“Foltorja” e Sali Berishës ka zhvilluar ‘primaret’ për të zgjedhur kandidatët zyrtar për 14 maji. Referuar të dhënave që kanë ardhur nga vetë ‘Rithemelimi’, deri në orën 17:00 kanë votuar në total 51 797 persona në 51 bashki. Megjithatë duhet theksuar se nuk informacionin se sa anëtarë ka gjithsej PD-ja që kanë të drejtë vote dhe sa simpatizantë kanë vendosur të bëhen pjesë e procesit të primareve. Pikërisht, paqartësia me këto lista ka sjellë problematika në disa bashki të vendit. Procesi nuk ka vijuar i qetë, mes akuzave të disa kandidatëve për manipulime dhe fitues të përcaktuar. 8 kandidatë kanë dhënë dorëheqjen në një kohë kur po vijohet me votimin. Më konkretisht në Tropojë, Lushnje, Belsh, Gramsh, Devoll, Krujë dhe Kuçovë. Këto dorëheqje Berisha i ka cilësuar si shprehje e lirisë.
Akuzat
Ndërkohë kandidatët e primareve në Fier thanë se janë hequr nga lista demokratët e vjetër, mes tyre dhe ish-kryetarë komunash. Problematika të ngjashme janë vërejtur dhe në Roskovec, ku ka dublime emrash në listën e votuesve. Ndërsa Shemsi Prençi, kandidat i Primareve në Kamëz deklaroi në rrjetet sociale se nuk e njeh procesin e votimit për shkak të parregullsive. “Modeli i votimit ne Primaret e PD Kamëz! Socialistët kanë emrin në listën e miratuar nga Kryesia e PD Kamëz, ndërsa Demokratëve ju shkruhet me dorë emri. Në këto kushte jam i detyruar të mos e njoh procesin dhe ti kërkoj PDSH një proces të dytë, duke i dhënë kohë konsolidimit të infrastrukturës zgjedhore në Primaret e Partisë Demokratike”, deklaroi Prençi. Po ashtu, i pakënaqur edhe ambientalisti, Sazan Guri, i cili kandidon në Primaret e Beratit. Ai deklaron se Kryesia e Rithemelimit në Tiranë orienton votën e anëtarësisë.Ndërkohë, një nga kandidatet në Primaret në Partinë Demokratike për Bashkinë e Tropojës është tërhequr nga gara. Bëhet fjalë për Feride Rrahmanajn, e cila ka marrë këtë vendim pak orë para nisjes së procesit. Me anë të një postimi në rrjetet sociale gjatë orëve të para të mëngjesit, ajo shkruan se ka vendosur të dorëhiqet nga Primaret pasi sipas saj kjo është një garë e njëanshme dhe e favorizuar nga lart. “Është një fushatë tërësisht e njëanshme ku simpatizantëve dhe demokratëve po u mohohet e drejta e votës, ku edhe pse formularët u plotesuan konform udhëzimit për Primaret nuk janë në listat e votuesve”, deklaroi Rrahmanajn.
Mbyllet procesi
Ndërkohë “Foltorja” mbylli këtë të diel votimet për primaret, përmes së cilave u zgjodhën kandidatët garues në zgjedhjet lokale të 14 majit të vitit të ardhshëm. Procesi i votimit u mbyll zyrtarisht në orën 18:00, por vijoi edhe më tej në disa bashki të vendit. Tashmë, në votat e numëruara kanë nisur konfirmimet e para të kandidatëve. Pa surpriza, në garë me vetveten, në Shkodër konfirmohet kryetari aktual Bardh Spahia, në Elbasan Luçiano Boçi, në Kuçovë Lefter Maliqi. Numërimi i votave për primaret është mbyllur edhe në Mallakastër, Patos, Tepelenë, Dimal, Selenicë, Roskovec, Poliçan, Memaliaj, Kuçovë dhe Skrapar. Ndërsa shkojnë në Balotazh, asnjë prej kandidatëve nuk mundën të marrin 50% të votave, Dibra me kandidatë Besnik Alkun dhe Ismail Ukën, Fieri me kandidatët Evdar Kodheli e Artur Mahmutaj, Mirdita Albert Mylyshid dhe Aleksandër lala, Librazhdi me Çefki Çota dhe Arjanit Leka. Ndërkaq, në kutitë e parë që janë hapur në Tiranë, Belindi Këlliçi po rezulton favorit.
Prençi “sherr” me Nokën
Nga ana tjetër, kandidati i primareve të “Foltores” në Kamëz Shemsi Prençi është përplasur me deputetin demokrat Flamur Noka. I ftuar në një studio televizive, Prençi theksoi se në listat e PD-së kishte socialistë. “Ju kam informuar që mbrëmë se në listat e PD-së e kishte emrin Dashamir Selimi, kryetar i PS dhe nuk e kishte Françesko Muça, kryetar FRPD-së Kamëz. Këtu është problemi që unë kam parë demokratët duke qarë jo pak por 3700 veta. I kam me video. Unë nuk jam tërhequr nga gara, kam kontestuar procesin”, deklaroi Noka. Ndërsa Noka i është kundërpërgjigjur duke i thënë që të mos përbalt procesin e primareve që sipas tij ka qenë procesi më i mirë i zhvilluar në Shqipëri. “Miku im është shumë e thjeshtë të përbaltësh një proces më të mirin që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Por unë jam i bindur dhe nuk dyshoj te vullneti dhe te besimi i anëtarëve të PD-së. Kurrë nuk ka ndodhur që të regjistrohet një socialist, ju kanë keqinformuar”, deklaroi Noka.
8 Kandidatët e dorëhequr
- Tropojë- Feride Rrahmana
- Lushnje- Erjon Iljazi
- Belsh- Dritan Cani
- Gramsh- Kodhel Çala
- Devoll- Arben Miza
- Krujë- Denis Hidri dhe Ilir Ndreu
- Kuçovë -Brikena Koroveshi
Primaret, Berisha e pranon: Procesi nuk ishte i përsosur, kishte problematika
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë dje në një konferencë për mediat pasi u mbyll votimi për primaret. Berisha ka pranuar se ky proces kishte problematika. “Nuk pretendohet të ishte një proces i përsosur. Jo! Nuk mund të pretendosh një gjë të tillë, por se u bë çfarë ishte e mundur për procesin më të mirë. U bë çfarë ishte e mundur për procesin më të mirë. Eksperienca e këtij procesi pasuron PD për përmirësimin e mëtejshëm të tij. Primaret janë rruga e vetme për t’iu dhënë pushtetin, dinjitetin anëtarësisë dhe simpatizantëve. Rruga e vetme për të hapur PD”, deklaroi Berisha.
Poshtë faqes
Fituesit e Primareve të “Foltores” për zgjedhjet lokale të 2023
Qarku Korçë
- Bashkia e Korçës, Ledina Alolli 628 vota.
- Bashkia e Maliqit, Alfred Gega 920 vota.
- Bashkia Pogradec, Zini Tollozhina 291 vota.
- Bashkia Devoll, Elvis Hajdërlli 1184 vota.
- Bashkia Ersekë, Et’hem Sajamit, i vetëm në garë ka marrë 450 vota pro.
Qarku Kukës
- Bashkia e Hasit, ende s’ka rezultat.
- Bashkia e Tropojës, ende s’ka rezultat.
- Bashkia e Kukës- Atmir Sinamati, i vetëm në garë ka marrë989 vota.
Qarku Lezhë
- Bashkia Lezhë, ende s’ka rezultat.
- Bashkia Mirditë, shkojnë në balotazh dy kandidatët më të votuar Albert Mylyshi me 357 vota dhe Aleksander Lala me 285 vota.
- Bashkia Kurbin- Behar Haxhiu 1358 vota.
Qarku Shkodër
- Bashkia e Vaut të Dejës- Zef Hila 743 vota, i duhet të lërë mandatin e deputetit për t’u futur në garë
- Bashkia Pukë- Ende s’ka rezultat
- Bashkia Shkodër- Bardh Spahia, i vetëm në garë! 1386 vota pro dhe 6 vota kundër
- Bashkia e Malësisë së Madhe- Nuk kishte kandidat
- Bashkia e Fushë Arrësit, ende s’ka rezultat
Qarku Tiranë
- Në kutitë e parë që janë hapur Belindi Këlliçi është favorit.
Qarku Vlorë
- Bashkia e Vlorës, Hysni Sharra 549 vota.
- Bashkia e Selenicës, Leonard Rakipaj 270 vota.
- Bashkia e Delvinës, ende s’ka rezultat.
- Bashkia e Sarandës, ende s’ka rezultat.
- Bashkia e Konispolit, ende s’ka rezultat.
Qarku Berat
- Bashkia e Beratit, Zija Ismaili 527 vota.
- Bashkia Kuçovë, Lefter Maliqi, i vetëm në garë me 339 vota.
- Bashkia Skrapar, Eugen Mustafallari, i vetëm në garë.
- Bashkia Poliçan, Behar Xhaferraj, i vetëm në garë me 92 vota.
- Bashkia e Dimalit, Gentian Meci 187 vota.
Qarku Dibër
- Bashkia Dibër, Besnik Alku 291 vota.
- Bashkia Bulqizë, Defrim Fiku 453 vota.
- Bashkia Klos, ish-deputeti Bedri Hoxha 758 vota.
- Bashkia Mat, shkojnë në balotazh dy kandidatët më të votuar, Skënder Gjuci me 319 vota dhe Bukurosh Ballabani me 145 vota.
Qarku i Elbasanit
- Bashkia e Elbasanit, Luçiano Boçi i vetëm në garë.
- Bashkia e Belshit, ende s’ka rezultat.
- Bashkia e Librazhdit, shkojnë në balotazh dy kandidatët më të votuar, Shaqir Kuka me 55 vota dhe Ndricim Lila me 45 vota.
- Bashkia e Përrenjasit, ende s’ka rezultat.
- Bashkia e Gramshit, ende s’ka rezultat.
- Bashkia e Peqinit, ende s’ka rezultat.
Qarku Fier
- Bashkia Fier- Shkojnë në balotazh dy kandidatët më të votuar Albano Zhapaj me 87 vota dhe Artur Mahmutaj me 242 vota.
- Bashkia e Lushnjës, Eduard Sharka 1021 vota.
- Bashkia Divjakë, Aurel Malko 869 vota.
- Bashkia e Patosit, Sofie Alushaj 256 vota.
- Bashkia e Mallakastrës, Resmi Shanaj 264 vota.
- Bashkia e Roskovecit, Futues Hazizaj me 204 vota.
Qarku Gjirokastër
- Bashkia Gjirokastër, Dorjan Lani 291 vota.
- Bashkia Këlcyrë, Arjan Kasaj 171 vota.
- Bashkia Memaliaj, Albert Malaj me 300 vota.
- Bashkia Tepelenë, Baftjar Imeri 109 vota.
- Bashkia Libohovë, Adil Xhelili i vetëm në garë ka marrë 282 vota.
- Bashkia Përmet- Edmond Komino, i vetëm në garë.