dhe objektiv. Ajo ardhje nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit. Mirëpo strukturat shikiste të famëkeqit Bashkim Gazidede me të vërtetë që ishin larguar si pjesë kriminale antishqiptare nga SHIK, por ata punonin dhe vepronin çdo ditë për llogari të rikthimit në pushtet të Sali Berishës. Këta shikas berishist, pasi morën informacionin e saktë prej vet Sali Berishës, i cili këtë informacion të plotë e mori prej mbesës së tij Shpresa Breçani, se Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani etj ishin dislokuar pranë Selisë së PD, duke pritur dikë, mirorganizuan “vjeljen e frutave”. Me dhjetëra telefonata të Sali Berishës ndaj Azem Hajdarit për t’u kthyer ai në Tiranë, sepse ishte në Fier. Pikërisht kur Azem Hajdari kthehet në Tiranë dhe ishte në zyrën e Sali Berishës, autori shikas që kishte marrë detyrën që të vinte në dijeni Azem Hajdarin për dislokimin e autoveturës misterioze me targa të Vlorës pranë Selisë së PD, ku ishin brenda Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani, telefonoi në zyrën e Azem Hajdarit. Në telefon i doli Fisnik Sina, këshilltar i Azem Hajdarit. Shikasi Bujar Daja i tha që çfarë po ndodhte me makinën misterioze që ishte pranë Selisë së PD, por duke i fshehur atij emrat e personave që ishin brenda në autoveturë. Fisnik Sina vlerësoi informacionin urgjent të shikasit dhe u fut në zyrën e Sali Berishës, ku ndodhej Azem Hajdari dhe i përcolli shqetësimin serioz të shikasit Bujar Daja… Sali Berisha, që ishte i mirinformuar se cilët persona ndodheshin në autoveturë, e nxiti “trimërinë” e Azem Hajdarit duke i thënë “shiko çfarë është kjo punë, sepse vetëm ti i zgjidh këto situata, ndaj dil dhe vepro”, bëri që Azem Hajdari të marrë pistoletën në dorë dhe me të, të gatshme për të qëlluar, i shkoi në pritë së bashku me dy badigardët e tij Fatmir Haklaj, duke ngrënë kështu kokën e vet. Në këto rrethana vrasësi i Azem Hajdarit është Sali Berisha, i cili fitoi dyfish: fitoi “kauzën” e Grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998, por fitoi edhe eleminimin e rivalit të tij kryesor për postin e Kryetarit të PD, sepse Azem Hajdari, duke e quajtur veten themelues dhe kryetar i parë i PD, nuk mund të pajtohej më që në krye të kësaj force politike të ishte një dështak me turp të madh të piramidave dhe luftës civile kundër shqiptarëve që bëri Sali Berisha.
-Si e kujtoni ju atë ditë?
14 shtatori 1998?!Dita më e zezë për Shqipërinë. Një kortezh i madh njerëzish të egër, bisha pylli, me një arkivol në krahë, me pistoleta dhe kallashnikovë në qafë, ecnin në drejtim të Kryeministrisë për të finalizuar grushtin e shtetit, të cilin j’ua dha “simite” në gojë Sali Berisha pasi vrau dy ditë më parë Azem Hajdarin. Në vend që të çonin në varrezat e Sharrës kufomën e vdekur të Azem Hajdarit, në vend që të përshpirteshin për qetësinë e shpirtit të tij, Sali Berisha, ky serboviç më i pistë se Sllobodan Millosheviçi, i orjentoi turrmat bisha të paqytetëruara të tij, të shqyenin derën e Kryeministrisë përmes goditjeve të forta me arkivolin brenda të cilit ishte kufoma e vdekur e Azem Hajdarit. Një shpellari mesjetare e vërtetë. Mbasi shqyen derën kryesore të Kryeministrisë, banda e armatosur hyri brenda, duke e lënë në mëshirë të fatit, të shkelur me këmbë nga gjithkush banditë, arkivolin e Azem Hajdarit, i cili mbeti pa u varrosur. Pastaj u vunë në veprim kallashnikovët mbi të gjitha institucionet e shtetit. Unë isha së bashku me Gramos Ruçin, Neritan Cekën etj në zyrën e Skënder Gjinushit, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë në atë kohë. Isha emëruar Zëvendës Ministër i Brendshëm pak ditë më parë, por ditën që do të filloja detyrën, u vra Azem Hajdari. Disa drejtues të PS që ishin të