E martë, 20 Maj, 2025

Dritë jeshile për hapjen e negociatave, Paskal Milo paralajmëron qeverinë: Mos i ngrini gotat e shampanjës, tani fillon një etapë kushtëzimesh

Share

Miratimi i propozimit francez nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i hap rrugën hapjes së negociatave për të dhe për Shqipërinë. Megjithatë, për ish-ministrin e Jashtëm, Paskal Milo, pavarësisht se mund të cilësohet arritje, ky moment shënon hyrjen në një etapë të re, që e vë vendin para kushtëzimeve shumë serioze. Paskal Milo shprehet se ky moment duhet festuar, por një festë sipas tij e maturuar.

“Në një përqindje të madhe politika e ka ngadalësuar këtë proces pasi shpesh janë sakrifikuar standardet e kërkuara. Jo gjithnjë janë respektuar standardet, jo gjithmonë është ecur me frymën evropiane. Duhet të pranojmë se erdhi dita për të hapur negociatat. Duhet festuar, por një festim i maturuar”, u shpreh Milo. Ish-ministri i Jashtëm shprehet se ky është  fillimi i një etape të dytë që e vë Shqipërinë para kushtëzimeve shumë serioze. Ai tha se ka një numër shumë të madh çështjesh që vendi ynë do të hasë shumë problematika.  “Ajo që ndodhi është një arritje, por njëkohësisht është fillimi i një etape të dytë që e vë Shqipërinë para kushtëzimeve shumë serioze. Negociatat do të jenë tepër profesioniste, standardet duhet të plotësohen në detaje. Nuk duhet të ngremë gotat e shampanjës se Shqipëria u pranua në BE. Është fillimi i një etape të dytë. Ka një numër çështjesh që do të diskutohen në vijim”, tha Milo.

Gjithashtu sipas tij, të gjitha qeveritë e kanë përdorur Integrimin për të bërë fushatë dhe për të marrë vota. Sipas tij, është bërë shumë pak në plotësimin e kushteve që kanë vendosur ndërkombëtarët. Kujtojmë këtu, këresën kryesore të Bashkimit Evropian, atë të Reformës në Drejtësi. Korrupsioni ende mbizotëron në Shqipëri dhe shumë pak është bërë për ta luftuar atë. “Integrimi është përdorur gjithmonë për të fituar zgjedhjet, por është bërë pak për të plotësuar standardet. Megjithatë duhet të jemi realistë. Është bërë një punë e madh dhe nuk duhet mohuar”, përfundoi Paskal Milo.

Te tjera

Lajme te tjera