Shoqata Shqiptare e Alergjisë, Astmës dhe Imunologjisë Klinike, organizoi në Tiranë në datë 6 Maj 2023, Konferencën Shkencore të titulluar “Dita Botërore e Astmës dhe sëmundjet Alergjike”, teksa e pranishme ishte edhe ish-deputetja Elona Gjebrea, e cila është një njohëse e mirë e këtyre diagnozave. Përmes një statusi në rrjetet sociale, zonja Gjebrea, e cila aktualisht mban postin e drejtueses së Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin ka ndarë detaje nga kjo konferencë, ndërsa zbuloi se ka prezantuar modelet alternative për të parashikuar sezonin polenik.
Ja postimi i plotë i zonjës Gjebrea:
E lumtur qe rikthehem pas shumë vite mungesë në kolektivin e respektuar të alergologëve ku kalova 10 vite punë e kerkim shkencor, me rast të Konferencës shkencore në Ditën botërore të Alergjise dhe Astmes.
Aerobiologjia në ndihme te alergologjisë ishte tema me të cilen prezantova modelet alternative për të parashikuar sezonin polenik. Metodat neurale matematikore, testimet imunologjike, teknikat molekulare janë disa nga risitë sesi mund te kemi më shumë efikasitet për njohjen e alergenëve dhe vecoritë e sezonit polenik.
Metoda të tilla mund të përdoren si mjete parashikuese nga pacientët alergjike si dhe kompanitë farmaceutike në Shqipëri si një mundësi për të avancuar me metoda bashkëkohore në këtë drejtim.
Në fund një foto me miken dhe shefen e klinikës së Alergologjise, dr. Etleva Qirko!
