E shtunë, 18 Prill, 2026

Endri Shabani: Kurrë koalicion me Edi Ramën, Sali Berishën apo Ilir Metën, janë arkitektët e korrupsionit 30-vjeçar, ja si do t’i çmontojmë nga sistemi njëherë e mirë dhe pse qytetarët duhet të votojnë për koalicionin ‘Shqipëria Bëhet’ më 11 maj

Share

“30 vite tranzicion, 30 vite kapje të shtetit nga të njëjtët njerëz”. Me këtë mesazh të prerë, Endri Shabani, një nga zërat më kritikë dhe të drejtpërdrejtë të politikës së re shqiptare, godet fort klasën e vjetër politike. Në një kohë kur vendi ndodhet përpara zgjedhjeve vendimtare, Shabani në një intervistë ekskluzive për gazetën “Sot” shpërfaq me emra përgjegjësit për korrupsionin sistemik dhe paralajmëron fundin e një epoke të zhytur në arrogancë dhe pandëshkueshmëri. Ai deklaron qartë se Nisma Thurje nuk do të bëhet kurrë pjesë e lojës me Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët i konsideron simbol të kapjes së shtetit. Me tone të forta, ai shpalos planet pas 11 majit për të çmontuar sistemin e vjetër nga brenda Kuvendit dhe për të instaluar një rotacion të vërtetë brezash, me ndihmën e qytetarëve dhe të ndërkombëtarëve.

-Zoti Shabani, si e komentoni kontratën e lobimit të Sali Berishës prej 6 milionë dollarësh në SHBA? Sa shanse ka që Z. Berisha t’i hiqet “non-grata”?

Ndërkohë që anëtarët e partisë së tij kanë 12 vite në opozitë, shumë prej tyre pa punë për shkak të bindjeve politike, Berisha shpenzon 6 milionë dollarë për të bërë PR për vete. Kjo tregon jo vetëm shkëputjen e tij nga realiteti dhe nga hallet e mbështetësve të tij, por edhe arrogancën e një politikani që mendon se votat fitohen me lobistë në Amerikë dhe jo me punë të ndershme në Shqipëri. Më bën përshtypje që Berisha nuk e paska kuptuar ende që zgjedhjet nuk vendosen nga fotot në Amerikë, por nga votat në Shqipëri.

-Ju keni dorëzuar disa kallëzime në SPAK për afera të mëdha korruptive të kësaj qeverie. A ka ndonjë zhvillim konkret në hetime?

Po, padyshim që ka zhvillime dhe janë shumë konkrete. Dy ministra të Ramës janë sot në burg për shkak të kallëzimeve të Nismës. Erion Veliaj është nën hetim për çështje që ne e kemi denoncuar në SPAK. Biznesmenë të fuqishëm që vidhnin lekët e ilaçeve nëpër spitale flenë sot në burg prej denoncimeve tona në SPAK. Ne kemi denoncuar aferën e sterilizimit, Portin e Vlorës, projektet strategjike, dhe faljen e tokës në bregdet, ku përfshihet edhe një nga njerëzit më të pasur të vendit: Samir Mane. Hetimi për këto çështje vazhdon.

-Edi Rama ka qenë përçmues ndaj partive të reja, duke i quajtur “qesharake” apo “parti si LSI-ja dikur”. Si i lexoni këto sulme dhe çfarë e shqetëson realisht kreun e qeverisë nga lëvizja juaj politike, duke qenë se jemi disa ditë para zgjedhjeve të 11 majit?

Kur një kryeministër që ka 11 vite në pushtet flet çdo ditë për një parti të re, ai nuk po flet nga pozita e forcës, por nga pozita e frikës. Edi Rama e di shumë mirë që ne nuk jemi si LSI. Po të ishim, do të kishim bërë pazar me kohë. Problemi i tij është se këtë herë përballë ka dikë që nuk hyn në parlament për tu bërë pjesë e lojës, por për t’i dhënë fund lojës me interesat e shqiptarëve. Ai e kupton që karrierës së tij politike po i vjen fundi, dhe kjo është arsyeja pse pasi na injoroi, tani na sulmon me çdo mënyrë.

-Nëse pas zgjedhjeve lind nevoja për bashkëpunime parlamentare, a jeni të gatshëm të bashkëpunoni me PS apo PD? Ka ndonjë vijë të kuqe për ju në këtë drejtim?

Ne nuk hyjmë në Parlament për t’u bërë pjesë e lojës. Për pasojë nuk do të bëjmë kurrë koalicion me Edi Ramën, Sali Berishën apo Ilir Metën. Këto janë figurat që simbolizojnë kapjen, korrupsionin dhe vjedhjen e Shqipërisë për 30 vjet me radhë. Përtej tyre, mund të ketë një rebelim të vërtetë në Kuvend, me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe të një shumice të re që do t’i japë këtij vendi jo vetëm një qeveri të re, por një rotacion brezash në politikë.

-Pse qytetarët duhet të votojnë koalicionin “Shqipëria Bëhet”? Çfarë e bën ofertën tuaj të ndryshme dhe më të besueshme se premtimet e zakonshme të politikës shqiptare?

Janë tre arsye të qarta:

E para, sepse jemi një koalicion me parti të reja, me individë të rinj. Ne nuk jemi fraksion i një partie të vjetër, siç ka ndodhur shpesh në Shqipëri. Ne përfaqësojmë një shkëputje të qartë nga e shkuara dhe mendësia e vjetër politike. Për këtë arsye jemi bërë bashkë në një koalicion të të rinjve. Për këtë arsye ne kemi zgjedhur të garojmë me lista të hapura dhe të mos kemi lista të sigurta si partitë e vjetra apo disa parti të reja.

E dyta, sepse kemi treguar qëndrueshmëri. Nisma është krijuar në 2021 dhe jemi e vetmja forcë e re që ka mbijetuar nga ato zgjedhje. Në një kohë që shumë të rinj janë thyer dhe dorëzuar përpara pushtetit, ne kemi treguar qëndrueshmëri dhe këmbëngulje për të mos u dorëzuar deri sa të arrijmë transformimin rrënjësor të Shqipërisë.

E treta, sepse kemi treguar guxim. Siç thotë fjala e urtë: Zgjuarsia dallohet në kuvend, guximi dallohet në betejë. Ne nuk jemi si ata që kanë vetëm fjalë. Ne kemi kallëzuar njerëzit më të fuqishëm të këtij vendi, për të dhënë një mesazh që beteja jonë është serioze dhe ne nuk bëjmë asnjë hap pas. Asnjë forcë tjetër politike as të re, as të vjetër, nuk ja ka dalë të largojë kaq shumë ministra nga kabineti se sa ne. Prandaj duam të shkojmë në parlament që ta çojmë këtë mision deri në fund, duke iu rikthyer shqiptarëve çdo qindarkë që iu është vjedhur.

-Shumë qytetarë pyesin: si do të mbrohet vota e tyre nëse “Shqipëria Bëhet” nuk ka komisionerë në të gjitha qendrat e votimit? A keni një strategji konkrete për të shmangur manipulimin e votës?

Ne kemi vëzhgues. I kemi pasur edhe në dy zgjedhjet e fundit dhe e dimë çfarë po bëjmë. Ata janë të trajnuar, të vendosur, dhe e kanë treguar në dy palë zgjedhje që dinë si të mbrojnë votën e shqiptarëve. Këtë herë po shkojmë edhe më tej. Po përdorim inteligjencë artificiale dhe teknologji për të shtuar një shtresë sigurie mbi procesin e votimit dhe numërimit. Çdo votë që hidhet në kuti do të skanohet, regjistrohet me video dhe ruhet. Për më tepër, për herë të parë SPAK është duke hetuar manipulimet në zgjedhje. Dhe le ta themi qartë: nëse ne nuk jemi frikësuar për të denoncuar në SPAK ministra, kryebashkiakë e oligarkë, mos të mendojë askush në administratën zgjedhore se do të rrimë duarkryq nëse dikush guxon të mendojë se mund ta tjetërsojë votën e votuesit tonë.

-Sa realiste është për ju të keni përfaqësim në Parlament në këto zgjedhje? Dhe cilat janë tre prioritetet konkrete që do të kërkoni të shtyni përpara nëse zgjidheni deputet?

Është plotësisht realiste. Në fakt është e qartë tani se ka më diskutim nëse do të jemi në Kuvend, por sa prej nesh do të hyjnë. Sepse çdo i ri që hyn në Parlament, zëvendëson një nga figurat e konsumuara të politikës së vjetër.

Tre nga prioritetet tona konkrete janë:

  1. Krijimi i një Tribunali të Posaçëm për çështjet e pronësisë. Ky tribunal do të japë zgjidhje të drejta dhe të shpejta për padrejtësitë masive që lidhen me pronën.
  2. Ligj për përgjegjësinë personale të drejtuesve të administratës publike që shkarkojnë në mënyrë të paligjshme nëpunës civilë. Kush abuzon me pushtetin, do të përgjigjet vetë, jo të fshihet pas institucionit.
  3. Kufizim i mandateve drejtuese në çdo sektor publik.

Shumë njerëz të zhgënjyer nga politika nuk votojnë më. Cila është thirrja juaj e fundit për ta? Pse duhet të rikthehen në kutitë e votimit më 11 maj?

Pushteti dhe klasa e vjetër politike do të donin që të rinjtë të thonë “ç’peshë ka vota ime? Këtu nuk ndryshon asgjë”. Ky sistem mbahet gjallë jo nga aftësia e pakicës, por nga heshtja e shumicës. Por këtë herë nuk është si herët e tjera, dhe zgjedhja nuk është mes të keqes dhe më të keqes m të vogël. Ka ardhur dita për të nisur një rrugë të re.  Prandaj vote jote më 11 maj nuk është vetëm një letër në kuti, por është një vendim që ka 4 vjet pasoja, prandaj mendojeni mirë dhe votoni për të rinjtë.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera