Pritja e gjatë e besimtarëve myslimanë për Xhaminë e Namazgjasë, në Tiranë merr fund sot. Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Regep Tayp Erdogan prenë pasditen e sotme shiritin e hapjes së xhamisë më të madhe në Ballkan.
Xhamia e ndërtuar mbi 10 mijë metra katrorë, themelet e të cilës u hodhën në 2015 u hap sot për të gjithë besimtarët myslimanë. Xhamia do i shërbejë 10 mijë besimtarëve dhe kujdestar do jetë kryemyftiu i Tiranës, Bilal Teqja.
Kryeministri Rama shprehu mirënjohje për presidentin turk për ndërtimin e këtij tempulli që do të jetë një nyjë për lidhjen e pazgjidhshme mes dy popujve.
‘Faleminderit dhe mirënjohje president i Turqisë. Miku im i gjithnjë mirëseardhur në Shqipëri në këtë shtëpinë tonë të vogël ku ka banesa të shumta, për përkushtimin tënd vëllazëror, për t’iu përgjigjur lutjeve të Komunitetit Mysliman Shqiptar… I dha bashkësisë myslimanë të shqiptareve mjetet e nevojshme për ndërtimin e kësaj xhamie të madhe, e cila ndër breza do ta dëshmojë gjestin tuaj dhe do tu flasë të gjithëve për lidhjen e pazgjidhshme mes dy popujve dhe vendeve tona” tha Rama.
Një urim pati për kryemyftiun e Tiranës Bilal Teqja që do të jetë kryekujdestari i këtij tempulli nga i cili uroi dhe që Shqipëria të ecë para në rrugën pa kthim
Qoftë e mbarë dhe këmba e kryemyftiut të Tiranës Bilal Teqja (Gazment Teqja) i cili prej sot do të jetë kryekujdestari i këtij tempulli dhe u priftë e mbara të gjithë besimtarëve myslimanë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe na ndihmoftë në rrugën tonë pa kthim e as ndalim drejt majës ku duam të ngremë Flamurin e Skënderbeut e Ismail Qemalit në një Shqipëri të denjë e të mirë për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine e ideje.
Presidenti turk Erdogan e quajti simbol të miqësisë vëllazërisë dhe solidaritetit mes Shqipërisë e Turqisë xhaminë e Namazgjasë, më e madhja në Ballkan.
Xhamia e Namazgjasë do të jetë simbol të miqësisë vëllazërisë dhe solidaritetit mes nesh. Xhamia e Namazgjasë është ndërtuar jo vetëm si një objekt kulti, adhurimi por është menduar multifunksionale që do i shërbejë besimtarëve në cdo aspect, duke e menduar si një kompleks social ku brenda saj ka sallën e konferencës, bibliotekën dhe dhoma studimi dhe ashensorë për të gjithë ata që janë me aftësi të kufizuara. Ne synojmë të pasqyrojmë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë nën moton e muzeut të bashkëjetesës së kulturave ballkanike që ndodhet brenda kompleksit të xhamisë’ tha Erdogan duke theksuar se është i vendosur për të thelluar bashkëpunimin.
Xhamia është dhuratë e popullit turk për besimtarët myslimanë për të cilët kishte një mesazh të qartë.
“Nuk duhet të shkëputemi për asnjë moment nga feja islame, e paqes dhe nuk duhet ti lëmë bosh fushën të gjithë atyre grupeve apo qarqeve që ushqejnë interesat e tyre për qëllimet e veta personale” tha presidenti turk.
Nga tempulli i Zotit kreu i shtetit turk nuk harroi të kujtonte edhe vuajtjet e popullit mysliman dhe islam në botë, kryesisht në Palestinë dhe Izrael, duke akuzuar Izraelin për gjenocid.
Ai përmendi 50 mijë të vrarët dhe 100 mijë të plagosurit palestinezë në Gaza dhe luftën e re në Liban, duke theksuar se “Izraeli dhe Netanyahu nuk kanë ndërmend të tërhiqen” apo për të synuar paqen.
Dhjetra besimtarë ishin të pranishëm në ceremoni. Xhamia ishte e zbukuruar me flamujt kuq e zi dhe të Turqisë. Madje mes besimtarëve ka pasur dhe banderolë të presidentit Erdogan apo besimtarë që mbanin flamurin turk. Xhamia e Namazgjasë konsiderohet më e madhja në Ballkan dhe është realizuar si një dhuratë e popullit turk për besimtarët myslimanë në Shqipëri.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, është lënë jashtë ceremonisw se Namazgjasw, fakt i njoftuar publikisht nga vetë ai.Për menaxhimin e xhamisë së ndërtuar si një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve, do të ngrihet një Fondacion, në krye të të cilit do të jetë imami i Xhamisë së Namazgjasë, në përbërje të të cilit mund të ketë edhe përfaqësues nga Turqia.