Rigels Seliman
Analisti dhe publicisti i njohur, Frrok Çupi ka zbardhur skemën që do të sjellë fundin e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi është vënë në hetim nga SPAK sa i takon aferës së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” nga familja “Berisha”. Përmes një analize të hollë dhe të mbushur me detaje interesante, publicisti Çupi akuzoi ish-kryeministrin Berisha se në këto 30 vite është përfshirë në shumë zullume. Madje zoti Çupi, shkon deri atje sa paralajmëron një tjetër goditje tronditëse për kreun e “Foltores” së shpallur “non-grata” dhe kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, teksa tregon edhe terrorin që kjo dyshe po përjetojnë nga CIA dhe si e morën vesh që në vitin 2019 se inteligjenca amerikane po përgatiste ‘shpartallimin e rëndë’ të komplotit të tyre. Më poshtë gazeta “SOT”, po pasqyron të plotë reagimin e analistit Çupi.
Ja analiza e plotë e publicistit të njohur, Frrok Çupi:
Të përbashkëtat e Metës dhe Berishës
Në qoftë se Sal Berisha nuk denjon kurrë të paraqitet në Gjykatë, vallë çfarë do të ndodhë? …Dikush thotë se mund ta marrin edhe me helikopter nga dritarja e shtëpisë…, njësoj si Allenden. Me presidentin Allende kanë lidhje të ngushtë si Sala edhe Ilir Meta; në fakt më shumë me një betim se sa me kilianin e vërtetë. Ishin betuar se do të ktheheshin në heronj, si Salvador Allende, dhe lidhën fjalë. Ditën që u ngjiz betimi ‘për të vrarë vetën’, nëse CIA do të synonte t’i merrte nga tarraca e pallatit, atë ditë vetë komploti mes Sal Berishës dhe Ilir Metës pësoi shpartallimin më të rëndë. Ka qenë data 19 mars 2019, dy vjet para 19 majit ’21, kur Amerika do t’i jepte goditjen për vdekje Sal Berishës. Këto kanë qenë dy ‘vite të ferrit’ mes këtyre të dyve: Njëri president i Republikës e tjetri ish- President.
Hetimet e SHBA
Si njëri edhe tjetri e kishin marrë vesh se Amerika u kishte gjurmuar çdo krim, çdo hajdutëri, çdo vjedhje e korrupsion, dhe tani nuk kishin ku shkonin. Gjëja që bënë ishte kjo: Lidhën besë, njësoj si në Urën e Psherëtimave. Mirëpo në trurin e Ilirit, besa e Saliut rrodhi. Iliri u drejtua për në Pogradec, larg Saliut, me qëllimin e aktit sublim. Mbante mend se diku në fabrikën komuniste të kromit kishin mbetur skelete murore, si hije të Urës në Venecie. Atje mund ta kryente aktin. Para se të mbërrinte te vendi, mendoi se ‘i duhej lëshuar edhe një sinjal Saliut’, a do t’i qëndrojë besnik për vetëvrasje heroike apo jo. … Ky ishte momenti kur Ilir Meta thërriti që nga Pogradeci, në 19 mars 2019, si në jerm: -Eeeej, shikoj trazira… Unë do të vras veten si Salvador Allende”… Ishte president i Republikës. Që atëherë, ‘besa’ mes të dyve herë u ngrit e herë u ul.
Kreu i “Foltores” i ngjan një maceje të rrethuar
Por tani është radha e Sal Berishës që të shkojë drejt aktit sublim. Gjykata i ka trokitur në derë dhe ai është kthyer në një mace të rrethuar: Ose do të varet nëpër tubacionet e ujërave të pallatit e të dalë diku, ose do të shqyejë të zonë… Por në Gjykatë nuk shkon; Saliu është më frikacak se Iliri. Tymnaja diletanteske se ‘mund të vijë një helikopter’ që ta nxjerrë nga dritarja e shtëpisë, i është kthyer në realitet Saliut. Pa pushim shikon me sytë e imagjinatës dhe me shpresë se helikopteri do të përpëlisë krahët në dritaren e tij, do të thyhen xhama në mes të natës, dhe ky do të shfaqet si një shpend gjigand mbi rininë që pi birrë e hashash në baret e katit të parë. Atëherë ai do të jetë i lumtur dhe fitimtar. Menjëherë në deklaratën e parë për publikun do të thotë se ‘CIA më erdhi me helikopter dhe më mori si Salvador Allenden’. Sa shumë antiamerikanë nëpër botë e patën ‘fryrë’ grushtin e shtetit në Kili sikur Allenden e mori helikopteri i CIA në tarracë. Do të buçiste bota me lajmin se një ‘të pandehur për vjedhje e mori natën helikopteri i CIA-s’ dhe vetë Saliu do të shkruante letra në kancelaritë e botës, që nga Parisi. Kështu i del një hap para edhe vetë Ilir Metës.
Krimet e “non-gratës”
Po sikur të mos ndodhë kjo? Sepse vërtet ka një pengesë serioze: As CIA, as ushtria e NATO-s, as policia shqiptare…, nuk i kanë sjelljet e dhunshme, aq më pak të dhunimit të publikut. Këto kafshëri kaluan që në perëndim të pushtetit të Berishës kur vrau mijëra e terrorizoi disa milionë shqiptarë. Atëherë, do të ketë një zgjidhje tjetër!- mendoi Saliu: “Do të shkoj të banoj në Gjirin e Lalëzit, se vila ka edhe tarracë për helikopterin. Le të vijnë”. Gjithnjë Saliu është në jerm, që ditën kur mori goditjet e mëdha, ende jo të fundit. Ai mendon se e ka të tijën prapë Vilën e Lalëzit. Por nuk ka as tarracë. Atëherë kurrë nuk do të paraqitet në gjykatë.
Ja kush ishte Salvador Allende
Politikani kilian, Salvador Allende shërbeu si presidenti i vendit nga viti 1970 deri në 1973-shin, si dhe si kreu i qeverisë së koalicionit Bashkimi Popullor. Ai ishte markist dhe dominoi politikën kiliane për rreth 40 vite, duke mbajtur poste të ndryshme. Ai u zgjodh president nga Kongresi pasi 3 kandidatë nuk morën vota e nevojshme, por SHBA nuk e mbështeste. Ai ishte një armik i amerikanëve dhe CIA luftoi shumë për ta rrëzuar nga pushteti. Duke qenë se ishte marksist, edhe ai nuk i donte amerikanët dhe po ashtu nuk pranonte të largohej nga pushteti. Por CIA nxiti një grusht shteti më 1973. Ndërsa trupat ushtarake hynin në pallatin “La Moneda”, Alende zotohej në një fjalim në televizion të mos dorëhiqej. Më vonë gjatë asaj dite ai vrau veten. Dhe si duket nëse gjërat shkojnë keq dhe në kushtet kur nuk do e përballojë dot burgun, Berisha mund të ndjekë rrugën e ish-diktatorit Allende, duke u vetëvrarë.