E premte, 1 Maj, 2026

Hapen aplikimet për infermierë, logopedë dhe profesionistë të tjerë në shtet, ja dokumentet që kërkohen

Share

Nga data 29 gusht deri më 12 shtator 2025 Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se është i hapur procesi i aplikimeve për profesionistët e shkencave mjekësore teknike në institucionet shëndetësore publike në të gjithë vendin.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se aplikimi bëhet vetëm nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë”, ku kandidatët mund të konkurrojnë për një rajon të caktuar dhe të zgjedhin deri në tri njësi vendore të kujdesit shëndetësor brenda tij.

Thirrja do të jetë e hapur për profilet: Infermieri, Mami, Teknik Imazherie, Teknik Laboratori, Fizioterapi dhe Logopedi.

Dokumentet e nevojshme për aplikim janë: CV e kandidatit; Fotokopje e letërnjoftimit (ID)  kriter detyrues për kualifikim; Fotokopje të librezës së punës që vërteton eksperiencën dhe gjeneralitetet; Diplomë universitare dhe listë notash, për diplomat nga jashtë, kërkohet njohja nga MASR; Leje për ushtrimin e profesionit (e vlefshme) kriter detyrues; Deklaratë për vërtetësinë e dokumentacionit (Shtojca nr. 2); Dëshmi të kualifikimeve shkencore (nëse ka) Dëshmi për njohjen e gjuhëve të huaja (nëse ka). Kandidatët që nuk dorëzojnë dokumentet e detyrueshme, s’kualifikohen.

Procesi i përzgjedhjes do të ndahet në dy faza. Faza e parë përfshin vlerësimin e dosjes së kandidatëve, ku merren parasysh arsimi, përvoja dhe trajnimet, me një total deri në 30 pikë. Në fazën e dytë, kandidatët e kualifikuar ose ata që dëshirojnë të përmirësojnë rezultatin e mëparshëm i nënshtrohen testimit të informatizuar, që zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve Arsimore në Tiranë dhe vlerësohet deri në 70 pikë.

Fusha e testimit përfshin Kodin Etik-Deontologjik, ligjin për kujdesin shëndetësor, ligjin për Urdhrin e Infermierit dhe pyetje të profilit profesional sipas metodologjisë përkatëse.

Vlerësimi paraprak publikohet më 6 tetor 2025 në portalin “Infermierë për Shqipërinë” dhe kandidatët njoftohen me e-mail, përfshirë edhe arsyet e s’kualifikimit nëse ka. Ata kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit. Vlerësimi përfundimtar publikohet më 14 tetor 2025 pas shqyrtimit të ankesave.

Kandidatët që marrin më shumë se 40 pikë në total konsiderohen fitues dhe përfshihen në listën e pritjes për punësim në njësitë vendore të rajonit ku kanë aplikuar, sipas renditjes nga më i larti.

Te tjera

Lajme te tjera