E martë, 4 Gusht, 2026

Dita e Evropës, rast për të rizbuluar kujtesën dhe vlerësuar LANÇ

Share

Nga Ali Beqo

79 vjet më parë, më 9 Maj 1945, në kontinentin e Evropës përfundoi lufta më e përgjakshme që kishte parë njerëzimi ndonjëherë, lufta kundër nazi-fashizmit. Kjo datë shënon triumfin e rezistencës popullore kundër makinerisë vrasëse, të emancipimit kundër errësirës ideologjike të nazifashizmit, të popujve kundër perandorisë, të barazisë kundër shfrytëzimit. 5 vjet më pas, po më 9 Maj 1950, u lidh marrëveshja e parë midis Gjermanisë Perëndimore dhe Francës për bashkimin e industrive të çelikut dhe qymyrit, për të vazhduar pastaj me marrëveshje tjera ekonomike dhe krahas kësaj zgjerimin e shteteve nënshkruese. Bashkimi Evropian që njohim sot kështu kishte filluar. Ndaj sot, 9 Maji shënon Ditën e Evropës. Projekti i Evropës së bashkuar kishte parakusht barazinë midis popujve dhe lirinë e tyre për t’u bashkuar vullnetarisht në projektin e përbashkët.

Paqja e qëndrueshme në Evropë ka në themel dy shtylla të forta: barazinë mes shteteve dhe qytetarëve, paprekshmërinë e kufijve të këtyre shteteve. Vetëm duke e njohur njëri-tjetrin në mënyrë reciproke dhe si të barabartë dhe vetëm duke ia njohur kufijtë shtetërorë si të pacenueshëm, u bë i mundur projekti për bashkëpunim reciprok mes shteteve në të mirë të të gjithëve. Dita e Evropës u vendos si festë në Samitin e Milanos në 1985. Megjithatë duhet theksuar se Lufta Anti Fashiste Nacional Çlirimtare është epopeja më e madhe dhe e lavdishme  me rëndësi historike në historinë e kombit shqiptar, sepse çliroi vendin nga pushtuesit dhe e radhiti Shqipërinë ne krahun e fitimtarëve. Si rrjedhojë, ajo u bë simbol  i mbrojtjes së integritetit territorial të shtetit shqiptar. Detyra parësore dhe strategjike e Luftës së Dytë Botërore, dhe e LANÇ në Shqipëri, si pjesë e saj pati si objektiv kryesor çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë.

Lufta NÇ ishte luftë çlirimtare, antifashiste, kombëtare e patriotike që u shndërrua në revolucion popullor nëpërmjet Kryengritjes së armatosur, e fituar me heroizëm partizan dhe e shkruar me gjakun e 28 mijë Dëshmorëve. Le të shërbejë 9 Maji si shembulli modest i secilit prej jush dhe i secilit prej atyre që kokulur vazhduan të mbajnë brenda vetes të gjalla idealet, për të cilat pati gjithmonë e më pak vend e respekt në këtë vend dhe shembulli madhështor i Europës së Bashkuar, që është edhe dëshmia më kuptimplotë e faktit se çdo produkt i njeriut, sado i madh në përmasa, nis nga diku thellë, në formën më të thjeshtë dhe në përmasën më të vogël brenda zemrës së njeriut si individ. Të njeriut që mund të jetë shqiptar, francez, gjerman e çfarëdo qoftë, por që ka kurajën të jetojë me ushqimin e idealeve të veta. Lavdi Luftës Nacional Çlirimtare!

Te tjera

Lajme te tjera