Analisti i njohur, Frrok Çupi sjell një pasqyrë të mprehtë dhe kritike mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, duke hedhur dritë mbi situatën e rënduar që po kalon politika e vendit. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Çupi komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama për akuzat ndaj vëllait të tij, si dhe ka analizuar sjelljen dhe manovrat politike si Sali Berisha, Ilir Meta dhe Gazment Bardhi, duke nxjerrë në pah dyfytyrësinë që sipas tij, karakterizojnë politikën shqiptare. Gjithashtu Z.Çupi diskuton rrezikun që e bija e Berishës, Argita Malltezi, mund të përballet me pasoja ligjore për shpifje, duke e konsideruar atë si një viktimë të një loje të rrezikshme politike të atit të saj. Ndërkohë gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, analisti paralajmëron se Sali Berisha do të dorëzojë fëmijët dhe të shoqen me shpresën për të shpëtuar vetë nga prangat, ndërsa sipas tij, Ilir Meta po bën “kurban” Monika Kryemadhin. Nga ana tjetër publicisti i njohur, Frrok Çupi, tregon çfarë do të ndodhte me Ramën nëse do të kishte një vëlla të lidhur me krimin dhe drogën siç e sajuan Berisha e Meta
–Zoti Çupi, si e komentoni deklaratën e kryeministrit Edi Rama se akuzat për përfshirjen e vëllait të tij janë të fabrikuara dhe të pabazuara në prova?
E konsideroj një kthesë, një kthesë ‘ bajagi’ të madhe, thonë shkodranët, në veprimin politik të vendit. A ishte një deklaratë që lidhet me vetë kryeministrin?, siç pretendojnë disa. Edhe po ta marrim si ‘të lidhur me vetë personin kryeministër’, kjo ka vlerë të madhe politike dhe qeverisëse për vendin. Kryeministri ‘Iks’ dhe personi “Iks’ nuk janë dy njerëz, as dy fenomene, as dy ekzistenca. Është vetëm Një. Kemi kaluar një histori të ndyrë dy a tre dekada që kryeministri apo presidenti thotë se ‘jam tjetër gjë nga personi”. Për shembull personi Berisha apo personi Meta i kanë hyrë me hunj e me shqelma këtij njeriu që rron këtu, duke i demonstruar ‘ Dy Gjëra brenda një kurmi’.
-Unë jam Sali Berisha o budallenj!’ thërriste në qymez dhunuesi i të drejtës njerëzore. “Ua bëj fytyrën si shollën e këpucës’
Me këtë thirrje i shpëtonte përgjegjësisë kriminale si kryeministër apo si president.
“Unë jam Iksi që nuk ka lidhje me Iksin”, thoshte, ose më e qartë thoshte ‘Unë jam Saliu, nuk jam kryeministri”.
Si Sali i jepte të drejtë vetes që të firmoste privatizimin e klubit Partizani për një person tjetër që ishte Jamarbëri. Jamarbëri ishte burri i Argitës, por nuk ishte dhëndëri i kryeministrit. Edhe vrasjen e njerëzve me armën e shtetit në oborrin e kryeministrisë e kreu si Sali, jo si kryeministër. Si kryeministër kishte tjetër standard: Nuk lejoji Prokurorinë që të hetonte vrasjet, e quajti Prokuroren lavire bulevardi dhe presidentin po ‘njeri bulevardi’. Si kryeministër i dha të drejtën vetes që të merrte në dorë katër snajper dhe të qëllonte mbi kryetarin e opozitës. Kur i duhej fabrika e vdekjes e Gërdecit për të përpunuar armatimet kineze, Saliu dërgoi baxhanakun si mbikëqyrës të punëve; kur u vra edhe baxhanaku nuk e donte si dëshmi dhe e mohoi.
“Nuk e njoh!’ tha Saliu në publik.
