E diel, 20 Prill, 2025

Dua Lipa merr nënshtetësinë shqiptare, lajmi jehonë në mediat ndërkombëtare

Share

Këngëtarja me famë ndërkombëtare Dua Lipa ka marrë nënshtetësinë shqiptare. Dua u prit sot në Presidencë nga kreu i shtetit Bajram Begaj, i cili i dorëzoi edhe shtetësinë shqiptare.

Në fjalën e tij, Begaj vlerësoi arritjet e Duas në skenën ndërkombëtare që ka bërë krenare Shqipërinë dhe Kosovën. Pavarësisht suksesit të saj, Begaj tha se Dua është një vajzë e thjeshtë që është shembull për të gjithë të rinjtë shqiptarë.

“Është kënaqësi e veçantë që sot presim artisten e madhe Dua Lipa. Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Rinia shqiptare ju ka shembull dhe ju keni treguar se ëndrrat arrihen duke punuar gjithnjë e më shumë. Ti i ke bërë të gjithë shqiptarët bashkë! Ndaj kam kënaqësinë t’ju jap shtetësinë shqiptare”, u shpreh Presidenti Begaj.

Përgjatë ceremonisë së betimit si shtetase shqiptare, kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj tha se Dua Lipa ka qenë një ambasadore e mirëfilltë e vlerave shqiptare në botë. Veliaj vlerësoi Dua Lipën për thjeshtësinë e saj. 

“Të falenderoj që ke mbetur e thjeshtë, sepse e ke kthyer kokën pas, për të kuptuar se sado larg shkon, rrënjët e tua janë këtu, dashurinë e madhe për Shqipërinë e Kosovën nuk e ke fshehur kurrë”, tha Veliaj.

Për yllin e muzikës botërore, Dua Lipa ky është një moment gëzimi i papërshkrueshëm.

“Faleminderit shumë! Është një gëzim i papërshkrueshëm dhe një nder shumë i madh. Jam shumë e emocionuar nga mikpritja, dashuria, mbështetja. Mezi pres koncertin e nesërm”, pohoi Dua Lipa.

Dua ndodhet në Tiranë me rastin e festave të nëntorit, e cila do të mbajë edhe një koncert falas në sheshin ‘Skëndërbej’ me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë.

Një yll i muzikës botërore tashmë, Dua Lipa lindi në Londër në 22 gusht 1995 në një familje shqiptare nga Kosova. Ajo u shkollua mes Londrës dhe Prishtinës, ku familja e saj u vendos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Talenti i lindur dhe përkushtimi për botën e muzikës dhe artit e ndihmoi të ngjiste me guxim dhe vendosmëri shkallët e karrierës artistike që në moshë të re.  Tashmë ajo numëron shumë çmime e vlerësime për kontributin e saj në muzikë dhe art, përfshi këtu edhe tre çmime Grammy.

Ndjeshmëria e saj për çështjet sociale në vende të ndryshme të botës e ka angazhuar Dua Lipën pranë UNICEF-it, në mbështetje të fushatave për të drejtat e fëmijëve.   Pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, Lipa u kërkoi adhuruesve të saj mbështetje dhe donacione si dhe organizoi një fushatë të mbledhjeve të fondeve bashkë me stilistë shqiptarë, të ardhurat e të cilës shkuan për familjet e viktimave të tërmetit.

Ndërkohë edhe mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë lajmit se artistja me famë botërore Dua Lipa ka marrë nënshtetësinë shqiptare.

Te tjera

Lajme te tjera