Deputeti demokrat dhe anëtari i Komisionit të Rithemelimit të PD, Edmond Spaho deklaroi se “Foltorja” nuk do të negociojë për asnjë çështje me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim duke kërkuar nga diplomatja amerikane që të respektojë funksionin e saj dhe të mos tejkalojë kompetencat. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Spaho bëri me dije se vendimi i Gjykatës së Tiranës i datës 25 mars për njohjen e ndryshimeve të statutit të PD, të miratuara nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, do të hyjë në fuqi javën e ardhshme. Pavarësisht se kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar nga Gjykata e Apelit të Tiranës shfuqizimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, deputeti i qarkut Korçë beson se kjo histori ka përfunduar. Lidhur me zhvillimet brenda selisë blu, pavarësisht përplasjeve të ashpra mes palëve, deputeti i opozitës theksoi se bashkimi i partisë ka filluar duke përmendur shtyrjen e datës së zgjedhjeve për strukturat e brendshme të PD. Për sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit të Shqipërisë, Spaho propozon që të ndryshohet Kushtetuta me qëllim që kreu i shtetit shqiptar të zgjidhet nga populli, në mënyrë që të ruhet balanca e pushteteve në vend.
-Enkelejd Alibeaj kërkoi anulimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës për njohjen e ndryshimeve të statutit të PD në 11 dhjetor ose rishqyrtimin e tij. Komisioni i Rithemelimit është i përgatitur që të vazhdojë këtë ballafaqim ligjor në gjykata apo njihni vetëm vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri ne 25 mars?
Për Komisionin e Rithemelimit ka votuar anëtarësia e Partisë Demokratike në Kuvendin e 11 Dhjetorit dhe referendumin e 18 Dhjetorit. Më pas, zgjedhësit e djathtë votuan në shumicë për të në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit. Gjykata ka bërë verifikimin e fakteve dhe realitetit dhe vendosi të regjistrojë statutin e PD, vendimet e Kuvendit të 11 Dhjetorit si dhe të njohë Komisionin e Rithemelimit si drejtues të Partisë Demorkatike. Sipas Kodit të Procedurës Civile, vetëm palët mund ta ankimojnë këtë vendim dhe pala e vetme sipas ligjit është Komisioni i Rithemelimit. Në përputhje me ligjin, javën tjetër vendimi hyn në fuqi dhe kjo çështje mbyllet njëherë e mirë. Kush nuk do ta kuptojë, është problem i tij.l
-Para disa ditësh në Shkodër, Lulzim Basha deklaroi se ka kryer gabime në drejtimin e PD, por jo faje. Ju si e gjykoni këtë deklaratë?
Varet nga definicioni i njërës dhe tjetrës. Për demokratët pavarësisht emrit, mosmarrja pjesë në Reformën Territoriale, “Çadra” dhe marrëveshja e majit 2017, djegia e mandateve dhe mosmarrja pjesë në zgjedhjet vendore i dhanë mundësi Ramës të marrë mandatin e dytë dhe të tretë duke na lënë në opozitë si asnjëherë tjetër. Përçarja që futi në PD duke përjashtuar z. Berisha me vendim personal dhe jo ligjor, gjithashtu i shërben Ramës. Për të gjitha këto, përgjegjësia është e tija, prandaj edhe u shkarkua nga funksioni i Kryetarit të Partisë Demokratike në Kuvendin e 11 Dhjetorit.
-Sot (dje) organizuat mbledhjen e Komisionit të Rithemelimit për zhvillimin e zgjedhjeve të brendshme në strukturat e PD. Komisioni do vazhdojë ende të organizojë mbledhje të veçuara nga pala tjetër e PD apo do ketë mbledhje të përbashkëta?
Komisioni i Rithemelimit është një. Ai ka përbërjen e tij dhe mandatin për të drejtuar Partinë Demorkatike deri në Kuvendin e 30 Prillit ku do të zgjidhet Këshilli Kombëtar dhe më pas organet e tjera drejtuese të Partisë Demorkatike. Në këtë mënyrë do vazhdojë të funksionojë deri sa të përmbyllë punën e tij sipas mandatit që ka marrë në Kuvendin e 11 Dhjetorit. Grupi parlamentar, i dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit të vitit të kaluar, u mblodh së fundi dhe do të mblidhet sa herë që kryesia e tij ta kërkojë këtë. about:blank
-Deri tani edhe ju edhe pala tjetër e Partisë Demokratike ende nuk keni hedhur një hap për bashkim. Duke parë qëndrimet e ditëve të fundit të të dyja palëve, mendoni se misioni i bashkimit të partisë është ende i mundshëm në këto kushte?
Është në interesin e gjithë demokratëve të jenë të bashkuar që të mundim Edi Ramën në zgjedhjet më të para. Si shenjë e vullnetit për bashkim, shtymë zgjedhjet për drejtuesit e degëve të Partisë Demorkatike, për kryesitë dhe sekretariatet e tyre deri në datën 27 Prill. Bashkimi është i mundur bazuar në votën e lirë dhe Mospërjashtimi e askujt. Çdo njeri që ka dëshirë dhe vullnet për të kontribuar në Partinë Demokratike është i mirëpritur.
-Ju si deputet keni ndonjë propozim për kandidat për president? Çfarë profili duhet të ketë ky kandidat për ju?
Unë mendoj që për të ruajtur balancat midis pushteteve, ka ardhur koha për të bërë ndryshime kushtetuese dhe presidenti të zgjidhet nga populli. about:blank
-I përjashtoni të gjitha mundësitë që të negocioni me ambasadoren Yuri Kim në të ardhmen?
Nuk mendoj se ka ndonjë çështje për të negociuar me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim. Gjërat bëhen më të lehta kur çdokush respekton pozicionin tjetrit dhe nuk ndërhyn në çështje që nuk i takojnë.
Intervistoi: Dario VELAJ