Vetë presidenti i parafundit, Meta, ishte një ‘Dubble”. Kur ishte Ilir grumbullonte pasuri të pa ligjshëm dhe investonte lobing në Amerikë. Kur ishte president i lëkundur, thërriste se ‘ po më vret Amerika te Mali me Gropa’ si Allende.
Sa i duhej Monika për të fshehur vilat dhe eurot, Mona ishte si Mirka Markovic Milloshevic në krye të Partisë. Tani që do të fshihet vetë Iliri, dëbon Monikën si tradhtare… Njerëz me dy fytyra, me dy morale, me dy politika, me dy mendere, me dy standarde…, këta kemi pasur në krye fatkeqësisht. Çfarë bënte Saliu ditën, gëlltiste Berisha natën… Asnjëherë nuk treguan çfarë ishin vërtet: A njerëz a monstra, a komunistë a nazistë, a gjakpirës a ujorë, a maska a maskarenj. Pse nuk thanë asgjë të vërtetë njerëzore për vete? Kurrë. Ja ku jemi sot. Kjo që bëri kryeministri Rama ishte kthesa, modeli. Edi Rama nuk e ndan veten nga kryeministri as nga familjari. As kur është kryeministër, as kur është në studion e skulptorit. Është i njëjtë. Po të kishte një vëlla siç e sajuan Berisha e Meta, atëherë edhe Edi Rama nuk do të ishte kryeministri që është. Kjo ishte e gjitha në atë që tha sot kryeministri Rama: Kryeministri është ky njeriu që keni para syve.
-A mendoni se Bardhi mund të përballet me të njëjtin fat ligjor si Ervin Salianji nëse akuzat për kallëzim të rremë vërtetohen?
Shpifja është një krim i shpifur, të neverit. Pa mendo burra që shpifin si llaxore. Këta bëjnë përjashtim nga vetë kodet dhe traditat zakonore shqiptare. Mendoni një burrë llaxore si Berisha apo një syth llaxoreje si Bardhi po të shpifnin nëpër ograjet e katundit dikur! As në dasmë nuk do t’ i pranonte më njeri. As kutinë e duhanit nuk do tua lëshonte dikush në rrugë. Në kuvendin e burrave- jo e jo që t’ i pranonte fisi. Këta janë degjenerimi vetë. Ky lloj degjenerimi ka nisur me ardhjen në pushtet të Sali Berishës. Ky është fundi i burrit dhe i burrnisë. Ky shpif, por shpif pistë. Ky mashtron, ky përgjon sa fustane ka gruaja e kundërshtarit, ky pret vdekjen e partnerit me qëllim që të sulmoje derën e qeverisë, ky pa skrupull u thotë njerëzve se ‘ do t’ua heq vizat për Amerikë’, kur vetë është i shpallur se nuk lejohet kurrë në Amerikë. Ky u thotë njerëzve se ‘ do t’ u jap 200 euro për pension dhe 500 euro për pagë”. Ky që u vodhi kursimet familjare në vitin 1996-97, sot i mashtron përsëri. Këta që ka rrotull, si Barshi psh., këta janë të klonuar prej karakterit dhe racës së Berishës. Tani janë të gjithë njësoj, një sekt. A do të jetë burgu dyqani ku do të paguajnë? Burgu sigurisht është për krimet e kryera. Krim është shpifja, është edhe mashtrimi, është edhe rrëzimi i jetës s tjetrit. Këta i bëjnë të gjitha. Besoj se SPAK, edhe pa padinë e dikujt duhet t’ i akuzojë për mashtrim publik që në momentin kur u premtojnë njerëzve. Premtojnë si gjuetarë, duke e hedhur grepin që të kapin budallenj.
-Cili është mesazhi politik që Kryeministri po përpiqet të përcjellë përmes këtyre padive të paralajmëruara ndaj kundërshtarëve të tij?