mbledhur aty te zyra e Skënder Gjinushit, përballë Kryeministrisë, më thoshin të vija në detyrë, t’i bashkohesha ish Ministrit të Brendshëm Perikli Teta dhe të merrja situatën nënkontroll. Mirëpo unë nuk isha prezantuar në detyrën e Zëvendës Ministrit të Brendshëm nga Kryeministri. Fatos Nano ja kishte mbathur në Maqedoni sapo nisi grushti i shtetit. U konsultova me Gramos Ruçin, i cili më përkrahu në vlerësimin që i bëra situatës për të mos shkuar në Ministrinë e Brendshme pa më prezantuar në këtë detyrë Kryeministri i vendit… Bashibozukët egërsira të Sali Berishës dhe të Bujar Bukoshit të Kosovës, i cili kishte sjellë që andej “disa yzmeqar me bukë në gojë”, të paguar mirë nga emigracioni i shqiptarëve të Kosovës në diaspor përmes 3 përqindëshit për Qeverinë në ekzil të Bukoshit, qëllonin pa mëshirë mbi të gjitha zyrat e shtetit, mbi Kuvendin e Shqipërisë, pa pyetur që aty ishin në krye të detyrës zyrtarë të ndryshëm të shtetit. Pushtuan Radio-Televizionin Shqiptar. Ekrem Spahiu i Partisë së Legalitetit, aleati i afërt i Berishës, deklaroi suksesin e Grushtit të shtetit, me të gjitha institucionet e shtetit, përfshi RTVSH, në duartë e Berishës. Vandalët berishistë morën edhe tanket e Gardës, njërin prej të cilëve e vendosën te Selia e PD për të ruajtur Saliun! Plaçkitën të gjitha zyrat e shtetit, duke vjedhur kompjuterat, printerat dhe gjithçka gjetën në to. Pastaj ju vërsulën bizneseve private dhe bënë batërdinë me vjedhje mbi to… Kemi dalë nga zyra e Gjinushit pikërisht në momentin që turma vrastare dhe e droguar qëllonin pa mëshirë me kallashnikov nga kati i parë, deri te kati i fundit i selisë së Kuvendit të Shqipërisë. Një tmerr i vërtetë. Një ditë si ato të masakrës fashiste të 4 shkurtit të zi, që bënë në Tiranë, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kriminelët gjakatar Xhaferr Deva dhe Kadri Cakrani. Ndërhyrja e shpejtë dhe vendimtare e SHBA paralizoi qëllimet ogurzeza të Sali Berishës, duke rikthyer normalitetin në vend. Për ironi të fatit, kriminel Berisha i shpëtoi ndëshkimit meritor për këtë krim makabër, për të cilin Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë parashikon një dënim me burgim të përjetshëm…
Cila do të jetë lëvizja juaj e re pas vendimit për Izet Haxhinë?
Gjykata e Apelit Tiranë, pas konkluzioneve përfundimtare që paraqitëm, duke kërkuar pafajësinë e Izet Haxhisë, ose alternativën tjetër të prishjes së Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për shkelje të rënda të rregullave procedurale të gjykimit, u tërhoq për të marrë vendimin dhe për t’a shpallur atë pas një muaj kohë. Sot kjo Gjykatë Apeli vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për dënimin me 21 vite burg të Izet Haxhisë! Vendimi i Gjykatës së Apelit, ashtu sikurse edhe Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është një vendim politik, antiligjor, absurd, një turp i rëndë për një sistem gjyqësor të Shekullit të 21. Çështja në Gjykatën e Apelit Tiranë u shqyrtua nga tre gjyqtare magjistrate “kamikaze”, të cilat dhanë sot “provën e parë” se në karrierën e tyre si gjyqtare në planë të parë do vënë politikën, mungesën e integritetit profesional, të qënurit të varura dhe të frikësuara nga xhahilët vrasës të vërtetë, me Sali Berishën në krye. Vendimin e Gjykatës së Apelit do e ankimojmë në Gjykatën e Lartë, jo se kemi besim në atë Gjykatë, pasi edhe atje, si në të gjithë sistemin gjyqësor, “e ka marrë ferra uratën”, por për të konsumuar të gjitha rrugët ligjore të sistemit të brendshëm, me qëllim që zgjidhjen e pafajësisë së plotë dhe të një dëmshpërblimi të madh për proçeset flagrante antiligjore të zhvilluara në Shqipërinë tonë të ndotur kaq rëndë prej berishizmit primitiv!
Intervistoi: Rigels Seliman