E hënë, 13 Janar, 2025

Ibrahimaj: Paketa të tjera mbështetëse në varësi të ecurisë së situatës

Share

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria do të vijojë me paketa të tjera mbështetëse në varësi të ecurisë së situatës.

“Është një periudhë e karakterizuar nga fjala rezistencë dhe prek të gjithë aktorët. Është dita për solidaritet dhe prioritizim, por mbi të gjitha për gjakftohtësi në vendimmarrje. Kemi përgatitur një paketë. Kemi vendosur të mbështesim fermerët me karburant, ashtu si dhe transportin publik”, tha ministrja Ibrahimaj.

Ministrja tha se nga ana tjetër kemi kërkuar solidaritet nga një pjesë tjetër e biznesit, të cilët preken nga rritja e çmimit të karburantit, por që mund ta përballojnë.

“Logjika e paketës së soloidaritet që ne kemi bërë është që kush fiton më shumë paguan më shumë“, tha ajo.

Sipas saj, rritja e çmimit të energjisë elektrike prek të gjitha kategoritë, individët, biznesin dhe buxhetin.

“Por ne kemi vendosur të mos e çojmë të gjithë koston të plotë të energjisë te familjet dhe biznesi i vogël. Ne na duhet të importojmë dhe çmimi që vjen në faturën e secilit është tre herë më i ulët së sa ai që ne paguajmë”, tha ministrja.

Ajo shpjegoi edhe lehtësitë fiskale që aplikohen për fermerët.

“Për fermerët ne kemi një sistem totalisht të përjashtuar nga taksat, jo vetëm taksat standarde, tvsh e tatimfitimi, që është edhe për biznesin e vogël ndryshe nga e gjithë Evropa, por fermerët kanë një kosto më të ulët dhe për sigurimet shoqërore. Pjesa më e madhe e pensioneve të fermerëve subvencionohet nga buxheti i shtetit. Nga ana tjetër fermerët janë të përjashtuar nga taksa e tokës bujqësore. Një fermer në të gjitha vendet e botës do të kishte këtë taksë. Ndërsa pjesa më e madhe e fermerëve nuk paguajnë taksë të ujitjes”, tha ministrja.

Ibrahimaj vuri në dukej se buxheti furnizohet nga taksat.

“Ne nuk gjenerojmë fitime, mbledhim taksat dhe i shpërndajmë”, tha ajo.

Ministrja tha se në Paketën e Rezistencën Sociale parashikohet edhe subvencioni me 3 mijë lekë për pensionet e ulëta dhe përfituesit më të shumtë janë në fshat, pasi këtu janë edhe pensionet më të ulëta.

Ibrahimaj informoi se do të ketë indeksim të pensioneve dhe se masa do të jetë në nivelin e inflacionit të muajit shkurt dhe jo sipas rregullit bazë që është mesatarja e vitit paraardhës.

Ibrahimaj bëri të ditur se tregtarët dhe farmacitë bujqësore do të ulen në tavolinë me qeverinë për të parë se çfarë marzhesh fitimi do të aplikojnë, në mënyrë që të mos shkojë kosto e pasigurisë te fermeri.

“Ne kemi rënë dakord që risqet e pasigurisë për të ardhmen të mos transferohen direkt te fermerët dhe qytetarët”, deklaroi ministrja.

Te tjera

Lajme te tjera