Edhe pse asnjë nga planet e tij nuk funksionuan, Berisha, vazhdon të këmbëngulë në idetë që e fundosën; kaos, mosbindje civile, tubime dhe revolucion!
I ndodhur mes katër mureve të banesës së tij nën masën ‘arrest shtëpie’, ish kryeministri, Sali Berisha duket se përfundimisht e ka mbyllur ciklin e tij politik.
Në pamundësi, apo dhe pse jo, në paaftësi për të rishpikur veten dhe për të ringjallur te mbështetësit e tij dëshirën për atë që ai e quan ‘revolucion’, Berisha sërish ra në grackën e monotonisë.
Prej 16 ditësh në ‘arrest shtëpie’, Berisha ka arritur që zhurmën që krijonte në Kuvend muajt e fundit, ta zhvendos poshtë pallatit të tij. Fjalimet dhe akuzat e përhershme që mbante nëpër media apo në sallën e Kuvendit, tani i mban në dritaren e banesës së tij.
Dhe pjesa më e çuditshme e gjithë kësaj, është se askush në grupin e Rithemelimit, nuk e di se cili është qëllimi përfundimtar i këtyre tubimeve. Duke pasur parasysh numrin e njerëzve që mblidhen çdo ditë para banesës së tij, kërcënimet për tubime masive dhe revolucion që bënte dikur me shpresën se mos trembte dikë, tani duket se nuk frikësojnë më asnjë. Aq më pak SPAK-un i cili pasi e mbylli në ‘arrest shtëpie’ e ka injoruar totalisht, a thua se nuk ekziston.
Edhe tentativa për shantazuar me trashëgim të partisë tek e bija, Argita, duket se nuk funksionoi, me këtë të fundit që pas disa daljeve nëpër media, tashmë është lënë nën hije.
Megjithatë, edhe pse asnjë nga planet e tij nuk funksionuan, Berisha, vazhdon të këmbëngulë në idetë që e fundosën; kaos, mosbindje civile, tubime dhe revolucion!
Epo nuk thonë kot; ‘kulmi i çmendurisë është të bësh të njëjtën gjë pa pushim dhe të presësh rezultate të ndryshme’!
Këtë po bën edhe Berisha, i cili pasi ka kuptuar se ky është fundi i ciklit të tij politik, i është qepur pas ‘çmendurisë’, të cilën e sheh si të vetmen rrugë shpëtimi.