E shtunë, 3 Tetor, 2026

Edi Rama paralajmëron furtunë ndryshimesh në qeveri, iu mbyll derën e kandidimit në zgjedhjet e 2025 zyrtarëve të korruptuar dhe atyre që kanë llogari të hapura me SPAK, kryeministri sfidon amerikanët dhe shpërthen në sulme e akuza ndaj Gjykatës Kushtetuese

Share

Rigels Seliman

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime në qeveri, ndërsa iu ka mbyllur derën e kandidimit për në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 të gjithë zyrtarëve të lartë socialistë që janë përfshirë në afera korruptive e kriminale dhe që kanë llogari të hapura me drejtësinë (SPAK). Kryeministri Edi Rama ka folur dje në një intervistë në emisionin “Real Story” në “ABC News”, teksa theksoi se ministrat dhe ish ministrat, të cilët kanë rënë në pranga, tanimë janë në hallin e tyre dhe se kanë mbaruar punë me politikën dhe publikun. Rama u shpreh se pjesa më e madhe e tyre, kanë qenë të larguar nga qeveria, kur kanë filluar të kenë probleme me drejtësinë. Sipas kreut të qeverisë, ndryshimet e vazhdueshme në qeveri, janë kryer për të dhënë mesazhe të qarta. Ndërkohë kryeministri Edi Rama, e ka bërë edhe një herë të qartë se nuk do ta lëshojë Olta Xhaçkën. Ndonëse u shkel me të dyja këmbët vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për kreun e qeverisë nuk është ashtu. Rama u shpreh se mandati i Xhaçkës është gjykuar në Gjykatën Kushtetuese dhe se rasti i konfliktit të interesit, ka mbetur peng i një konflikti midis grupeve të opozitë. Por ai ka sulmuar gjykatën, duke thënë se ajo nuk dikton dot votën e deputetëve. Sipas kreut të qeverisë, nuk mund të urdhërohen deputetët sesi duhet të votojnë dhe shtoi se kjo nuk ka lidhje me reformën në drejtësi. Por duket se këtu Rama ka rënë brenda, pasi janë me qindra rastet kur ai ka urdhëruar deputetët që të votojnë në unison për ligje të caktuara. Ndërkohë kryeministri Rama sfidoi edhe amerikanët, kur theksoi se Reforma në Drejtësi është vepër e Partisë Socialiste. më poshtë gazeta “SOT”, po pasqyron një pjesë të intervistës së kryeministrit Edi Rama.

-Zoti Rama, ju përmendët ushtrinë, përmendët elementë që mund të jenë në komandën e përgjithshme të ushtrisë, përmendët tradhtarë, njerëz që abuzojnë dhe përfitojnë në këtë luftë ku ju e keni future edhe PS, ajo që vura re unë z. kryeministër është që javën e shkuar, në rastin e interpretimit të çështjes së mandatit të deputetes Xhaçka, mazhoranca mbajti një qëndrim i cili u interpretua si refraktar përballë drejtësisë së re. Të enjten e kaluar pata në intervistë kryetarin e Bashkisë Tiranës dhe udhëheqësin politik të të gjithë qarkut të Tiranës, z.Erion Veliaj, i cili foli për pendulumin e drejtësisë i cili ka shkuar, pak lart dhe që do duhet të regjistrohet me kalimin e kohës. Ka një riregjistrim edhe të mazhorancës, ndaj reformës në drejtësi dhe ndaj SPAK në veçanti?

Edhe një herë që të jemi shumë të qartë se është shumë e rëndësishme. Nuk kanë asnjë lidhje fare këto gjëra me njëra tjetrën. Rasti i vendimit për të votuar në parlament nga shumica nuk ka të bëjë fare, zero me Olta Xhaçkën. Rasti i konfliktit të interesit është gjykuar në gjykatë kushtetuese dhe në fund ka mbetur peng i një konflikti midis dy opozitave a tre opozitave, a shtatë opozitave sa janë, që kanë çuar për të njëjtën gjë dy ankesa të ndryshme, dhe gjykata kushtetuese në një farë mënyre ka dashur që ti japë përgjigje edhe njërës edhe tjetrës dhe ka sjellë për parlamentin një vendim të pazbatueshëm. Pse të pazbatueshëm? Për një arsye shumë të thjeshtë. Gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë ligjet që bën parlamenti për mos përputhje me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese nuk mund të urdhërojë se si votojnë deputetët, është e pamundur. Është teorikisht dhe teknikisht e pamundur. Sepse vota e çdo deputeti është sovrane.

