E martë, 20 Maj, 2025

Ensemvlera Zake: Me zemrën në Korçë dhe mendjen në zhvillim, për një politikë që dëgjon, vepron dhe sjell ndryshim të vërtetë, ja përse kërkoj mbështetjen me votë nga çdo qytetar për një mandat të dytë

Share

Nga Ensemvlera Zake

Angazhimin tim në politikë e konsiderova prej momentit të parë si obligim personal, qytetar, profesional, si një detyrim që ka çdokush që mund t’i japë kohë dhe angazhim publikes, njerëzve, ekonomisë, zhvillimit të sektorëve jetikë ne vend, institucioneve dhe ligjit.

Hyra dhe po qëndroj në politikë tejet këmbëngulëse dhe thellësisht e vendosur për të bërë brenda formacionit më të madh politik, Partisë Socialiste, jo thjesht dhe vetëm më të mirën time, mes dijes, profesionit dhe eksperiencës, por më të duhurën për Korçën dhe për Shqipërinë, me pikë referimi, fokus dhe busull orientimi individin, në suazën e një pune kolegjiale, mes bashkëpunëtorësh dhe qytetarësh me të cilët ndajmë të njëjtin vizion.

Një dekadë tani më, punësh të kryera me përkushtim, sfidash që kërkonin prej nesh të tejkalonim herë-herë vetveten, objektivash që na kërkonin të vendoseshim edhe në garë me kohën.

Ata që më kanë votëbesuar në vitin 2021, për të qenë përfaqësuesja e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, sot janë edhe më të bindur se kanë bërë përzgjedhjen e saktë, që kanë marrë vendimin e duhur dhe që kanë dërguar në trupën e legjislativit njeriun që detyrën e dhënë e shndërroi në mision.
Realisht, në këto 4 vite, të qënurit deputete, për mua ishte mision, obligim që vullnetshëm e kërkova dhe qytetarët ma dhanë bujarisht, për të bërë një Shqipëri më të prosperuar, me një ekonomi që shënon rritje dhe rekorde vit pas viti, me një qeverisje më pranë standarteve të BE-së, për të bërë gjithashtu një Korçë realisht europiane.

Dhe ja kemi arritur edhe pse kudo ku punohet, kërkesa e llogarisë është edhe më e madhe dhe marzhi për pasaktësi rritet.
Kemi punuar fort, por ka ende shumë për t’u bërë, ka segmemte ku duhet dhënë edhe më shumë vëmendje, ka sektorë ku na rezulton edhe ndonjë vakum në funksion, por që edhe kjo është kthyer në një dije më shumë për përmirësim.
Një gjë është e sigurtë, kemi punuar shumë dhe kemi punuar të koordinuar dhe me plan të mirëdetajuar në të gjitha nivelet, kemi reflektuar pa vonesa kudo ku sistemi ka kërkuar reformim dhe riformatim, si përsa i përket legjislacionit, po ashtu edhe përsa i përket funksionit, burimeve humane dhe ndërhyrjeve në terren, kdaj dhe kemi sjellë rezultate të prekshme.

Tek mua personalisht politika nuk është teori abstrakte, por është dhe do të mbetet praktikë sociale që eksploron themelet morale dhe logjike të saj, e destinuar për ta vënë në dispozicion të çdo shqiptari që më ka votëbesuar dhe të çdo shqiptari që edhe pse nuk më ka votuar, pret që unë si e zgjedhur, të përmbush dhe përligj përgjegjësinë politike të dhënë me votë në një sistem demokratik.

E drejta, drejtësia dhe kontrata sociale në pushtetin politik që na jepet me votë, është një marrëveshje midis qytetarëve dhe nesh si të zgjedhur, si dhe qeverisë, për të ruajtur sigurinë dhe të drejtat.
Unë nga pozicioni i deputetes, Sekretares së Grupit Parlamentar të Partisë Pocialiste, Nënkryetares së Komisionit te Auditimit Publik, Sekretares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Anëtares së Komisionit të Edukimit dhe Medias, kam punuar dhe do të punoj pareshtur për të përmbushur këtë kontratë me qytetarin.
Unë besoj thellësisht se pushteti i vërtetë buron nga veprimi kolektiv dhe pjesëmarrja aktive e qytetarëve. Dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve e mundësojmë ose jo, ne, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e tij në pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv.

Dhe siç thoshte edhe Fuko, “pushteti nuk është vetëm në shtet, por është i përhapur nëpër institucione dhe diskurse”.
Ndërkohë që Habermas do të shkruante se: “komunikimi dhe sfera publike mund të çojnë në emancipim, zhvillim”.

Filozofia ime politike ka qenë që në momentet e para të aktivitetit tim politik, që të mos u ofroj qytetarëve thjesht dhe vetëm ‘përgjigje’, por më shumë ‘mjete kritike’ për të analizuar situatën ku ndodhemi, terrenin ekzistues socio-ekonomik dhe për të imagjinuar alternativa zgjidhjeje për më shumë progres dhe prosperitet. Filozofia ime politike më fton orë e çast në reflektim mbi parimet themelore që duhet të udhëheqin jetën dhe aktivitetin tonë të përbashkët social dhe politik.

Politika e vërtetë nuk është arti i pushtetit, por arti i shërbimit. Një lider i mirë nuk ndjek rrugën më të lehtë, por udhën më të drejtë, edhe kur askush nuk e kupton, edhe kur askush nuk e vë re.

Në këto 4 vite në Parlamentin e shqiptarëve kam bërë maksimumin për të ngritur, shtuar dhe parashtruar çështje dhe problematika për zgjidhje, kam sugjeruar përmirësime ligjore dhe kam propozuar ligje të reja dhe adekuate për legjislacionin shqiptar, atje ku kam ndjerë se ka patue vakuam ligjor, kam qenë në çdo seancë parlamentare dhe komisione parlamentare për t’i bërë Korçën dhe korçarët prezent dhe të zëshëm në çdo ditë të jetës parlamentare të vendit.

Kërkoj mbështetjen me votë, nga çdo qytetar i Qarkut të Korçës, për ta përfaqësuar denjësisht në legjislaturën parlamentare 2025-2029, me bindjen se përfaqësimi im atje, konsolidon atë se:
Ku ligji dhe drejtësia bëhen FJALA, atje Parlamenti është zëri i kombit, atje nuk flasin partitë por interesat e tij.

Shënim:  Ensemvlera Zake është deputete e PS-së e Qarkut Korçë në Kuvendin e Shqipërisë dhe kandidate për deputete e PS në zgjedhjet e 11 majit.

Te tjera

Lajme te tjera