Tiranën dje nuk e mbuloi muzgu i zakonshëm i një të diele paqeje, por tymi i zi i molotovëve, erë e djegur gazi lotsjellës dhe klithmat e një revolte popullore që ka kapërcyer çdo vijë të kuqe për shkak të keqqeverissjes dhe korrupsionit. Dita e gjashtë e protestës kombëtare nuk ishte thjesht një marshim; ajo u kthye në një betejë të hapur urbanistike, ku rrugët e kryeqytetit ngjanin me një zonë të mirëfilltë luftimi mes qytetarëve të revoltuar dhe një pushteti të barrikaduar pas hekurave e trupave speciale. Nga sheshpushimet e Ministrisë së Arsimit, fryma e revoltës u përhap si epidemi në çdo arterie të kryeqytetit. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u kthye në fushëbetejë, ndërsa Kryeministria, e rrethuar me kordonë çeliku dhe blindazhe forcash speciale, u kthye në një kështjellë të izoluar që dridhej nga thirrjet e mijëra protestuesve.
Përplasje totale, plumba gome dhe fishekzjarre në qiellin e Tiranës
Kur forcat e policisë nisën spërkatjen me ujë me presion dhe përdorën armatimin e gazit lotsjellës për të shpërndarë turmën, reagimi i sheshit ishte i menjëhershëm dhe agresiv. Protestuesit u përgjigjën me breshëri fishekzjarresh, gurë e kokteje molotov shpërthyen në ajër, ndërsa raportimet e para flasin për përdorimin e plumbave të gomës nga policia për të frenuar vrullin e pamëshirshëm të protestuesve që po tentonin të çanin rrethimin.
Flakë te Komisariati Nr. 3, Ministria e Brendshme dhe Transportet
Por asnjë godinë e pushtetit nuk mbeti e paprekur! Sulmi më dramatik ndodhi te Komisariati Nr. 3, hyrja e të cilit u përfshi nga flakët mes kaosit të plotë, duke shënuar një nga goditjet më të rënda ndaj simboleve të rendit publik gjatë kësaj kryengritjeje! Zjarri e tymi përfshinë gjithashtu ambientet pranë Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Transporteve, ndërsa për herë të parë, masat e revoltuara vërshuan edhe drejt Sheshit Skënderbej, duke e kthyer qendrën e kryeqytetit në një teatër përplasjesh të njëpasnjëshme. Ndërkohë situata degjeneroi me sulme të përsëritura ndaj selive politike. Selia e Partisë Socialiste u sulmua dy herë me radhë, ndërsa brenda saj u raportua për praninë e personave të maskuar e me armë të ftohta.
Mes tyre, dyshohet se kishte edhe punonjës “VIP-a”, një prani enigmatike që hedh hije të forta dyshimi dhe kërkon llogari urgjente: Çfarë bënin zyrtarët e shtetit të armatosur brenda selisë rozë gjatë stuhisë?! Nga ana tjetër, dje në mbrëmje rreth orë 20:00 edhe në selinë e Partisë Demokratike janë shënuar momente tensioni mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë. Një grup protestuesisht ishin strehuar brenda ambienteve të PD-së dhe dyshohet se prej aty po kryenin sulme drejt Policisë. Më pas në selinë e PD-së mbërritën efektivë të Policisë, që dyshohet se hodhën edhe gaz lotsjellës brenda ambienteve të kësaj godine.
Megjithatë pas orës 21:00, ndonëse përplasjet rrugore u fashitën dhe policia nisi shoqërimet masive, Tirana mbeti e pllakosur nga tensioni i një lufte që nuk ka mbaruar. Kjo e diel provoi se protestuesit nuk kanë më një pikë të vetme qëndrimi, por janë kudo ku ndodhen godinat e pushtetit. Shteti dje u mbrojt me blindazhe e gaz, por rrugët e Tiranës folën qartë: revolta popullore ka ndezur një zjarr që nuk po fiket lehtë.
