Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim me drejtorin e Akademisë së Policisë italiane, Mario Viola, gjatë vizitës së tij zyrtare në Itali. Në qendër të diskutimeve ishte zgjerimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve, me fokus formimin profesional, trajnimet e specializuara dhe shkëmbimin e ekspertizës.
I shoqëruar nga delegacioni shqiptar, kreu i Policisë së Shtetit vizitoi ambientet e Akademisë së Policisë italiane, ku u njoh me përvojën dhe programet e formimit të punonjësve të policisë.
Gjatë takimit, Hita vlerësoi marrëdhëniet mes institucioneve policore të dy vendeve, duke theksuar se përgatitja profesionale dhe integriteti i efektivëve janë thelbësore për modernizimin e Policisë së Shtetit.
“Një polici profesionale dhe moderne ndërtohet mbi përgatitjen cilësore, integritetin dhe aftësitë e punonjësve të saj. Për këtë arsye, zhvillimi i Akademisë së Sigurisë është një nga prioritetet e mia”, deklaroi Hita.
Kreu i Policisë së Shtetit shprehu gjithashtu interesin për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet italiane të arsimit policor, përmes iniciativave që synojnë përmirësimin e aftësive profesionale të efektivëve shqiptarë.
“Synimi ynë është të zgjerojmë bashkëpunimin me institucionet tuaja arsimore përmes programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimit të pedagogëve dhe ekspertëve, trajnimeve të specializuara”, u shpreh ai.
Ndërkohë, drejtori i Akademisë së Policisë italiane, Mario Viola, vlerësoi hapat e ndërmarrë nga Akademia e Sigurisë në Shqipëri, duke përmendur akreditimin e saj dhe marrëveshjet e bashkëpunimit me institucione homologe në Evropë, rajon dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Viola konfirmoi se pala italiane do të vijojë mbështetjen për Akademinë e Sigurisë, përmes ofrimit të literaturës profesionale, zhvillimit të trajnimeve dhe bashkëpunimit në programet Master.
Në takim mori pjesë edhe rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro, i cili falënderoi drejtuesit italianë për kontributin e tyre në zhvillimin akademik dhe profesional të institucionit shqiptar.
Mandro theksoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit në programin Master “Hetimi i Krimit”, si dhe në shkëmbimin e lektorëve, organizimin e trajnimeve dhe ndarjen e përvojave në fushën e policimit në komunitet.
Takimi u përqendrua te mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në arsimin policor, me synim rritjen e profesionalizmit të efektivëve dhe përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.
