Analisti dhe publicisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar situatën politike në vendin tonë dhe jovetëm, duke e ndalur theksin tek vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për t’i hapur rrugë zbardhjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunimin Meta-Berisha dhe thirrjet e tyre për protestat, si dhe apelin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës për nisjen e ofensivës ndaj pushtetarëve dhe politikanëve të korruptuar e inkriminuar në vendin tonë, me qëllim çuarjen përpara drejtësisë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Çupi shprehet se ka ardhur koha që të ngihet një gjykata ndërkombëtarë për të hetuar krimet dhe aferat korruptive të ish-kryeministrit Sali Berisha, për shkak se ky i fundit ka ende impakt në sistemin e drejtësisë në vendit tonë, ku shumë prokurorë dhe gjyqtarët janë ushtarë të tij besnik. Po ashtu, analisti i njohur, ka treguar rrugën edhe që ndoqi Berisha për të rekrutuar Metën si spiunë, pasi sipas tij, ky i fundit ka qenë më herët edhe bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas zotit Çupi, ka qenë ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bashkim Gazidede, ai që rekrutoi Metën si spiun dhe që më pas e vuri në dispozicion të Berishës. Po ashtu, zoti Çupi shprehet se dosjen e ish-Sigurimit, Metës ia pastroi Berisha dhe që të ndodhur përpare kësaj situate të paprecedent, analisti i bëri thirrje SPAK të sekuestrojë dosjet e ish-Sigurimit që ka kreu i “Foltores”, për shkak se ky i fundit ka pasur akses të plotë në to gjatë kohës kur Shqipëria qeverisje prej tij në vitet 1992-1997. Disa prej dosjeve të spiunazhit që ndodhen në shtëpinë e Berishës janë ato të Ali Spahisë, Pjetër Arbnorit dhe Safet Zhulali.
-Zoti Çupi, Bashkimi Evropian kërkon arrestimin e politikanëve të korruptuar si kusht për të hyrë në BE, a kanë ndërkombëtarët një listë me emra që SPAK duhet t’i arrestojë?
Këtu, në vendin tonë, janë bërë shumë dëme të mëdha ndaj popullit. Por a kanë ndikuar këto dëme edhe në vendet anëtare të Bashkimit Europian?… Kjo është çështja, nëse e lidhim me kërkesën e BE për ‘burgimet e udhëheqësve të lartë’. Unë besoj dhe jo vetëm besoj, por jam dëshmitar, i dëmeve të mëdha që shkaktoi psh., Sali Berisha si president i Republikës sonë, ndaj Europës. Me akte e tij kriminale hodhi përdhe gjithë trashëgiminë ‘europianiste e perëndimore’ të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti dhe të Rilindësve tanë. Berisha iu bashkëngjit një ushtrie barbare në mes të Europës, siç ishte ushtria e Millosheviçit, e Mlladiç dhe Karaxhiç. Madje i furnizoi me armë dhe me energji. Njësoj si të ndodhte sot, kur Rusia po kërcënon Europën me ‘shkatërrim’ dhe dikush nga ne të hapte rubinetet e naftës e të gazit të Rusisë. Çfarë do të ndodhte? A nuk do të kishte gjyq? Berisha e tejkaloi edhe këtë. Ai sulmoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, tentoi të krijojë luftë civile në Kosovë, i bëri thirrje politikës së Kosovës që të mos ndiqnin strategjitë e Perëndimit në Rambuje të Francës… Krahas, që në ditën e parë të detyrës si president, e lidhi vendin në ‘molin’ e Arabisë Saudite dhe tëBahrejnit, teksa populli kishte ëndërruar Perëndimin… Por bendet anëtare të BE duhet ta njohin këtë dëm. Deri tani e ka njohur vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Roli i BE dhe i Perëndimit tani është ndërtimi i një gjykate të përbashkët, bashkë edhe me Shqipërinë, për dënimin e krimeve prej tre dekada të kryera nga liderët e lartë nëShqipëri. Modeli i parë ishte Gjyqi i Nurembergut. Aty u dënuan fajtorët e mëdhenj që u ndodhën në krah të Nazizmit. 200 zyrtarë të lartë u dënuan në Nuremberg- Gjermani dhe nja 1600 në gjykata të tjera të po këtij sistemi. Dihet që barra më e rëndë e krimeve të dy liderëve të lartë politikë tëShqipërisë kanë peshuar në Shqipëri dhe mbi shqiptarët. Por nëse Europa do të ‘lajë duart’ me krimin e këtij lloji në gjirin e saj, atëherë duhet të ndërtojë një gjykatë si ‘Nurembergu’ dhe të ndëshkohen këto krime. Ndryshe nuk ka shumë shpresë. Sepse krimi në Shqipëri është më i fuqishëm se sa fuqia e popullit.
-Sipas jush, kush janë pushtetarët e lartë shqiptarë të korruptuar në këto 30 vite? Flet dot Frrok Çupi me emra…?
Ky është hall i madh: Që zyrtarët e korruptuar, sa herë janë bërë votime, kanë fituar më shumë. Domethënë sa më shumë u thua ‘i korruptuar’, ata ndjehen më të përkëdhelur. Unë kam ‘gabuar’ në këtë taktikë. Që në 9 gusht 1991, në një intervistë shumë të lexuar të asaj dite botuar në “Koha Jonë” dhe në një gazetë në Suedi, kam shkruar fjalë për fjalë se ‘Partia Demokratike po vjen në skenë po aq dhe më e korruptuar sa edhe regjimi i Enver Hoxhës. Fjalë për fjalë kam shkruar se ‘Sali Berisha po ‘lufton’ kundër diktatorit, pa pasur asnjë strategji perspektive demokratike; e vetmja gjë që bën janë fjalët kundër Enverit. Më duket sikur ky ka hipur mbi karrocën e tij dhe gjuan me kamxhik karrocën paralele të Hoxhës. Por në fund të fundit, të dyja karroca janë’. Sali Berisha e korruptoi vendin në politika vdekjeprurëse, i solli vjedhjen si model, vodhi për vete e për rrethin e tij në mënyrë të hapët, ndërtoi firma piramidale për të larë paratë e tij të fituara në thyerjen e ‘embargos së naftës’ dhe në afera të tjera, mësoi edhe fëmijët e tij si të vjedhin e të korruptohen… E shikoni që ‘vjedhja dhe korrupsioni’ këtu janë kthyer në model. Ky është hall i madh: Sepse po ndodh që viktimat e korrupsionit i shkojnë pas ‘mbretit të korrupsionit’. Ka edhe një arsye pse ndodh kjo, sepse edhe ‘ushtarët’ e Mafies janë të korruptuar. E kam parasysh skemën: Nëse do të kishte një Nuremberg për korrupsionin, atëherë vargu do të ishte më i gjatë se 1600 sa ishte pas Nazizmit.
-SPAK ka rrëzuar padinë për ish-presidentin Ilir Meta dhe Sali Berisha për vjedhjen e Floririt të Krrabës me pretendimin se ka kaluar shumë kohë dhe grabitësit janë dënuar kohë më parë dhe ajo çështje është mbyllur, mendoni se Meta dhe Berisha i kanë zhdukur të gjitha provat?
Po, e lexova. Nuk prisja të kundërtën. Para se tërrëzohej padia për Floririn, para se të rrëzohet padia për Gërdecin e për 21 Janarin, për CEZ e për financimet ruse, para se të rrëzohet padia jote dhe imja, ambasadorja e SHBA na dha një njoftim: ‘Eeej- tha- atë që pashë në strofkën e drejtësisë po ua them. “Kam parë prokurorë dhe gjykatës të joshur dhe të kërcënuar!”. Kush i josh gjyqtarë e prokurorë? Ti dhe unë që mbahemi me pagat mujore? Apo ata që kanë vjedhur pasurinë e madhe të vendit. Po të mos kishin vjedhur floririn, me çfarë do t’i joshnin gjyqtarët dhe prokurorët? Kam frikë se Shqipëria do të kthehet në një vend ku Sali Berisha dhe Ilir Meta do të lejohen të vjedhin dhe të vrasin, brez pas brezi. Ne të tjerët, çfarë do të jemi? Do të jemi gjahtarë që do të rendim për atje ku ka shtënë arma e këtyre dhe ka hedhur përdhè viktimën e radhës.
-Gjithashtu Bashkimi Europian dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë hapur rrugën edhe për pastrimin nga politika për spiunët, mendoni se Ilir Meta dhe Sali Berisha këtë herë nuk mund të shpëtojnë nga përjashtimi nga politika?
Në vend të shtetit të votuar në dritë të diellit, do të gjejnë një ‘shtet’ dosjesh të dalë nga errësira. Spiuni spiunoi spiunin dhe të dy u helmuan…, dikush mbeti, në 30 vjet. Mezini konstatoi spiunin, e fshehu dhe ia dorëzoi Gazidedes; Gazidede e rekrutoi e pastaj ia dorëzoi Berishës. Pastaj u helmua ‘papritur’ Gazidede. I vetmi spiun i lartë që mbeti gjallë është Meta që u bë president. Në dosjet e tjera pranë dosjes së tij në shtëpinë e Berishës ndodhen dosjet e dëshmitarëve të tjerë: Faik Hoti, Ilir Hoti, Ali Spahia, Remzi Hoxha, Ali Uka, Pjetër Arbnori, Safet Zhulali. Këta janë vetëm foto të vjetra dhe kocka, si në thesin e plakës Nicë. I mban Berisha. Duhen sekuestruar urgjentisht, para se të nisin pushimet; aty ndodhet një shtet fantazmë por i rrezikshëm.
-Sali Berisha ka shtuar sulmet ndaj ndërkombëtarëve, veçanërisht ndaj britanikëve, pasi ka akuzuar ambasadorin e Britanisë së Madhe në vendin tonë si të korruptuar dhe ndërkohë ka paralajmëruar se do hap gjyq kundër Londrës, sepse siç thotë ai e kanë shpallur “non grata” pa prova. Si ju duket ky kurs i Berishës?
Sali Berisha nuk ekziston si faktor politik. Por e mbajnë mediat në sytë e publikut. Berisha është një njeri që nuk thotë të vërtetën në ‘kohë me diell’ e jo më kur po e gjuajnë rrufetë e fundit. Si mund t’i besosh Berishës se ka ngritur gjyqe në Amerikë e në Britani? Bullshit. Por Berisha karrikon vulgun që e rrethon, të korruptuarit e qeverisë së tij që shpresojnë se Berisha do t’i shpëtojë, mban të karikuar budallenjtë që i marrin leje për të vrarë Edi Ramën, politikanë të bazës që presin llokume nga Berisha… ‘A flasin për mua? Po flasin. Atëherë në rregull jam’, thotë Berisha. Miku im Namik Hoti, erudit dhe politikan i periudhës së ndryshimit të sistemit komunist, më thoshte shpesh: ‘Veç të shkruajnë për mua, thuaju të lutem… Keq le të shkruajnë, shumë keq. Por të shkruajnë. Kjo më mban”, thoshte. Ai ishte burrë i zgjuar. Ku e ku Berisha me Namik Hotin që lexonte libra e jetonte me djersën e vet.
-Keni një koment mbi lëvizjet e PD për t’u bashkuar?
Stina më e shëndetshme për Partinë Demokratike është stina e ndarjes, jo e bashkimit. Partia Demokratike duhet të ndahet nga Sali Berisha dhe historia tragjike që u ka imponuar shqiptarëve gjatë qeverisjes së vet. Këtë po kërkon interesi i kombit shqiptar, këtë ka kërkuar dhe po kërkojnë aleatët të mëdhenj Shtetet e Bashkuara dhe BE. Atëherë çfarë është ky ‘bashkim’?. Elementi themelor është ‘Berisha hileqar’. Ai e di se është i përjashtuar nga politika; por ndërkohë kërkon të bashkojë veten me PD-në legale. Po të ndodhte kjo, atëherë do të kishte Berishë, por nuk do të kishte PD. Nuk ka bashkim të PD pa largimin e Berishës.
-Po këta të PD të zotit Alibeaj?
Këta, ose nuk janë politikanë që të dinë të lexojnë mesazhin e SHBA…, ose janë ‘tradhtarë’ të Perëndimit dhe i bashkohen Berishës…, ose ndodhen nënpresionin e vulgut të PD, dhe nëse bëhen robër të vulgut, atëherë nuk ia vlen të merresh as me këta.
-Sa të suksesshëm do jenë Meta dhe Berisha për të mbushur sheshet me protestues, me qëllim rrëzimin e qeverisë?
Nuk mund të jenë të suksesshëm Berisha dhe Meta para popullit që thonë se ‘do të ngrihet’. Populli është sfilitur, vjedhur e vrarë prej tyre. Natën këta u dalin parasysh si lugatë. Por si mund të kenë sukses në rrëzimin e qeverisë Rama? Ku ka një popull që rrëzon fronin e tij ku jeton njerëzisht. Sot qeveria e Ramës është e vetmja garanci për të përmirësuar jetën dhe vendin e vet.
-Ditët e fundit ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim ka ngritur alarmin, ndërsa në disa raste është shprehur se ishte në dijeni të disa përpjekjeve për të joshur apo frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët. Ndërsa sot zonja Kim iu drejtua gjyqtarëve duke iu thënë se kanë në dorë fatet e vendit. Si i komentoni këto dy deklarata të zonjës Kim brenda një kohe kaq të shkurtër? Çfarë qëndron prapa tyre dhe pse vijnë kaq intensivisht?
Dy deklaratat e ambasadores së Shteteve të Bashkuara mbahen brenda 12 ditësh. Tempestiviteti i deklaratave dëshmon për emergjencën e vëmendjes së Shteteve tëBashkuara mbi situatën në Shqipëri, veçanërisht mbi Drejtësinë. Kanë kaluar 6 vjet qëkurse nisi Reforma në Drejtësi, dhe megjithatë Drejtësia është përsëri në duar të atyre që ikishte në dorë për tre dekada. Regjimi i Berishës e shkatërroi Drejtësinë dhe e vuri të gjithën në shinat e padrejtësisë, vjedhjes dhe korrupsionit. Ai po i shtyn ditët me shpresë se o do rrëzohet Drejtësia, o do të mundet Amerika, ose që vetë shoqëria të jetë zhytur në gropën e vjedhjes së njëri tjetrit dhe Berisha e Meta të shpallen ‘mbretër të së keqes’. Tani për tani, Drejtësia është shumë e vështirë që të dalë nga këta kthetra. Gjykatat dhe prokuroritë janë mbushur me militantë të Berishës. Vendimet botërisht të pa drejta janë kthyer në punë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vilat janë shtëpitë ‘përdhese’ të gjyqtarëve e prokurorëve; një ushtri e tërë zyrtarësh të korruptuar të Berishës po ndjekin pas veneracionin e familjes më të korruptuar. Korrupsioni dhe krimi ndjehen të qetë e të garantuar sa kohë janë këta gjykatës dhe prokurorë si ombrella. Thirrja e Shteteve të Bashkuara përmes zonjës ambasadore është një klithmë e superfuqisë për Drejtësi për popullin shqiptar. Zonja Kim iu drejtua disa gjyqtarëve të zgjedhur me dorë nga Amerika si ‘të pandotur’ në korrupsionin e Berishës, dhe u bëri thirrjen më sublimë: ‘Shpëtojeni popullin tuaj, të dashur gjyqtarë. Para disa ditësh zonja Kim bëri thirrjen drejtuar gjykatësve, prokurorëve dhe vetë qytetarëve se ‘Drejtësinë po ua kërcënojnë, drejtësinë po ua joshin’. Kurrë nuk ka parë Shqipëria, madje as bota perëndimore, thirrje më të larta se këto për shqiptarët. Prapa deklaratave të zonjës Kim qëndron qeveria e Shteteve të Bashkuara. Dhe prapa emergjencës së lëshuar nga Shtetet e Bashkuara qëndron fati ynë: O shpëtojmë kësaj here, o mbytemi përgjithmonë si komb. Drejtësia, e kapur nga Berisha e Meta mund të varrosin fatin e kombit dhe secilin prej nesh. Por fati që kemi në krah Shtetet e Bashkuara, është një fuqi e madhe kundër ‘Përbindëshit’. Shpresat janë se do të fitojë populli.
Intervistoi: Rigels Seliman