Kreu i “Nisma Thurje”, Endri Shabani, është politikani i vetëm që nuk është “gjunjëzuar” dhe “blerë” nga oligarkë dhe nuk është joshur kurrë nga pushtetarët. Këto fakte i vërtetojnë denoncimet, akuzat dhe dosjet që ka hapur për zyrtarë të lartë të korruptuar në Prokurorinë e Posaçme, ku asnjë nuk ka patur guximin as t’ua përmendë emrat dhe jo më të shkojë t’i denoncojë. Z.Shabani ka bërë të mundur që me kallëzimet që ka çuar në SPAK, të fundosen biznesmenë dhe politikanë në aferën e koncesionit të “Sterilizimit, por nga ana tjetër dhe regjistrimin e një procedimi penal në drejtësinë e re për aferën e Portit të Vlorës, ku janë të përfshirë Samir Mane, Geront Çela dhe 2 ministra të kryeministrit Edi Rama. Në një intervistë për gazetën “SOT”, zoti Shabani ka folur hapur për kapjen që i është bërë shtetit shqiptar nga të korruptuarit dhe ka paralajmëruar arrestimet e disa oligarkëve dhe ka zbuluar se shumë ligje të rëndësishme janë miratuar në Parlament me urdhra të drejtpërdrejta nga këta individë të fuqishëm. Këto analiza të thella të bërë nga zoti Shabani, ngrenë pikëpyetje kritike mbi ndershmërinë dhe transparencën e qeverisjes, duke theksuar nevojën urgjente për reforma të thella dhe fuqizimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe për të shpërbërë ndikimin e klasës politike aktuale.
-Zoti Shabani, si e vlerësoni ndikimin e oligarkëve në politikën shqiptare dhe si ndikon kjo në transparencën dhe ndershmërinë e qeverisjes?
Në fakt ata që ne i quajmë të oligarkë janë ortakë të trinomit Rama-Berisha-Meta. Të gjithë ata që sot janë pasuruar me tendera publikë dhe kanë përfituar apo përfitojnë nga pushteti, në fakt kanë hyrë ne biznes njëkohësisht me këta të tre. Mund ta tregosh me gisht se cilin biznesmen e ka sjellë Berisha, cilin e ka sjellë Meta dhe cilin e ka pasuruar Rama. Sigurisht, pastaj ata japin e marrin me këdo që është në pushtet, por historia e tyre nuk është histori e suksesit të tregut të lirë. Përkundrazi, është histori e kapjes së ekonomisë përmes atyre që kanë kapur politikën. Prandaj duhet të kemi parasysh se oligarkët e vërtetë janë ortakët e tyre në politikë, dhe jo ata që ne shohim në krye të bizneseve. Unë për shembull e kam të vështirë të besoj se Edi Rama, kryeministri i patronazhistëve, do t’ia linte në dorë portet detare, aeroportet, rrugët kryesore dhe monopolin e naftës dikujt tjetër, përveçse një ortaku. Në të kundërt Edi Rama nuk do të ishte një autokrat.
– A mendoni se ekziston një lidhje të ngushtë mes oligarkëve dhe partive politike në Shqipëri?
Siç e thash më parë, lidhja e oligarkëve është me ortakët e tyre në qeveri, të cilët përditë privatizojnë shërbimet publike, duke i dhënë atyre pasurinë e shqiptarëve. Lidhja direkte e tyre padyshim është me qeverinë, pasi qeveria iu jep tendera publikë, licenca dhe leje shfrytëzimi, por edhe i ndihmon ekonomikisht përmes subvencioneve dhe lehtësirave fiskale, duke iu hequr taksa dhe tatime. Mirëpo historia e tyre është edhe me ata që kanë qenë në qeverisje, dhe të cilët ua dinë horlliqet. Shtoji kësaj edhe sistemin zgjedhor që votoi Berisha me Ramën, i cili do i nxjerrë në ankand vendet e sigurta në listë.
-Si ndikon kjo në procesin demokratik?
Nga pikëpamja ekonomike lidhja e oligarkëve me qeverinë vjen duke varfëruar vendin, pasi paratë që duhet të shkonin për ata që kanë nevojë, shkojnë si ndihmë ekonomike për oligarkët. Nga pikëpamja politike, kjo nuk është më demokraci, sepse oligarkët bëjnë ligje për veten e tyre, ndërsa shqiptari i zakonshëm nuk pyetet për asgjë. Ja për shembull Transparency International ka nxjerrë se mbi 50 ligje që janë votuar në Parlamentin e Shqipërisë, nuk janë hartuar në Parlament, por me shumë gjasë kanë ardhur nga zyrat e oligarkëve. Pse demokraci është kjo?!
