Prokuroria e Posaçme (SPAK) mori dje (11 shtator 2024) zyrtarisht të pandehur Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi sa i takon aferës së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Gazeta “SOT” ka kontaktuar me avokatin e njohur Idajet Beqiri për të treguar se çfarë e pret ish-kryeministrin pas paraqitjes së tij në SPAK. Ai u shpreh se me atë dosje që ka “qepur” Prokuroria e Posaçme, kushdo gjyqtar që të jetë, Berishës do i japë 2 deri në 8 vite burg. Nga ana tjetër, avokati thotë se ndaj Berishës në vijimësi do të ketë çështje të tjera, si krime kundër njerëzimit, nga vrasje, e deri të korrupsione pasive, te pastrimi i produkteve që rrjedhin nga një krim, deri te mos deklarimi i pasurive, privatizime dhe dhënie tenderash. Sipas tij, është një mal i madh me dosje kundër tij. Idajet Beqiri u shpreh gjithashtu gjatë intervistës me gazetën “SOT”, se grupi besnik që protestoi dje para SPAK mbështetje të Berishës, duke nisur nga Oerd Bylykbashi që sipas avokatit ndodhet në dosjen “Partizani”.
-Zyrtarisht Berisha i pandehur, iu komunikua akuza sot për herë të parë që nga 30 dhjetori, ish-kryeministri zbret dhe shkon drejt dyerve të SPAK. Si e patë të gjithën këtë, fakti që ri konfirmohet akuza për korrupsion pasiv dhe nëse mund të ketë detaje dhe akuza të tjera rrugës gjatë këtij procesi që duket se do të jetë i gjatë?
Është e vërtetë dhe duket se rruga do të jetë e gjatë. U bë një procedurë normale sot. Kur përfundojnë hetimet dhe tashmë ato kanë përfunduar e të komunikojnë nëse jeni i pandehur për veprën penale siç ia kanë komunikuar sot Berishës. Kur të shkojë çështja për gjykim në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, te gjyqtari paraprak, aty do të shohim se cilat janë akuzat konkrete. Do të marr vesh kërkesën për gjykim që do të bëj SPAK kundër tij. Por do të jetë vetëm për korrupsionin pasiv si i pandehur apo do të jetë në bashkëpunim më dhëndrin e tij, ka bërë dhe pastrim të produkteve që rrjedhin nga një krim. Sepse ky korrupsion pasiv i tij ka dhënë efekte dhe në një fitim rreth 5.4 milion euro nga dhëndri i tij me një sipërfaqe prej 123 metër katror tokë. Është i dukshëm shumë korrupsioni dhe këto para janë pastruar në 17 kulla. Është një çështja kjo, jo se nuk kanë gjetur të tjera prova për të tjera çështje por ato janë procese të hapura të cilat po hetohen në vijimësi. Ndaj Berishës në vijimësi do të ketë çështje të tjera, si krime kundër njerëzimit, vrasje që janë bërë masive e deri të korrupsione pasive, pastrimi i produkteve që rrjedhin nga një krim, deri te mos deklarimi i pasurive, privatizime dhe dhënie tenderash e të tjera, me objektivin e vetëm, për të grabitur pasurinë e shqiptarëve. Është një mal i madh me dosje dhe deri në fund të jetës së tij nuk do t’ju ndahet më proceseve gjyqësore që do të ketë në vazhdimësi.
-Deri tani kemi akuzën e korrupsionit pasiv por gjatë këtij procesi hetimor a mund të kemi edhe vepra të tjera që lidhet me dosjen e ish-kompleksit “Partizani” për Berishën dhe nga çfarë rrezikohet ai në këto kushte?
Kjo është një çështje, afera korruptive në kompleksin “Partizani”, me pasojat që kanë ardhur dhe janë tre të pandehur për këtë çështje. Jam i bindur se në dosjen 200 faqe të fillimit që u mor masa detyrim paraqitje dhe më pas arresti shtëpiak, brenda asaj dosje dilnin edhe element të tjerë që kishte bashkëpunëtor të tjerë në këtë krim. Dhe ato bashkëpunëtorët e tjerë në këtë krim, sot ishin në protestë si Bylykbashi, ish-ministri i Financave, ish-ministri i Mbrojtjes, ish- shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i kishe sot në protestë. Ata erdhën në protestë se janë bashkëpunëtor në këtë krim. SPAK nuk e di nëse ka vajtur apo jo te këto.
-Po protestonin ironikisht për veten e tyre e jo për Berishën?
