E enjte, 13 Shkurt, 2025

Deputeti i PS Bujar Çela: Berisha dhe Meta nuk i shpëtojnë dot burgut, do t’iu sekuestrohet dhe pasuria, ja dosjet korruptive që do të shpërthejnë për kreun e PD pas aferës ‘Partizani’, më e afërta është masakra e ‘21 Janarit’

Share

Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela ka komentuar zhvillimet e fundit në politikën shqiptar. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ai shprehet se “ditët e zeza” për ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-presidentin Ilir Meta dhe bashkëpunëtorët e tyre në vjedhje dhe grabitje sapo kanë filluar. Sipas tij, dosjet e tyre po bëhen stivë në SPAK. Z.Çela paralajmëron se Metës dhe Berishës pritet t’ju sekuestrohet dhe pasuria. Ai thotë se dosja më e afërt që rrezikon të tronditë pozitat e Sali Berishës është “21 Janari”.

-Z. Çela, si i shihni ngjarjet e fundit në politikën shqiptare dhe si mendoni se po ndikon kjo situatë te qytetarët?

– Aktualisht, politika shqiptare po kalon një periudhë shumë komplekse. Kemi një tensionim të madh në diskursin publik dhe një polarizim të thellë midis forcave politike. Kjo nuk është e shëndetshme për demokracinë dhe ka pasoja të drejtpërdrejta tek qytetarët, të cilët ndihen të lodhur nga mungesa e rezultateve konkrete dhe e bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve të tyre të përditshme. Qytetarët nuk duan të shohin politikanë që grindemi, por institucione që funksionojnë dhe reforma që japin rezultate.

-Si e vlerësoni punën e institucioneve të drejtësisë, si SPAK dhe Gjykata Kushtetuese, në këtë moment kritik?

Institucionet e drejtësisë kanë një barrë shumë të madhe në këtë periudhë. SPAK ka treguar disa shenja që janë për të vlerësuar, duke nisur disa hetime të bujshme dhe duke përballur me drejtësinë figura të njohura të politikës dhe biznesit. Por duhet të jemi realistë: pritshmëritë janë ende të larta, dhe qytetarët presin të shohin drejtësi të shpejtë dhe të ndershme. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka një rol të posaçëm për të garantuar që sistemi të funksionojë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit. Ky është momenti që drejtësia të tregojë pavarësinë e saj dhe të rifitojë besimin e qytetarëve.

-Si e shihni rolin e partive politike në këtë situatë? A po luajnë ato një rol konstruktiv?

Të jem i sinqertë, partitë politike kanë shumë për të reflektuar. Shpesh herë kemi parë një fokusim të tepruar tek konfliktet dhe akuzat personale, në vend të një angazhimi për të mirën e përbashkët. Politika duhet të bëhet një platformë bashkëpunimi për të adresuar sfidat që kemi përpara.

-Si i komentoni sulmet e kreut të PD Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta ndaj SPAK?

Saliu nuk është më ai që ishte… Por i shkon më shumë batuta e popullit: “E hëngri trimi!” Jo se do të paraqitet, por do të shkojë rregullisht dhe me një këmbë, duke pritur ai (Trimi)! Ai e ka të qartë që, ashtu si me “miellin e gjermanit,” bëhet shaka me trimat e Dumanit! Partia pseudodemokratike duhet t’i thërrasë mendjes, pasi nuk ka edhe shumë kohë për të ruajtur ekzistencën e saj. Jo vetëm që nuk duhet të besojë në udhëheqjen e tij, por duhet të shpallë divorcin e saj nga ky llum që përdor këtë parti dhe elektoratin e saj vetëm për interesat e halleve të tij familjare! Kjo parti rrezikon shkrirjen, jo fitoren që pretendon – “nongrata”! Hetimet, nuk e di pse, janë bërë vetëm për të humbur kohë dhe për t’i shërbyer zgjatjes së jetës së “shokut Sali!” Gjykata ka pasur dhe ka aq shumë materiale për këtë sa nuk duhet të presë prokurorinë, por duhet ta kalojë sa më shpejt në gjyq për t’i kthyer popullit djersën dhe gjakun që ia ka marrë personi në fjalë! Jam besimplotë që kjo strukturë do ta gjykojë dorë për dore me të shtrenjtin Ilir, ashtu sikurse bashkë kanë bërë shumë krime ekonomike dhe njerëzore! SPAK nuk ka rrugë të dytë përveç luftës pa kompromis me krimin e organizuar dhe korrupsionin! Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet shumë e qartë për të plotësuar çdo kërkesë dhe mbështetje që kjo strukturë të jetë e suksesshme! Hetimet vlejnë, por për dyshen “babë e bir” politikë, Berisha-Meta, jo! Faktet dhe bëmat e tyre dihen jo vetëm nga populli, por edhe botërisht, dhe fati i tyre, ashtu si bemat, nuk mund të ndahen. E ardhmja e tyre politike ka përfunduar! Ky legjitimim që i bëri Gjykata Kushtetuese do të çlirojë gjykatën, por edhe do të sqarojë njëherë e përgjithmonë që politika të mos e përdorë më popullin sipas thënies: “Bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë!” Të gjithë të barabartë para ligjit!

-Mendoni se dosja “Partizani” do të çojë pas hekurave Sali Berishën?

Sali Berisha nëpërmjet akuzave që janë bërë për aferën e rëndë “Partizani”, së bashku me dhëndrin e tij, ai e hoqi këmbën zvarrë për të marrë me vete dhe dhjetëra akuza të tjera ku më e afërta është dosja e “21 Janarit. Kjo dosje do ta tronditë nga themelet. Ai do të jap llogari për 21 janarin, për Gërdecin, për vrasjet e 97’-ës, për firmat piramidale, për aferat e rënda të tij e të familjes së tij. Duke filluar me Fazlliçin, duke vazhduar pastaj me sabotimet nga më të rënda që ka bërë ushtrisë shqiptare duke i shkatërruar çdo lloj mjeti e duke i përvetësuar për veten e familjen e tij e njerëzit e tij.

-A duhet që SPAK jo vetëm që t’i dënojë, por t’ju sekuestrojë dhe pasuritë?

Janë të shumtë ata që mbrohen duke thënë se nuk kanë kryer asnjë aferë apo se nuk ka prova për emra të caktuar. Por ka një element që mund t’i fundosë të gjithë dhe ajo është pasuria. Hetimi për burimin e të ardhurave të apartamenteve, tokave dhe vilave që ata disponojnë do të fundosin Metën dhe Berishën. 

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera