Prodhuesi italian i makinave luksoze “Ferrari” ka prezantuar modelin e tij të parë plotësisht elektrik, të quajtur “Ferrari Luce”, duke iu bashkuar rivalëve si “Porsche” dhe “Lamborghini” në ofertën e automjeteve sportive me energji të pastër.
Modeli “Luce” që në italisht do të thotë “Dritë”, arrin një shpejtësi maksimale prej më shumë se 310 kilometra në orë dhe ofron një autonomi prej mbi 530 kilometrash, bëri të ditur kompania në një deklaratë të publikuar mbrëmë.
Automjeti është i pajisur me një bateri të madhe prej 122 kWh.
Me një peshë totale prej 2,26 tonësh, ”Luce” është modeli më i rëndë që ”Ferrari” ka prodhuar ndonjëherë.
Ai është gjithashtu vetëm modeli i dytë me katër dyer në historinë e “Ferrarit” dhe i pari me “pesë vende”, një ndryshim i rëndësishëm për markën e njohur kryesisht për makinat e saj sportive me dy vende.
“Po inaugurojmë një kapitull që e shndërron vizionin tonë në realitet, duke forcuar traditën e “Ferrarit” për të parashikuar dhe formësuar të ardhmen”, deklaroi presidenti i kompanisë, John Elkann.
Prezantimi i modelit të ri vjen në një kohë kur disa prodhues të tjerë të automjeteve luksoze kanë ngadalësuar planet për elektrifikim, duke reflektuar ngadalësimin e përgjithshëm të industrisë në kalimin nga motorët me djegie të brendshme drejt automjeteve elektrike, për shkak të kërkesës më të ulët se sa pritej.
Vitin e kaluar, “Ferrari” njoftoi se pret që automjetet elektrike të përbëjnë 20% të gamës së saj deri në vitin 2030, duke ulur objektivin e mëparshëm prej 40%.