–Si e vlerësoni rolin e institucioneve shtetërore në luftën kundër korrupsionit? A ka ndonjë reformë të veçantë që mendoni se është e nevojshme?
Sëmundja kryesore që vuan vendi sot është përqendrimi i pushtetit tek një njeri i vetëm. Prandaj dhe ilaçi është shpërndarja e pushtetit në disa institucione dhe fuqizimi i qytetarit, përmes instrumenteve si referendumet, nismat ligjore, nismat parlamentare, nismat vendore dhe mekanizmit të shkarkimit të kryeministrave dhe kryebashkiakëve në mes të mandatit.
– Cilat janë mekanizmat më të efektshëm për të luftuar korrupsionin në Shqipëri, dhe si mund të përmirësohet zbatimi i ligjeve ekzistuese?
Korrupsioni ka viktima reale. Nëse dikush vjedh lekët e ilaçeve, librave të shkollës, të strehimit apo të ndihmës ekonomike, kjo do të thotë se dikush ka mbetur pa ilaçe, pa libra, pa shtëpi apo pa ndihmë ekonomike. Prandaj e theksoj se korrupsioni luftohet vetëm duke fuqizuar ata që sot nuk kanë asnjë instrument për të mbrojtur veten e tyre. Nëse qytetari i zakonshëm do ketë mekanizma ligjor për të zgjedhur dhe për të shkarkuar drejtorin e shkollës, apo të spitalit, arrin të mbrohet vetë, nuk ka nevojë për ndërhyrje nga lart. Por sot qytetarit shqiptar i është marrë çdo lloj pushteti dhe çdo gjë vendoset tek ish godina e Komitetit Qendror.
– Si e vlerësoni ndikimin e ndihmës ndërkombëtare në përpjekjet për të luftuar korrupsionin në Shqipëri? A është kjo ndihmë e mjaftueshme dhe e duhur?
Perëndimorët janë të vetmit që duan ndërtimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Në këtë pikë ndihma e tyre ka qenë e jashtëzakonshme, por është ndihmë. Përgjegjësia për të ndërtuar një shtet demokratik i mbetet ekskluzivisht popullit shqiptar.
-Çfarë roli luan media dhe shoqëria civile në mbikëqyrjen e qeverisë dhe luftën kundër korrupsionit?
Asnjë rol. Media është kryesisht e varur nga interesat e pronarëve, të cilët nga ana tjetër operojnë në një treg të kapur dhe të kontrolluar nga pushteti. Kështu që me ndonjë përjashtim, roli i medias është më i vakët sot, seç ka qenë në fillim të viteve 1990.
-Si mund të forcohet angazhimi i qytetarëve në proceset e vendimmarrjes dhe si mund të kontribuojnë ata në përmirësimin e situatës?
Qytetarëve iu duhet rikthyer besimi tek shteti, tek demokracia dhe tek vota e tyre. Sot pjesa më e madhe e shoqërisë është zhgënjyer dhe është dorëzuar. Prandaj nëse rikthejmë besimin tek fuqia e secilit përmes votës dhe nëse krijojmë mekanizmat e përmendura më sipër, padyshim që ne mund të sjellim në Shqipëri atë të ndryshim që ka ndodhur në pjesën më të madhe të Evropës, përfshi vende të vogla të ngjashme me Shqipërinë.
– Si e parashikoni evolucionin e situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri në vitet e ardhshme nëse problemi i oligarkëve dhe korrupsionit nuk adresohen siç duhet?
Nëse bien nga pushteti ortakët politik të oligarkëve, edhe ata do i humbasin privilegjet dhe avantazhet që kanë sot. Pjesa tjetër ka të bëjë me rolin e SPAK-ut. Ju përmendët një çështje që ne kemi dërguar në SPAK, por ne kemi kallëzuar edhe abuzimin me fondet e AZHBR-së, ku shumë oligarkë kanë marrë paratë e fermerëve për të ndërtuar resorte buzë detit. Këto dhe shumë afera të tjera, i bëjnë një pjesë të mirë të oligarkëve kandidat për SPAK, çka do të sjellë edhe konfiskimin e pasurisë së vënë në shkelje të ligjit dhe në kurriz të shqiptarëve.
– Çfarë masash konkrete do të sugjeronit për të përmirësuar situatën dhe për të ndihmuar në krijimin e një ambienti më të ndershëm dhe më transparent?
Asgjë më shumë nga ato që thashë më sipër. Bëni një hap mbrapa dhe shikojeni atë që po ndodh sot nga sytë e historisë. Rotacioni i klasës politike dhe ekonomike ka filluar.
Intervistoi: Rigels Seliman
