E enjte, 15 Tetor, 2026

Dy senatorët amerikanë që mbështetën ligjin kundër korrupsionit në Ballkan zbarkojnë në SPAK! Kush janë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, që kërkojnë institucione të forta dhe llogaridhënie për ata që kërcënojnë demokracinë?

Share

Vizita e dy senatorëve amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin në Prokurorinë e Posaçme nuk është thjesht një takim diplomatik. Përtej mbështetjes për SPAK, prania e tyre merr rëndësi të veçantë për shkak të rolit që kanë pasur në politikën amerikane kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.

Të shoqëruar nga ambasadori amerikan Eric Wendt, dy senatorët zhvilluan një takim me kreun e SPAK, Klodjan Braho, dhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta. Përmbajtja e bisedimeve nuk është bërë publike, por profili i delegacionit amerikan i jep vizitës një peshë të veçantë.

Jeanne Shaheen është një nga arkitektet kryesore të nismës Western Balkans Democracy and Prosperity Act, një dokument ligjor amerikan që synon forcimin e demokracisë, luftën kundër korrupsionit dhe vendosjen e sanksioneve ndaj individëve që cenojnë institucionet demokratike apo përfshihen në korrupsion në Ballkanin Perëndimor.

Nisma u prezantua fillimisht në vitin 2022, ndërsa dispozita të rëndësishme të saj u përfshinë më pas në legjislacionin federal amerikan. Ajo parashikon masa ndëshkuese ndaj personave të përfshirë në korrupsion dhe veprimtari që kërcënojnë stabilitetin e rajonit.

Në këtë përpjekje, Shaheen ka pasur në krah edhe senatorin Dick Durbin, një tjetër figurë me peshë në Senatin amerikan. Durbin ishte ndër mbështetësit e hershëm të nismës dhe ka mbajtur qëndrime të vazhdueshme për forcimin e sundimit të ligjit dhe përdorimin e sanksioneve ndaj individëve që kërcënojnë demokracinë dhe stabilitetin në Ballkan.

Të dy senatorët kanë mbështetur gjithashtu kërkesa konkrete për sanksione ndaj figurave politike në rajon, përfshirë Milorad Dodikun në Bosnjë-Hercegovinë.

Një ditë përpara vizitës në SPAK, Shaheen foli në Tiranë për rëndësinë e institucioneve të besueshme, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit. Ajo theksoi se zhvillimi ekonomik nuk mund të mbështetet te marrëveshjet politike dhe lidhjet personale, por te konkurrenca e ndershme dhe respektimi i ligjit.

Në këtë kontekst, prania e Shaheen dhe Durbin në zyrat e Prokurorisë së Posaçme merr një domethënie që shkon përtej protokollit diplomatik.

Dy ligjvënës që kanë mbështetur forcimin e mekanizmave amerikanë kundër korrupsionit në Ballkan zgjodhën të takohen drejtpërdrejt me drejtuesit e institucionit që heton korrupsionin e nivelit të lartë në Shqipëri.

Për politikën shqiptare, kjo vizitë është një sinjal i fortë se lufta kundër korrupsionit dhe mbështetja për SPAK mbeten në vëmendjen e Uashingtonit. Ndërsa për zyrtarët që përballen me hetime, ajo është një kujtesë e peshës që Shtetet e Bashkuara i japin ndëshkimit të korrupsionit dhe pavarësisë së drejtësisë.

Te tjera

Lajme te tjera