E hënë, 23 Nëntor, 2026

Dosjet e Metës, Kryemadhit dhe Berishës hyjnë në një fazë delikate, një detaj mund të ndryshojë gjithçka, nga “efekti domino” te prova që mund të rrëzojë akuzën, avokati Edmond Petraj zbërthen skenarët që mund të tronditin betejën me SPAK

Share

Dosjet e Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe Sali Berishës përballen me një pikë të fortë prove, ndërsa beteja në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe Gjykatën e Posaçme (GJKKO) nuk zhvillohet më vetëm rreth akuzave, por mbi ligjshmërinë dhe forcën e provave që i mbajnë ato në këmbë. Nëse një pjesë e provave kryesore shpallet e papërdorshme, pyetja që ngrihet është se çfarë mbetet më pas në dosje dhe nëse rrëzimi i një hallke mund të sjellë efekt domino mbi pjesën tjetër të akuzës. Avokati Edmond Petraj analizon gjatë një interviste për gazetën “SOT” pikërisht këtë betejë, duke shpjeguar se sa e rëndësishme është mënyra se si janë marrë, administruar dhe ekspertuar provat, veçanërisht materialet digjitale dhe komunikimet telefonike. Sipas tij, nëse provat e kundërshtuara janë periferike, dosja mund të vijojë të qëndrojë mbi prova të tjera të pavarura, ndërsa nëse ato janë prova që lidhin personat, komunikimet, transaksionet dhe veprimet konkrete mbi të cilat është ndërtuar akuza, përjashtimi i tyre mund të shkaktojë efekt domino.

-Avokat Petraj, mbrojtja e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit po kërkon të shpallen të papërdorshme një pjesë e provave kryesore të SPAK. Mendoni se kemi të bëjmë me një strategji normale procedurale apo me një përpjekje për të rrëzuar të gjithë dosjen? Sa i fortë mendoni se është pozicioni i SPAK përballë këtyre pretendimeve? 

Beteja për provat është testi i vërtetë për SPAK dhe mbrojtjen. Mbrojtja e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit po kërkon që një pjesë e provave kryesore të SPAK të shpallen të papërdorshme. A është kjo një strategji normale procedurale apo një përpjekje për të rrëzuar të gjithë dosjen? Mendoj se kemi të bëjmë me të dyja. Është, së pari, një strategji krejt normale procedurale. Mbrojtja ka të drejtë dhe detyrim profesional të kundërshtojë çdo provë mbi të cilën mbështetet akuza, nëse pretendon se ajo është marrë, administruar, ekspertuar ose përdorur në kundërshtim me ligjin. Por, në të njëjtën kohë, është e qartë se kjo mund të jetë edhe një përpjekje strategjike për të goditur themelet e dosjes. Në një proces penal nuk ka rëndësi vetëm sa prova ka prokuroria. Rëndësi ka se cilat prova mbajnë peshën kryesore të akuzës. Nëse provat që kundërshtohen janë periferike, përjashtimi i tyre nuk e rrëzon domosdoshmërisht çështjen. SPAK mund të ketë prova të tjera të pavarura që e mbajnë akuzën në këmbë. Por nëse bëhet fjalë për prova që lidhin personat, komunikimet, transaksionet dhe veprimet konkrete mbi të cilat është ndërtuar logjika e akuzës, atëherë situata ndryshon ndjeshëm. Përjashtimi i një prove kyçe mund të shkaktojë efekt domino. Mund të këputet një hallkë e zinxhirit provues dhe, bashkë me të, të dobësohen edhe konkluzionet që janë ndërtuar mbi të. Prandaj kjo nuk është thjesht një “manovër procedurale”. Është një betejë për arkitekturën e provës. Problemi nuk është avokati tani problemi jane provat. Avokati nuk ka për detyrë t’ia bëjë më të lehtë punën prokurorisë. Detyra e mbrojtjes është të pyesë:

  • Ku u mor prova? Si u mor?
  • Me çfarë autorizimi?
  • Si u ruajt?
  • Kush e administroi?
  • A është e plotë?
  • A është autentike?
  • A është e pandryshuar?
  • A është interpretuar në kontekstin e saj të plotë?

