E premte, 17 Prill, 2026

Çmimet e larta në vend, Tabaku: Pasojë e taksave dhe një sistemi të kapur! Ekonomia e pakicës po varfëron shumicën

Share

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videoje në rrjetet sociale mbi rritjen e vazhdueshme të çmimeve në vend, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë fenomen me problemet strukturore të ekonomisë shqiptare dhe politikën fiskale të qeverisë.

Sipas Tabakut, rritja e çmimeve nuk është një zhvillim i rastësishëm, por pasojë e një modeli ekonomik të deformuar. Ajo thekson se ekonomia shqiptare është kthyer në një “ekonomi të pakicës”, ku privilegjet dhe favorizimet për një grup të vogël kanë zëvendësuar konkurrencën dhe prodhimin real.

“Ekonomia sot nuk prodhon më. Ajo mbahet në këmbë nga administrata publike dhe nga ndërtimi. Praktikisht nuk kemi më ekonomi tregu, por një ekonomi të komanduar,” shprehet Tabaku.

Deputetja ndalet veçanërisht tek roli i taksave në rritjen e çmimeve, duke theksuar se barra fiskale është një ndër faktorët kryesorë që rëndon mbi qytetarët. Sipas saj, rreth 60% e çmimit të karburantit përbëhet nga taksat, një kosto që transmetohet drejtpërdrejt në çmimet e produkteve të përditshme.

“Rritja e përgjithshme e çmimeve reflekton taksat e larta dhe një sistem fiskal që favorizon pakicën në dëm të shumicës,” thekson ajo.

Në përfundim, Tabaku e cilëson modelin aktual ekonomik si një pengesë për zhvillimin e vendit, duke argumentuar se një ekonomi e kapur, që nuk prodhon dhe që rëndon shumicën me taksa, po frenon rritjen ekonomike dhe po varfëron familjet shqiptare.

Te tjera

Lajme te tjera