-Dakord, por ju jeni kryetar i mazhorancës, ju mund t’i udhëzoni ata se si të votojnë…

Nuk ka lidhje kjo. Këtu flasim për një raport me shtetin

-Edhe unë për këtë ju pyeta, brenda mbështetjes që i keni dhënë reformës në drejtësi, mendoni se ka nevojë për axhustime?

Nuk ka lidhje fare kjo me reformën në drejtësi, kjo ka lidhje me një vendim të gjykatës kushtetuese që është i pazbatueshëm dhe është bërë një përpjekje e pafundme nga të gjithë personat përgjegjës në parlament nga ana jonë për të konsultuar ekspertë, konstitucionalistë, për të konsultuar ekspertë të jashtëm, ndërkombëtarë, si ta zbatojmë këtë vendim. Sepse kur Gjykata Kushtetuese merr përsipër të gjykojë një ligj që kalon parlamenti është në të drejtën e saj që të thotë ky ligj nuk përputhet me Kushtetutën dhe nuk diskutohet që ti duhet ta zbatosh. Por nëse Gjykata Kushtetuese, sjell një vendim në Parlament që thotë ma ço mua këtë ti kështu siç e kërkoj unë, kjo është jashtë mundësive sepse parlamenti është pushtet sovran dhe nuk e detyron dot askush as Gjykata Kushtetuese se si duhet të votojë. Gjykata Kushtetuese gjykon patjetër nëse Parlamenti voton në mënyrë të gabuar. Pra, nuk ka lidhje fare me personin.

-Më tepër ju pyeta sepse, z. Basha i cili formalisht mbetet kryetar i PD, ka akuzuar disa herë në dy javët e fundit se ju dhe Foltorja pas dakordësisë që keni arritur për normalizimin e jetës së Kuvendit, mund të fusni duar te reforma në drejtësi…

Tani, shiko, këto janë të gjitha lojëra që besoj se njerëzit i kuptojnë shumë mirë dhe është e kotë që të hyjmë dhe t’i marrim seriozisht.

-Jo, s’ka gjë mua më mjafton një Po dhe Jo…

Është e kotë që të hyjmë dhe t’i marrim seriozisht, pse? Sepse këtu secili përpiqet të bëjë lojën e vet. Njëri thotë këto, ça mund të thotë tjetër ai artist në këtë pjesëz të skenës që i ka mbetur për të recituar. Aq më tepër që sot është në kushtet kur nuk ka edhe suflerin edhe është pak si i humbur në natyrë edhe nuk arrin dot as të kalibrojë gënjeshtrat që i ka fiziologjike. Është në fiziologjinë e tij që të gënjejë sikur këndon, njësoj. Tjetri ngre një furtunë komplet pa lidhje me shpifje haluçinante..

-I referoheni akuzave ndaj vëllait tuaj?

Po çfarë mund të pritet tjetër, nga një çingije që hidhet nga prehri në prehër dhe spërdridhet për t’i dhënë kënaqësi padronit të radhës dhe për të marrë nga padroni i radhës pastaj atë vlerësimin e çingijes më të preferuar. Çfarë mund të bëjë tjetër, çfarë mund të presësh tjetër? Ndërkohë që ana serioze e gjithë kësaj është që pa PS nuk do kishte reformë në drejtësi dhe pa PS, nuk do kishte stabilitet në punën e SPAK. SPAK-u sot është një organizatë që ka mundësinë të punojë me stabilitet të plotë dhe është i sulmuar vetëm nga një segment i politikës që edhe ata nuk kanë çfarë.. ç’mund të bëjë tjetër për të mbijetuar aq sa mund të mbijetojë dikush që i ka hapësirat të kufizuara. Kështu që, në një hapsirë të kufizuar përpiqet të shpjegojë që ia kanë kufizuar hapësirën se këtu po bëhet në padrejtësi e madhe, një tjetër, hipën nëpër paralele, shtylla, hipën nëpër diga, për të treguar se di të fluturojë.. gjithsesi ai fluturon. Pra, është një situatë që është si rezultat i faktit që drejtësia e re po funksionon. Dhe për sa na takon ne, kemi shumë gjëra të tjera që mund të bëjmë padiskutim dhe që përpiqemi t’i bëjmë çdo ditë. Dëgjoja rastësisht dikë, një tjetër që e kishim harruar, që thoshte, qeverisja është në ditën më të zezë por nuk ka opozitë. Tani, nëse qeverisja, është në ditën më të zezë, në një Shqipëri e cila sot është në ditën e vet më të mirë dhe kjo nuk diskutohet sepse mjafton dhe tepron fakti që në Shqipëri pasi u arrit numri i 10 milionë turistëve vjet. Janar, shkurt, mars kemi 65 përqind më shumë turistë, dhe të gjithë këta vijnë në Shqipëri konsumojnë në Shqipëri, paguajnë netët, vënë në lëvizje një ekonomi të tërë që prek shumë e shumë njerëz dhe këtë e shohim te të ardhurat që vijnë nga taksat. Se të shohësh më shumë taksa pa i rritur taksat duhet të prodhohen më shumë para prej të cilave shteti të marrë taksën e vet. Atëherë nëse kjo është ditë e zezë, ditë të tilla të zeza paçim sa më shumë dhe nga ana tjetër dikush tjetër thoshte e shoh shumë të qetë Ramën dhe kupolën e PS megjithëse po i ikin njerëzit. Tani më vjen shumë keq, unë kuptoj se çfarë është pritur këtu, ça duhet të ndodhë këtu, që të bëhej një drejtësi e re që të konfirmonte që në gjithë ushtrinë e madhe të PS dhe në të gjithë këtë armatë të madhe funksionarësh të ishin të gjithë virgjëresha? Po atëherë pse e bëmë reformën në drejtësi ne? Për çfarë e bëmë reformën në drejtësi? Nëse do ishte kështu. Dhe e fundit për këtë është që, rrihet e këndohet ministrat e Ramës, ministrat e Ramës, po më fal një sekondë, unë kam 10 vjet në krye të qeverisë, 11 pothuajse në shtator, dhe çfarë më numërohet mua…