Nëse përgjigjet janë të qarta, SPAK nuk ka pse të shqetësohet. Nëse nuk janë të qarta, atëherë problemi nuk është avokati. Problemi është prova. Sidomos për materialet digjitale dhe komunikimet telefonike, konteksti është thelbësor. Një fjali e shkëputur mund të duket si një provë e fortë. Por komunikimi i plotë mund të japë një kuptim krejt tjetër. Drejtësia penale nuk mund të ndërtohet mbi fjali të zgjedhura sipas nevojës së njërës palë. POR AJO TË CILËN DUAM TË. DIMË ËSHTË, SE SA I FORTË ËSHTË PROFESIONALISHTSPAK? Pozicioni i SPAK është i fortë vetëm nëse prokuroria arrin të demonstrojë se provat janë marrë, administruar dhe ekspertuar në mënyrë të ligjshme dhe se ato kanë vlerë provuese të pavarur. Emri i institucionit nuk e bën një provë të ligjshme. Autoriteti i SPAK nuk zëvendëson standardin e provës. SPAK duhet të mbrohet me provat që ka, jo me peshën institucionale që përfaqëson. Nga ana tjetër, as pretendimi i mbrojtjes nuk e bën automatikisht një provë të papërdorshme. Mbrojtja duhet të argumentojë konkretisht se ku qëndron shkelja dhe gjykata duhet të vendosë mbi aktet. Kjo është pikërisht ajo që duhet të ndodhë në një proces normal penal. Prokuroria duhet të provojë. Mbrojtja duhet të kundërshtojë. Gjykata duhet të vendosë.

-A po përpiqet mbrojtja të rrëzojë të gjithë dosjen…

Po, kjo mund të jetë një nga objektivat e saj strategjike. Por kjo nuk është as e jashtëzakonshme dhe as e paligjshme. Çdo mbrojtje serioze përpiqet të godasë provat kryesore të akuzës. Pyetja reale është tjetër: Nëse këto prova hiqen nga dosja, çfarë mbetet? Nëse mbetet një trup i fortë, i pavarur dhe i ligjshëm provash, SPAK nuk ka pse të shqetësohet. Nëse pa këto prova akuza humbet lidhjet kryesore dhe mbetet kryesisht mbi indicie, atëherë kemi një problem serioz për prokurorinë. Dhe ky është testi që duhet të bëjë gjykata. JO DREJTËSI PËR METËN. JO DREJTËSI KUNDËR Metës. Kjo çështje duhet parë pa tifozllëk politik. Nuk duhet të kemi drejtësi për Metën. Nuk duhet të kemi drejtësi kundër Metës. Duhet të kemi drejtësi përmes ligjit. Nëse Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë fajtorë, kjo duhet të provohet me prova të ligjshme, të verifikueshme dhe bindëse. Nëse nuk janë fajtorë, duhet të shpallen të pafajshëm. Por nuk mund të pranohet kurrë logjika se një provë është e vlefshme thjesht sepse është administruar nga SPAK. Në shtetin e së drejtës, asnjë institucion nuk është mbi ligjin dhe asnjë provë nuk është mbi kontrollin gjyqësor. Në fund nuk duhet të fitojë as SPAK, as Meta, as Kryemadhi. Duhet të fitojë prova e ligjshme. Sepse një dosje penale nuk bëhet e fortë nga numri i faqeve, nga pesha politike e personave që gjykohen apo nga zhurma publike që rrethon çështjen. Bëhet e fortë vetëm kur, pasi hiqet çdo provë e paligjshme ose e papërdorshme, ajo që mbetet është ende e mjaftueshme për të provuar akuzën. Dhe ky është testi i vërtetë. Jo kush ka dosjen më të madhe. Jo kush ka zërin më të fortë. Por kush ka prova që qëndrojnë përballë ligjit.

-Si e vlerësoni situatën e Sali Berishës përballë SPAK-ut? A mendoni se hetimet ndaj tij mund të çojnë në masa apo pasoja të tjera ligjore, apo në këtë fazë është ende herët për të folur për një skenar të tillë?

