Në seancën plenare të ditës së sotme, deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, ngriti në Kuvend çështjen e asfaltimit të rrugës së Shullërit, një aks i rëndësishëm që lidh disa fshatra të Vlorës me rrugën e Lumit të Vlorës.
Sinaj theksoi se asfaltimi i rrugëve rurale nuk përfaqëson vetëm investime infrastrukturore, por një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së banorëve dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Ai kërkoi nisjen sa më të shpejtë të punimeve në rrugën që shërben për fshatrat Velçë, Ramicë, Verbas, Matogjin, Bashaj dhe Vërmik, duke e konsideruar këtë projekt si domosdoshmëri për lëvizjen dhe komunikimin e komuniteteve rurale.
“Rrugët rurale janë ura që lidhin jetën e përditshme të familjeve me mundësitë e zhvillimit,” deklaroi Sinaj, duke shprehur besimin se apeli i tij do të merret parasysh dhe projekti do të nisë pa vonesa.
Deputeti nënvizoi se investimet në infrastrukturën rrugore të zonave rurale hapin rrugën drejt modernizimit dhe rritjes së standardeve të jetesës për mijëra banorë të fshatrave të Vlorës.
