Franca e ka nisur me fitore Kampionatin Europian. “Gjelat” kanë triumfuar me rezultatin minimal 0-1 austriakët në “Merkur Spiel Arena” të Dyseldorfit.
Goli i i vetëm i këtij takimi u realizua në minutën e 38. Mbape u shkëput bukur në fundoren e krahut të djathtë dhe krosoi në zonë. Topi i krosuar preku aksidentalisht mbrojtësin Vober dhe topi u devijua në rrjetë.
Në minutën e 55, sulmuesi i sapo transferuar te Reali i Madridit pati shansin e artë për të dyfishuar shifrat dhe për t’i dhënë golin e qetësisë ekipit të Francës.
25-vjeçari shpërdoroi një rast flagrant. I vetëm përballë portierit pas një shpërthimi fantastik, ylli i skuadrës së Deshamps gjuajti jashtë kuadratit. “Gjelat” nuk iu besuan syve.
Mbape pësoi një dëmtim në hundë dhe rrezikon ndeshjen e dytë në grup me Holandën, ku do të përcaktohet edhe ekipi që do të sigurojë vendin e parë në grup dhe kualifikimin për në raundin me eliminim direkt.
Me këtë fitore, Franca mban kryesimin e grupit D me 3 pikë së bashku me Holandën, ndërsa Austria dhe Polonia i kanë humbur ndeshjet e tyre të para.
Ndeshjen e ardhshme, Franca do të luajë finalen e parakohshme me Holandën në orën 21:00, ndërsa Austria do të përballet me Poloninë në orën 18:00.
Të dyja këto ndeshje do të luhen më 21 qershor.