E hënë, 20 Janar, 2025

Dështimi i marrëveshjes dhe 3 nëntori hapin rrugën e shkëmbimit të unazave midis Likes dhe Saliut, çifti  bashkëjetesë  në Shtëpinë e Lirisë

Share

Nga Rigels Seliman


Partia Demokratike është aktualisht në luftë me flakët e ferrit, ku “dragoi” që po lëshon flakët është njeriu që e udhëhoqi për rreth 25 vite, i cili nga sot kërkon ta djegë në çdo qelizë këtë formacion politik. Sali Berisha e ka ndarë mendjen për ta marrë PD me vete në varrin e tij politik, që si dikur faraonët merrnin me vete gjithë trupën shërbyese, për ta zhdukur nga qarkullimi opozitën shqiptare, si gjest i një hakmarrje kanunore ndaj plëngprishësve që e pushkatuan politikisht. Nëse faraonët balsamoseshin dhe varroseshin me nderime në sarkofagët e tyre, Sali Berisha është një mumje e pakallur që zukat në kënetën e tij, për të tërhequr vëmendjen e Të Plotfuqishmit, i cili për fatkeqësinë e tij, i ka hapur kapakun e sarkofagut dhe po e pret me padurim për ta çuar në humbëtirën e vulëumburve. Sali Berisha ditën e djeshme e humbi mundësinë e fundit për të kthyer në karrocën e tij djemtë që i kanë marrë partinë dhe e kanë lënë në mes të shkretëtirës pa PD dhe vulë.

Marrëveshja e shumëpritur për të futur në sinorët e tij grupin e Lulzim Bashës, që për fat të mirë zotëron Partinë Demokratike, dështoi me sukses. Pasi, nuk arriti të bindë me lutje për ti lënë partinë nëpërmjet tërheqjes nga gjyqi i 3 nëntorit, Sali Berisha u kthye në origjinën e tij kafshërore. Ditën e fundit të tetorit lëshoi kërcënimin se kush guxon ti marrë partinë do të përballet me luftën e tij për “liri ose vdekje”. Ndërkohë që sot lëshoi kërcënimin përfundimtar se kush do të guxojë të prekë flamurin e PD (Sali Berishën), i ka bërë hesapet keq. Nga dje humbi qengji Sali, paqësori dhe demokrati, për ti lënë vendin atij realit, Sali bishës, dragoit që djeg me flakët e zjarrit këdo që i del përballë. Shfytyrimi i djeshëm i vulëhumburit Sali duket se ka të bëjë më shumë me vulën dhe siglën që e shikon të pamundur për ta shtënë në dorë, pasi gjyqi i 3 nëntorit do përmbysë dhe ëndrrën e tij të fundit për tu rikthyer lavdishëm pas dështimit të sulmit ndaj selisë në fillim të janarit.

Gjuha e përdorur dje, si zhargon i një gangsteri të rënë nga vakti, shfaqi haptazi përpjekjen e dëshpëruar të tij për tu faktorizuar përballë SHBA, me qëllimin e vetëm të negocimit të personazhit të padëshiruar për amerikanët, anglezët dhe shumë shpejt për BE. Nga dje non grata Sali Berisha lundron në kaosin që e ka futur marrëzia e tij politike. Ai është më i pashpresë se kurrë dhe ka bashkuar udhëtimin e tij drejt kapakut të sarkofagut të hapur nga amerikanët me një kokëfortësi olimpike, ku mesa duket ka gjetur për bashkudhëtar dikë, që nuk do ta lodhë me teori elokuente, pasi kokboshllëku i tij është ilaçi i vetëm në këtë udhëtim fatal dhe plot stres.

Ilir Meta, me qetësinë dhe dashurinë që e karakterizon, i ka hapur shtëpinë e lirisë për përcjelljen e fundit të Sali Berishës dhe mesa duket do ta shoqërojë në udhëtimin e tij të fundit, ku si njeri i pafjalë që është do i falë qetësinë që do një shpirt i trazuar plot maraze dhe pengje si ky i Sali Berishës. Nesër është 3 nëntori. Saliu dhe Likja do shkëmbejnë unazat për të bashkëjetuar në Shtëpinë e Lirisë. Pas kësaj fillon muaji i mjaltit që mesa duket do ketë një ndalesë në 12 nëntor për të vazhduar të qetë drejt portës që i “Plotfuqishmi” po e mban të hapur në pritje të këtij çifti hyjnor.

Te tjera

Lajme te tjera