-Dhjetëra ministra, ish-ministra, kryetarë bashkie, nuk janë pak apo jo?

Po një minutë, se ky është një proces 10 vjeçar dhe këtu bëhet fjalë, se nuk dua fare t’i përmend ata njerëz sepse janë në hallet e tyre, dhe kanë mbaruar punë me mua dhe politikën dhe publikun, por bëhet fjalë për një numërim të caktuar që fillon ditën e parë, një. E dyta, pjesa më e madhe ose mos të tërë, kur kanë filluar të kenë probleme me drejtësinë, kanë qenë të larguar nga qeveria. Pra, kur më thua çfarë duhet të bëjmë ne, çfarë duhet të bëjmë ne faktikisht?

-Përshembull Erjon Veliaj thotë duhet të shtrojmë filtrat, pas goditjes së dytë që mori Bashkia e Tiranës nga SPAK…

Mos t’i hyjmë këtij diskutimi se çfarë thotë njëri e çfarë thotë tjetri, se po flasim bashkë këtu. Unë personalisht di që ne e para e punës, kur vjen puna për qeverinë, unë jam shumë i vëmendshëm dhe kam bërë ndryshime të vazhdueshme në qeveri, iu kam dhënë mesazhet e mia shumë të qarta të gjithëve. Kam dhënë mesazhe të qarta edhe me lëvizjet e qeverisë, edhe me veprimet të tjera që jo gjithmonë kanë qenë të lidhura me çështje që kanë patur të bëjnë me shqetësime të kësaj natyre dhe nga ana tjetër kemi vijuar të bëjmë reformim dhe ristrukturim dhe për këtë flasin shifrat. Vetëm numri i shërbimeve online që bëhen sot, tregon se sa shumë është ulur niveli i korrupsionit në marrëdhënien direkte qytetar-shtet një herë, vetëm ajo. E dyta, po të shikosh numrin e prokurimeve publike, po të shikosh shpërndarjen e fondeve publike me prokurime publike përsëri ka një shpërndarje shumë më të madhe në shumë më tepër duar të fondeve publike që tregon që ka shumë më tepër transparencë, shumë më tepër garë etj etj. Të gjitha këto janë procese, janë shtetndërtim, nëse do ishin të thjeshta, nëse do bëheshin menjëherë… Pra, që lufta me korrupsionin duhet të vazhdojë në të gjitha nivelet, kjo nuk diskutohet, që duhet të thellohet, kjo nuk diskutohet, që kur ka ngjarje të tilla njerëzit duhet të ndjehen të çliruar që u lehtësua një peshë që e kemi pasur në kurriz edhe që na ka rënduar edhe që nuk e kemi identifikuar dhe jo të krijohet e gjithë kjo zallamahi, por kësaj zallamahisë nuk kemi çfarë i bëjmë është pjesë e jetës politike.

Te tjera

Lajme te tjera