E hënë, 23 Nëntor, 2026

Deputeti i PS Bujar Çela: Masakra e ‘21 Janarit’, krim shtetëror që nuk harrohet, Berisha-Meta autorët dhe përgjegjësit kryesorë të kësaj tragjedie kombëtare, ja çfarë ndodhi ditën e protestës

Share

Protesta e 21 janarit 2011 mbetet një nga ngjarjet më të dhimbshme dhe tronditëse në historinë e tranzicionit demokratik të Shqipërisë. Katër qytetarë humbën jetën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë gjatë një proteste paqësore, duke lënë pas një plagë të thellë në ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare. Përgjegjësia për këtë tragjedi ka qenë gjithmonë në qendër të debatit politik dhe publik, ndërsa drejtësia ende mbetet e munguar. Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela, i cili ishte dëshmitar i kësaj ngjarjeje, ka ndarë në këtë intervistë për gazetën “SOT” mendimet e tij të forta për atë ditë, përgjegjësitë e drejtuesve të kohës dhe domosdoshmërinë për të mos harruar atë ngjarje. Ai adreson me kurajo akuzat ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës, duke i cilësuar ata si autorët kryesorë të kësaj tragjedie. Në këtë intervistë, Çela jep mesazhe të forta politike, duke kërkuar drejtësi për viktimat dhe një reflektim të thellë nga shoqëria shqiptare. Për të, “21 janari” nuk është thjesht një kujtesë e një dite të errët, por një thirrje për të luftuar kundër dhunës dhe padrejtësisë.

-Z. Çela, si e kujtoni ju protestën e 21 janarit? Çfarë domethënie kishte ajo për atë periudhë politike dhe për qytetarët shqiptarë?

Protesta e 21 janarit ishte vazhdimësi e një lëvizjeje popullore që kërkonte transparencë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Ajo nuk ishte një protestë për pushtet, por një thirrje legjitime për drejtësi dhe respektim të Kodit Zgjedhor, duke kërkuar hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave. Me sloganin ‘Hap kutitë ose largohu!’, qytetarët kërkonin një të drejtë bazike, por regjimi i Berishës dhe Metës u tregua shurdh ndaj kësaj thirrjeje. Kulmi tragjik i këtij refuzimi ishte vrasja e katër qytetarëve të pafajshëm në bulevard. Si dëshmitar i asaj dite, mund të them me bindje se ishte një protestë paqësore, e qytetëruar, por përgjigjja e shtetit ishte gjak dhe dhunë e paramenduar.

-A mendoni se Sali Berisha mban përgjegjësi për katër viktimat e asaj dite tragjike? Dhe a keni besim se zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje do të ndodhë ndonjëherë?

Sali Berisha mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vrasjet e 21 janarit. Ai nuk ishte thjesht një dëshmitar apo një i paanshëm në këtë ngjarje, por autori kryesor së bashku me Ilir Metën dhe një tjetër individ që preferon të fshihet pas një imazhi të lyer me bojë dhe fasadë të rreme. Nuk bëhet fjalë vetëm për përgjegjësi morale apo politike, por për një krim të mirëplanifikuar që u krye me paramendim. Zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje është një domosdoshmëri historike dhe juridike. Megjithëse procesi është zvarritur, unë besoj dhe shpresoj se një ditë drejtësia do të flasë. Familjarët e viktimave dhe gjithë shoqëria shqiptare e kanë këtë borxh ndaj atyre që humbën jetën për një kauzë të drejtë.

-Deklarata e fundit e z. Berisha, ku tha se sot do të vepronte njësoj si më 21 janar 2011, tregon mungesë pendese për katër viktimat. Si e shihni ju këtë qëndrim të tij? Çfarë mesazhi përcjell kjo për shoqërinë shqiptare?

Kjo deklaratë është një dëshmi e qartë e natyrës së tij gjakatare dhe mungesës së çdo ndjenje njerëzore apo përgjegjësie. Berisha është personifikimi i thënies popullore “Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron.” Ai nuk ndjen keqardhje, sepse për të pushteti ka qenë gjithmonë më i rëndësishëm se jeta e njerëzve. Ky qëndrim i tij është një fyerje për viktimat, familjarët e tyre dhe gjithë popullin shqiptar. Për më tepër, është një mesazh kërcënues që ai ende e sheh dhunën si një mjet të ligjshëm për të ruajtur pushtetin. Populli shqiptar nuk duhet ta harrojë kurrë 21 janarin dhe të mos e lejojë kurrë që figura si Berisha dhe Meta të rikthehen në pushtet. Këta individë janë përgjegjës jo vetëm për tragjedinë e asaj dite, por për një mori padrejtësish dhe krimesh që kanë shkatërruar besimin e qytetarëve te shteti. Është detyra jonë, si përfaqësues të popullit, që të vazhdojmë betejën për drejtësi dhe të mos lejojmë që krimi të mbulohet nga harresa.

-Çfarë mesazhi do të dëshironit t’i përcillni qytetarëve shqiptarë në lidhje me këtë ngjarje?

Mesazhi im është i thjeshtë: mos harroni! 21 janari nuk është vetëm një ngjarje tragjike e së shkuarës, por një kujtesë e vazhdueshme e asaj çfarë mund të ndodhë kur pushteti bie në duar të gabuara. Populli shqiptar duhet të jetë i bashkuar dhe i palëkundur në kërkesën për drejtësi dhe transparencë. Gjaku i atyre që humbën jetën për një kauzë të drejtë nuk duhet të shkojë dëm. Shqipëria ka nevojë për drejtësi të vërtetë, për një shtet që mbron qytetarët dhe jo një regjim që i shtyp ata. Në fund, dua të theksoj se ne kemi një përgjegjësi historike dhe morale për të treguar të vërtetën, për të luftuar padrejtësitë dhe për të ndërtuar një Shqipëri ku askush nuk duhet të ketë frikë të protestojë për të drejtat e tij. Kjo është ajo për të cilën kanë dhënë jetën ata katër qytetarë, dhe ne nuk duhet t’i zhgënjejmë.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera