Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një konferencë të përbashkët me përfaqësues të shoqërisë civile, ku ka bërë thirrje për bashkim të frontit opozitar kundër regjimit të kryeministri Edi Rama.
Pasi renditi faktet që e bëjnë të domosdoshëm reagimin, ku kryesori është emigrimi masiv i shqiptarëve prej varfërisë, Berisha theksoi se di raste kur zyrtarë dhe eksponentë të qeverisë blejnë njerëz, prokurorë e gjyqtarë me qese plot me para. Berisha shtoi gjithashtu se çmimet janë rritur me 100% në raport me vitin 2014, ndërkohë që rrogat jo. Sipas tij qeveria i ka lënë qytetarët të vetëm përballë kësaj krize, pas asnjë ndihmë ekonomike.
“Interesi ynë kombëtar është integrimi në BE. Unë mora këtë aspekt, por në çdo aspekt tjetër ka një konfiskim të ligjeve, institucioneve dhe të drejtave në këtë vend si në asnjë vend tjetër. Çfarë ndodh sot, shqiptarët përballen me rritjen më të madhe të çmimeve nga viti ’92.
Qeveria thotë se ata janë kompensuar dhe nuk kanë asnjë dhimbje. Një tallje cinike me dhimbjen e njerëzve që sot blejnë ushqimet 100% më shtrenjtë nga viti 2014. Por që paga e tyre jo vetëm që nuk është rritur por është ulur në krahasim me vitin e kaluar. Ato kanë një synim të vetëm, spastrimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Kishte deklaruar se deri në vitin 2029 nuk do të ketë taksa për profesionet e lira, kthehet tani me një paketë fiskale që i çon ata në falimentim.
Kjo sjell largimin e shtresës së mesme nga Shqipëria dhe shkatërrimin e kësaj shtrese.
“Rrugë të vetme për t’u përballur me këtë regjim gjej bashkimin e të gjitha forcave opozitare për të krijuar një front të përbashkët me shoqërinë civile dhe partitë e tjera opozitare.
Hartimin e një harte veprimesh me të cilat kam bindjen më të thellë se do ta fitojmë betejën. Ky është një regjim i pasur por i kalbur sepse është i ndërtuar mbi lidhet e krimit. Abuzimin shkelmimin e ligjit. Regjime të tilla rezistojnë shumë vështirë”, tha Berisha.