Situata e Sali Berishës përballë SPAK-ut është serioze dhe nuk duhet relativizuar më me argumentin e vjetër se “kjo është luftë politike”. Kjo tezë mund të funksionojë në konferenca shtypi, në mitingje apo në retorikën e partisë, por nuk është argument juridik. Berisha duhet të kuptojë një gjë shumë të thjeshtë: të jesh lider politik, ish-kryeministër apo themelues i një force politike nuk të jep imunitet nga drejtësia. Për shumë vite në Shqipëri politika ka funksionuar mbi një kulturë të rrezikshme: pushteti prodhonte mburojë, ndërsa përgjegjësia shtyhej pafundësisht. Kjo kohë duhet të marrë fund. Nëse ndaj Berishës ekzistojnë prova për vepra penale, ai duhet të përgjigjet para drejtësisë si çdo qytetar tjetër. Jo sepse është Berisha, por pikërisht sepse nuk duhet të jetë më askush mbi ligjin. Dhe këtu qëndron problemi më i madh i retorikës së tij. Sa herë që drejtësia prek një politikan, ai tenton ta shndërrojë çështjen juridike në një betejë politike. Por pyetja që duhet t’i bëhet është shumë më e thjeshtë: Në vend që të sulmosh prokurorët, pse nuk përballesh me provat? Nëse provat janë të pavlefshme, rrëzoji në gjykatë. Unë do ta shihja situatën e Sali Berishës me shumë më tepër seriozitet sesa një përplasje politike mes liderit të opozitës dhe SPAK-ut. Këtu nuk kemi më thjesht një konflikt politik. Kemi një proces penal që duhet të matet me prova, ligj dhe vendime gjykate. Berisha tashmë ka kaluar nga faza e një hetimi abstrakt në një situatë ku ndaj tij janë vendosur masa sigurie dhe ku është kërkuar të paraqitet pranë SPAK-ut. Pra, nuk jemi në pikën ku mund të themi se “është ende shumë herët për të folur për pasoja ligjore”. Historia e këtij procedimi ka prodhuar tashmë pasoja konkrete procedurale. Por kjo nuk do të thotë automatikisht se fundi do të jetë një dënim. Ky është pikërisht dallimi që duhet të bëjmë në një shtet të së drejtës: masa e sigurimit, hetimi, akuza dhe dënimi janë katër gjëra të ndryshme. SPAK duhet të provojë fajësinë, jo thjesht të krijojë dyshimin. Dhe sa më i rëndësishëm politikisht të jetë personi që hetohet, aq më i lartë duhet të jetë standardi i kujdesit juridik dhe institucional. A mund të ketë masa të tjera? Po, mundësia ekziston, nëse gjatë hetimit dalin prova të reja ose nëse plotësohen kushtet ligjore për ndryshimin e masës së sigurimit. Por nuk do të ishte serioze të parashikohej sot një masë konkrete pa parë se çfarë provash ka në dosje, çfarë kërkon prokuroria dhe çfarë vlerëson gjykata. Në drejtësinë penale nuk vendoset masa sepse personi është Sali Berisha. Por as nuk duhet të përjashtohet një masë vetëm sepse personi është Sali Berisha. Ligji duhet të funksionojë njësoj për kryeministrin, ish-kryeministrin, opozitarin, ministrin apo qytetarin e zakonshëm. Dhe ky është testi real për SPAK. Berisha ka një problem serioz, por SPAK ka një përgjegjësi edhe më serioze. Sali Berisha ka zgjedhur ta trajtojë përplasjen me SPAK-un edhe si një betejë politike. Kjo është e kuptueshme në planin politik. Por juridikisht nuk është mbrojtje. Në gjykatë nuk mjafton të thuash “jam kundërshtar i qeverisë”. Por as SPAK nuk mund të thotë: “Është Sali Berisha, prandaj provat kundër tij janë të mjaftueshme.” Duhet të provohet konkretisht vepra penale, përgjegjësia individuale, lidhja midis veprimeve dhe pasojës dhe çdo element tjetër që kërkon ligji. Nëse këto prova ekzistojnë, atëherë Berisha duhet të përballet me to si çdo qytetar tjetër. Nëse nuk ekzistojnë, pesha politike e SPAK-ut nuk mund t’i zëvendësojë ato. Dhe këtu është pika më e fortë. Unë nuk do të bëja parashikime për dënim. Do të bëja një parashikim tjetër: Sa më shumë të avancojë hetimi, aq më shumë do të zhvendoset beteja nga politika te prova. Berisha mund të vazhdojë të akuzojë SPAK-un për motive politike. SPAK mund të vazhdojë të mbrojë ligjshmërinë e hetimit. Por në fund, asnjëra palë nuk e ka fjalën e fundit. E ka gjykata. Dhe gjykata duhet të përgjigjet vetëm me aktet e dosjes. Prandaj, po: mund të ketë masa dhe pasoja të tjera ligjore për Berishën, nëse kushtet ligjore dhe provat e kërkojnë. Por është ende e papranueshme të flasim për fajësi përpara se procesi të përfundojë. Në një demokraci serioze, as Berisha nuk është mbi ligjin, por as SPAK nuk është mbi ligjin. Kjo është e vetmja pikë nga e cila duhet ta shohim këtë histori. Dhe unë do ta përmblidhja kështu: Berisha nuk duhet të shpëtojë nga drejtësia sepse është lider i opozitës. Por drejtësia nuk duhet të ndëshkojë Berishën sepse është lider i opozitës. Por Berisha ka sharë e fyer këdo që i ka dalë përpara: kundërshtarë, gazetarë, institucione, prokurorë e gjyqtarë. Kur nuk i pëlqen vendimi, fyen; kur nuk i pëlqen hetimi, bërtet “komplot”; kur nuk i pëlqen drejtësia, sulmon drejtësinë. Tani le të flasin provat dhe gjykata. Jo sharjet. Nëse prova e mban akuzën në këmbë, ajo duhet të ecë deri në fund. Nëse prova nuk e mban, dosja duhet të bjerë aty ku bie çdo dosje tjetër. Në fund nuk duhet të fitojë as Berisha, as SPAK. Duhet të fitojë ligji.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera