E martë, 21 Prill, 2026

Deputetja e PS, Besa Spaho: Projektbuxheti 2026 sjell rritje pagash, investime historike në Korçë dhe mbrojtje më të fortë për çdo qytetar

Share

Deputetja e PS, Besa Spaho, ka diskutuar në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2026, duke e cilësuar si një nga më ambiciozët ndër vite. Ajo theksoi se buxheti parashikon rritje të pagave për administratën, mësuesit, mjekët dhe policinë, duke forcuar shërbimet publike dhe dinjitetin e qytetarëve. Prioritet kryesor mbetet shëndetësia, me financim të pacientëve onkologjikë dhe krijimin e Institutit Kombëtar të Tumoreve. Po ashtu, znj. Spaho nëvizoi investimet historike në Qarkun e Korçës përfshijnë spitalin e ri, Polin e Dijes, Liceun Francez dhe projekte kulturore e turistike që transformojnë rajonin. Deputetja vuri theksin te rëndësia e këtij buxheti për familjet shqiptare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Besa Spaho e konsideron këtë projekt si një hap të madh drejt mbrojtjes më të fortë dhe përmirësimit të jetës së çdo qytetari.

Ja fjala e plotë i deputetes së PS, Besa Spaho:

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,
I nderuar z. Kryeministër,
Të nderuar kolegë deputetë,
Të dashur qytetarë të Shqipërisë,

Të dashur qytetarë të Shqipërisë, kërkova fjalën sot në këtë seancë diskutimi për të ndarë mendimet dhe opinionet e mia.

Por para së gjithash dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë qytetarët e Qarkut të Korçës, të majtë e të djathtë, atyre që na panë me dyshim e atyre që na votuan pa kursim, si edhe diasporës së mrekullueshme të atyre anëve.

SE E GJITHA FILLON TANI!
FALEMINDERIT PËR BESIMIN E DHËNË, DO JEM ZËRI JUAJ NË KËTË PARLAMENT E LEGJISLATURË HISTORIKE PËR VENDIN TONË.

Të nderuar qytetarë, sot nuk jam këtu vetëm në emrin tim, por në emrin e të gjithë juve të cilët besuat se politika mund të jetë ndryshe, më e ndershme, më e afërt me njerëzit dhe më e përkushtuar ndaj punës konkrete.

Është e vështirë të gjesh hapësirë në këtë sallë për të diskutuar, sepse qasjet në politikë janë të ndryshme që nga vendimmarrjet, komunikimet me publikun apo prioritetet e zhvillimit të vendit dhe kështu, seancë pas seance, kupton që jo gjithmonë mund të gjesh veten.

Nuk gjen hapësirë sepse pikërisht në qasje ne jemi ndarë që në krye të herës me opozitën dhe këtë e them me keqardhje për ta. Erozioni që kanë pësuar në radhët e tyre flet shumë e qartë mbi ta; radhët e karrigeve të tyre vetëm po përgjysmohen dhe e gjitha sepse askush ndër ta nuk bën analizë dhe reflektim dhe të gjithë së bashku bëjnë “sikur”.

Arsyeja pse sot jemi në këtë sallë në një progresion gjithnjë e në rritje ka të bëjë vetëm me një fakt: ne kurrë nuk harruam nga erdhëm dhe kush na besoi dhe hapi zemrën në ditët tona më të vështira.

E sot me 83 mandate, me një parti të rinovuar si kurrë më parë, e karikuar me cilësi dhe besim si kurrë më parë, e qartë si kurrë më parë se ç’besim dhe përgjegjësi e madhe na është dhënë, na takon të jemi po aty midis tyre për të dëgjuar e përçuar problemet e tyre aty ku është nevoja.


Ky projektbuxhet flet më së miri mbi gjithë përpjekjet shumëvjeçare të Qeverisë Shqiptare për të përmbushur kërkesat gjithmonë e në rritje të qytetarëve të saj.

Sot flasim për një Shqipëri e cila është në një nivel tjetër dhe qytetarët meritojnë gjithë vëmendjen e Qeverisë Shqiptare sa i takon secilit prej nesh.

Flasim për një buxhet shumë ambicioz dhe më i larti ndër vite.

Me shumë krenari dua t’ju them se duhet ta ndajmë lajmin me secilin prej miqëve që na rrethojnë, jo të gjithë shikojnë lajme dhe jo të gjithë janë të azhornuar me vendimmarrjet e reja të politikës.

Të gjithë ne në familje kemi prindër apo gjyshër të cilëve duhet t’ju sqarojmë se Qeveria Shqiptare, në Projektbuxhetin e 2026, ka vendosur të rrisë pensionet—rritje e cila do të vazhdojë edhe për vitet në vazhdim deri në fund të mandatit qeverisës 2029.

Kjo rritje progresive e pensioneve për periudhën 2026–2030 është e ndarë nga bonusi i fundvitit, i cili do vazhdojë të jepet gjithmonë në fund të vitit.

Qeveria Shqiptare implementon zotimin e marrë për mandatin e katërt qeverisës: rritjen e pensioneve, dhe në fund të mandatit flasim për pensionin urban në vlerën 40 000 lekë dhe atë rural 18 000 lekë.


Punonjësit e administratës publike, shtylla e funksionimit të çdo institucioni modern.

Mbi supet e tyre mbajnë përgjegjësitë e përditshme, ngarkesë e presion që shpeshherë nuk shihet. Ofron shërbimet bazë çdo ditë në çdo cep të Shqipërisë, garantojnë zbatimin e ligjit me profesionalizëm, durim dhe etikë.

Pikërisht për këto e shumë të tjera arsye meritojnë RESPEKT – VLERËSIM – E MBI TË GJITHA MBËSHTETJE.

Respekti për ta s’ka qenë vetëm me fjalë, por me politika konkrete që rrisin dinjitetin dhe motivimin e tyre.

Pikërisht në këtë projektbuxhet ata zënë një peshë të rëndësishme falë fillimit të praktikës së indeksimit dhe për pagat e punonjësve të sektorit publik në nivel qendror dhe vendor.

Kjo politikë e re e trajtimit të pagave të punonjësve të administratës publike, e kombinuar edhe me rritjen e pagës minimale për të gjithë, sjell tashmë trajtim më me dinjitet për:

  • Punonjësit e shërbimeve – rritje page prej gati 10 000 lekë/muaj
  • Specialistët e administratës – rritje prej 5 000 lekë/muaj
  • Mësuesit – rritje page prej 3 000 lekë/muaj
  • Mjekët dhe infermierët – rritje page
  • Punonjësit e policisë – pjesë e indeksimit dhe rritjes së vjetërsisë në punë

Të dashur qytetarë të Shqipërisë, projektbuxheti për vitin 2026 bazohet në katër shtylla kryesore:

  • Mirëqenie sociale
  • Rritje ekonomike e qëndrueshme
  • Konsolidim fiskal
  • Përshpejtim i integrimit europian

Dhe kur flasim për mirëqenie sociale, s’mund të mos mendojmë për shëndetësinë.

Temë delikate dhe gjithëpërfshirëse, e në këtë projektbuxhet sektori shëndetësor është vendosur si një ndër prioritetet kryesore të këtij buxheti.

Afërsisht 4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose mbi 1 miliard euro, janë vënë në dispozicion të shëndetësisë, dhe më konkretisht në dispozicion të luftës kundër kancerit, kësaj plage të madhe të shoqërisë, që fokusohet te barnat e shtrenjta që kërkon kjo luftë.

Për herë të parë në histori, Qeveria Shqiptare do të hapë një linjë financimi nga buxheti i shtetit vetëm për këtë nevojë jetike, duke vënë në dispozicion 15 milionë euro shtesë vetëm për pacientët e onkologjikut.

Ndërkohë do të ngrihet, për herë të parë në Shqipëri, Instituti Kombëtar i Tumoreve për Shqipërinë 2030, projekt i cili do të udhëhiqet nga ministrja jonë e shëndetësisë – e cilësuar si një nga 100 gratë më influente në mjekësinë botërore për çështjet e kancerit.

Ky institucion ekselence do t’i bashkohet rrjetit ndërkombëtar të institucioneve që luftojnë kancerin, dhe ne tashmë do të jemi pjesë e tyre.

Gjenerata e re e bluzave të bardha duhet të përqafojë premtimin e mbajtur të Qeverisë Shqiptare për rritje pagash më tej dhe të jenë të bindur se kontributin e tyre të vyer duhet ta japin në atdheun e tyre, sepse fokusi do të vazhdojë të jetë mbi ta.


Korça, me spitalin e ri të standardeve europiane, pjesë e investimeve strategjike të parashikuara në këtë buxhet, përbën një investim transformues për të gjithë rajonin.

Ky spital modern do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve shëndetësore duke ofruar diagnostifikim të shpejtë, infrastrukturë bashkëkohore dhe kushte dinjitoze për pacientët e gjithë zonës juglindore.

Ky spital i ri, me staf të motivuar dhe standarde të reja trajtimi, do të ulë nevojën e qytetarëve të Qarkut Korçë për të udhëtuar drejt Tiranës apo jashtë vendit për shërbime të specializuara.


Projeketet e tjera të mëdha të Qarkut të Korçës, pjesë integrale e këtij buxheti, janë:

  • Poli i dijes – një investim i Qeverisë Shqiptare, një kampus i ri universitar që i shtohet institucioneve arsimore në Korçë dhe jo vetëm, me programe të reja ndërkombëtare dhe qendra të kërkimeve shkencore.
  • Liceu francez i Korçës – tashmë një ëndërr e kahershme e bërë realitet nga Qeveria Shqiptare. Shumë të rinj do të kenë mundësinë të zgjedhin arsimin e mesëm pranë këtij liceu dhe më pas të vazhdojnë studimet në Francë.
  • Rikonstruksioni i Pallatit të Sportit “Tamara Nikolla” – një nevojë emergjente për godinën historike të qytetit; investim me standarde europiane dhe gati për të pritur edhe ekipe të huaja për ndeshje kombëtare.
  • “Rrugët e Shijes” – një projekt i Qeverisë Shqiptare si mundësi e jashtëzakonshme për Qarkun e Korçës dhe fshatrat e përfshira, për të çliruar potencialin e plotë të trashëgimisë së tyre kulturore, historike dhe kulinare.

Ky projekt parashikon krijimin e disa shtigjeve tematike si:
Shtegu i Manave në Drenovë, Shtegu i Mollëve, Shtegu i Këmbësorëve në Boboshticë, Shtegu i Zahireve në Polenë apo Shtegu i Qershive në Qatrom.

Dhe duke vazhduar me krijimin e një poli të ri kulturor dinamik në fshatin Drenovë të Korçës, duke transformuar “ish-vaskat e peshkut”, të braktisura prej kohësh, në një qendër kreativiteti me qëllim rritjen ekonomike.

Ky pol kulturor, krijuar shumë pranë Korçës, synon të stimulojë zhvillimin në sektorë kyç si mikpritja, turizmi ekologjik dhe arti, duke i dhënë mundësi turistëve të shumtë që vizitojnë qytetin të shohin hapësira të reja, të ridimensionuara sipas kërkesave të kohës.


Të dashur qytetarë,
ky projektbuxhet nuk është vetëm një dokument financiar, por një angazhim i përbashkët për një shoqëri më të qëndrueshme dhe të mirëorientuar drejt të ardhmes.

Vendos në qendër familjen shqiptare, rrit pagat, forcon shëndetësinë, i jep dimension të ri bujqësisë, mbështet arsimin, zgjeron investimet dhe mbi të gjitha i jep shtysë arritjes së qëllimit madhor: anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si një mision i përbashkët i secilit nga ne në këtë sallë.

Ftoj kolegët deputetë të votojnë këtë projektbuxhet si një mision të përbashkët për të çuar më tej investimet në çdo sektor të jetës sonë të përbashkët.

Te tjera

Lajme te tjera