Ambasada Amerikane ka reaguar pas dorëheqjes së Lulzim Bashës si kryetar i PD, duke vlerësuar këtë akt. Me një postim në Facebook, Ambasada Amerika thotë se uron që ky vendim i Bashës të përcaktojë rrugën që Partia Demokratike të ecë përpara drejt së ardhmes, duke theksuar se mbështetja e SHBA për të luftuar korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë, mbeten e pandryshuara.
“Vendimi i marrë nga Lulzim Basha sot për t’u dorëhequr si Kryetar i Partisë Demokratike meriton respekt. Vënia e interesave të partisë dhe të vendit mbi ato personale është shenjë e udhëheqësisë së vërtetë. Shpresojmë që vendimi do të përcaktojë rrugën që Partia Demokratike të ecë përpara drejt së ardhmes; do të forcojë marrëdhënien e veçantë të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara; do të përforcojë mbështetjen për reformat dhe përpjekjet e tjera për qëllimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian; dhe do të ritheksojë parimet dhe idealet demokratike mbi të cilat u themelua. Një opozitë e fortë që mund të jetë e gatshme për të udhëhequr është thelbësore për demokracinë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe përkushtimi për të luftuar korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë mbeten të pandryshuara”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Pas Ambasadës së SHBA ka reaguar edhe delegacioni i BE në Shqipëri, ku në një postim në Twitter shkruhet se respektojnë vendimin e e Bashës, duke theksuar se nga lidershipi i ri pritet që të vazhdojë të mbështesë integrimin e vendit në BE si dhe luftën kundër korrupsionit.
Lulzim Basha dha sot dorëheqjen si kryetar i PD-së, pas 9 vitesh si drejtues i kësaj partie. Vendimi i Bashës për dorëheqjen vjen pas humbjes së thellë të PD në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku jo vetëm nuk fitoi asnjëra nga 6 bashkitë, por u rendit edhe forcë e tretë.