Mesazhi politik që përcolli kryeministri? Mendoj se tërësisht ishte mesazh politik. Ai e tha qartë: ‘Njerëz, jini vigjilent!’. Si Juliuus Fucik dikur në Luftën e Dytë. Kryeministri kreu edhe detyrën që në fakt do të duhet ta bëjnë përditë mediat, shoqëria civile, kisha e xhami, akademi shkencash… Këta duhet t’ i tregojnë edhe një herë popullit të këtij vendi se ata që ua dogjën pronën, djersën dhe gjakun, ata që iu zhytën në shëmtim e larg qytetërimit, ata që ndezën luftë mes krahinash, ata që iu vunë në dorë një miliardë armë për një milionë njerëz…, ata po përgjojnë prapa gardhit e kërcënojnë të marrin copa pushteti. Mbylleni atë derë përjetë! Kjo ishte thirrja e kryeministrit. Kryetari i qeverisë nuk është vetëm për të bërë rolin e hamallit të pa lodhur, rolin e ndërtuesit, rolin e paqebërësit, rolin e rojtarit të sigurisë së vendit…., siç ka bërë në 12 vjet Edi Rama… Por është edhe për të paralajmëruar rreziqet. Është një rrezik, por edhe një turp i madh që këta farë politikanësh si Berisha e Bardh e Metë, të marrin edhe një grusht vota. Turp edhe një votë e vetme. Mbi këtë pemë të thatë varet vetë besueshmëria e qytetarisë sonë. Po e vare kristalin në atë degë, ta dish se do të bëhet copë-copë.
-Si e shpjegoni faktin që Gazment Bardhi dhe grupi i tij, të cilët dikur kanë qenë kritikë të ashpër ndaj Sali Berishës, tani janë pjesë e bashkëpunimit politik me të? A është kjo një shenjë e kompromisit politik apo oportunizmit?
Kjo është vetëm pamja e dikurshme kur vihej tabela në rrugë: “Erdhi estrada në fshat!’. Kjo të bën për të qeshur, por ka edhe njerëz që e marrin seriozisht e trishtohen “ More po, a janë njerëz këta!?’. Këta nuk janë vetëm pa ‘ shtyllë kurrizore’, këta janë secili një thes me vese si Bardhi a tjetri. Këta zgjedhin të jenë ‘ pa cipë’, me qëllim që të mbulojnë pisllëk më të madh.
-Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi është thirrur në SPAK për deklaratat ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila duhet të provojë akuzat ndaj saj. A rrezikon ajo të përballet me pasoja ligjore për shpifje nëse nuk arrin të mbështesë deklaratat e saj me prova të mjaftueshme?
Argita e Saliut ka zgjedhur rolin e detektorit. Rruga e tyre si familje e si grupim kriminal, tashmë është e qartë se do të kalojë përmes minave. Minat do të pëlcasin, do t’ i marrin me vete një nga një. Por e bija është caktuar si detektori. Ajo sapo ka vënë këmbën në mina dhe sigurisht që do të shkojë në burg. Sepse ka shpifur. Ka shpifur kundër gjykatëses së Gjykatës Speciale. Domethënë ka kryer edhe sulm të qëllimshëm kundër Drejtësisë. Kush e vuri Argitën në këtë pozitë? E vuri i ati. Saliu më parë kishte ndërtuar karmën që kur të kapej korrupsioni i kryer nga familja, i pari të digjej dhëndëri. Dhëndëri si njeri i leshtë, e hëngri, aq më shumë që i pëlqeu fama dhe pasuria e paligjshme. I dyti që do të shkelte mbi mina ishte Saliu. Ky duket sikur është harruar për ca kohë, edhe pse është i shpallur ‘ i pandehur’. Gjatë kësaj kohe Saliu shtyu Argitën në fushën e minuar dhe kjo e hëngri ledhatinë. Por kur t’i hapet dera e qelisë, atëherë do të kuptojë se si ia punoi i ati… Saliu do të dorëzojë fëmijët dhe të shoqen me një shpresë se mund të shpëtojë për vete. Ja ku jemi.
Intervistoi: Rigels Seliman