Po protestonin për veten e vetë se e dinë pozitën e vetë ata dhe e dinë se kur shqiptarët të lexojnë tashmë nga 200 faqe që ishin, ka vajtuat në 500 ku iu dha sot Berishës në duar e iu tha njihu me aktet dhe çfarë pretendimesh e deklaratash ke se merresh i pandehur për veprën e korrupsionit pasiv dhe tha se nuk e pranoj, bëri një deklaratë politike dhe se në gjyq në seancën paraprake do i them të gjitha para gjyqtarit. Tashmë çështja është e mbyllur dhe kjo çështje tashmë do i shkojë gjyqtarit në seancë paraprake dhe do të vlerësojë nëse çështja do të shkojë në seancë gjyqësore dhe për të vendosur dënimin e Berishës apo do të vlerësojë se hetimet nuk janë të plota ose gjyqtari paraprak ka të drejtë dhe të pushojë çështjen nëse provat nuk janë të plota ose ta rikthejë çështjen në SPAK e të thotë plotëso hetimet, duke i dhënë detyra konkrete se çfarë duhet të bëj më tej.
-Cilat nga këto alternativa të artikuluara mund të dëmtohet?
Nga 500 faqe të dosjes, alternativa e vetme se kemi të bëjmë me një krim të dukshëm për rastin konkret me një korrupsion të dukshëm dhe shqiptarët janë të bindur se e kane të qartë se çfarë ka ndodhur me kompleksin “Partizani”, dhe nuk dëgjojnë Berishën i cili fut kokën në rërë dhe mendon se të tjerët nuk shikojnë asgjë, e nuk shikojnë elefantin e madh të krimeve dhe të korrupsionit e të vrasjeve që ka bërë. Shqiptarët tashmë janë të bindur se çështja do të kalojë në gjyq ku edhe gjyqtari i seancës paraprake nuk ka më alternativë tjetër, përveçse dërgimit të çështjes në gjyq ku më pas gjykata, vlerësimin e të gjithë akuzës që është bërë, të provave që janë marrë në gjithë këtë kohë e të gjykimit që do të zhvillojë, me atë dosje që ka kushdo gjyqtar që të jetë, Berishës do i jap 2-8 vite burg. Nuk ka alternativë tjetër ai, d.m.th fajësi.
-Pas paraqitjes dhe deklaratave politike që mbajti para SPAK, tani rikthehet në shtëpi, çfarë pritet të ndodh tashmë me Berishën i cili vijon të jetë në arrest shtëpie edhe gjatë kohës që Gjykata procedon me seanca?
Tashmë vazhdon masa e sigurimit të ‘arrestit shtëpiak’ dhe nuk del dot nga banesa. Do të mbarojë dhe gjyqi i seancës paraprake dhe nëse gjyqtari do të vlerësojë se çështja duhet të kalojë në gjyq, Berisha përsëri do të qëndrojë në ‘arrest shtëpie’ e më pas do të kalojë procesi gjyqësor i gjykimit dhe i dënimit të tij nga gjykata e Shkallës së Parë dhe përsëri do të jetë në arrest shtëpie. Kur të jap vendimin e dënimit gjykata e Shkallës së Parë, vendimin e dënimit të tij. E nëse vendimi i dënimit do të jetë 3 vite burg, ai burgun e ka bërë këtë tre vite me arrest shtëpie, Gjykata e Shkallës së Parë do të urdhërojë lirimin e tij, por do të deklarojë se këto tre vite u ka vuajtur në arrest shtëpie. Nëse do të jepet vendimi për më shumë se tre vite burg, Berisha ka të drejtën e apelit dhe do të kalojë çështja në Gjykatë të Apelit. Po u la në fuqi nga Gjykata e Apelit, ai dënim që bie fjala më shumë sesa arresti i shtëpisë që ka, ai 5 ditë ka të shkojë në burg dhe i do i plotësojë ato pesë ditë e më pas do të dalë nga burgu.
-Ndërkohë edhe dhëndrit të tij do i komunikohen të njëjtat akuza që ka patur më herët zoti Malltezi?
Nuk e kemi të qartë ende nëse Berisha është marrë i pandehur vetëm për korrupsionin pasiv apo është marrë edhe si bashkëpunëtor me dhëndrin e tij për korrupsionin pasiv. Kjo vetëm penale do të jetë edhe për dhëndrin e tij. Por dhëndri i tij ka edhe pastrim të produkteve që rrjedhin nga një krim. Për rrjedhojë kjo është një tjetër vepër e rëndë. A është bashkëpunëtor Berisha në këtë çështje apo nuk është, këtë do ta shohim sepse nuk e dimë konkretisht se çfarë ka bërë SPAK. Sikurse nuk e dimë se me çfarë arsyetimi, SPAK ka mënjanuar Berishën për veprën penale e shpërdorimit të detyrës, e cila konkurron me korrupsionin pasiv pasi dhe ai ka shpërdoruar detyrën e kryeministrit. Duhet ta marrin të pandehur dhe për këtë vepër penale që ka një dënim deri në shtatë vite burg.
Intervistoi: Rigels Seliman
