Shqipëria nuk ia del në “Air Albania”. Kuqezinjtë zhgënjejnë tifozët, pasi janë mposhtur me rezultatin 1-2 nga Ukraina.
Në minutën e 5, djemtë e drejtuar nga Silvinjo e panë veten në disavantazh. Gjuajtja e parë në portë solli golin e miqve! Pas një topi të kthyer nga mbrojtja, Zinçenko i vetëm tund rrjetën.
5 minuta më vonë, tanët pësuan edhe golin e dytë. Këtë herë ishte Jaremçuk, i cili shtyu topin lehtësisht në rrjetë.
Shqipëria ngushtoi diferencën në minutën e 75 me Nedim Bajramin, i cili u tregua i saktë nga pika e penalltisë, por goli i tij vlejti vetëm për statistikë.
Ukraina vazhdon të rezultojë “macja e zezë e kuqezinjve, pasi në 8 duelet e luajtura mes tyre, 6 janë fituar nga Ukraina, me Shqipërinë që ia ka dalë vetëm në një rast të sigurojë fitoren, teksa në një tjetër sfidë gjithçka është mbyllur në barazim.
Fitorja e parë dhe e vetme deri tani e skuadrës sonë është para dy muajsh, ku kuqezinjtë triumfuan 2-1 ndaj ukrainasve në transfertë, takim i vlefshëm për Ligën e Kombeve.
Kuqezinjtë përballë ukrainasve kanë pësuar 15 gola, ndërsa kanë mundur të shënojnë vetëm 6. Statistika këto që tregojnë se Kombëtarja e drejtuar nga Silvinjo nuk ka rrugë tjetër veçse fitores.
Me këtë humbje, Shqipëria zbret në vendin e fundit në grup me 7 pikë. Grupi kryesohet nga Çekia me 11 pikë, e ndjekur nga Ukraina në vendin e dytë me 8 pikë, ndërsa Gjeorgjia dhe Shqipëria renditen në vendin e fundit me 7 pikë. Kuqezinjtë zbresin në Ligën C.
Në ndeshjen tjetër të grupit B1 në Ligën e kombeve, Çekia ka triumfuar në shtëpinë e tyre me rezultatin 2-1.