E premte, 17 Prill, 2026

Champions League/ Bajerni mposht Realin, Arsenali triumfon në fund në Lisbonë; kualifikimi vendoset në ndeshjet e kthimit

Share

Përfundojnë 2 ndeshjet e para çerekfinale në Champions League. Në “Santiago Bernabeu”, Bajerni i Mynihut arriti të merrte një fitore të rëndësishme ndaj Realit të Madridit me rezultatin 1-2.

Gjermanët u shfaqën më kërkues që në start, me Majkëll Olize që rrezikoi në minutën e 7-të nga goditja e dënimit, ndërsa vetëm dy minuta më pas Dajot Upamekano shpërdoroi një mundësi të artë për të kaluar në avantazh.

Reali reagoi me Vinicius Zhunior dhe Kilian Mbape, por portieri Manuel Nojer ishte vendimtar me disa pritje të rëndësishme. Goli i avantazhit për bavarezët erdhi në minutën e 41-të, pas një aksioni model të finalizuar nga Luis Diaz me asist të Serzh Gnabri.

Në fundin e pjesës së parë, madrilenët pretenduan për penallti pas një kontakti mes Vinicius dhe Upamekano, por arbitri akordoi faull në sulm për prekje me dorë.

Pjesa e dytë nisi menjëherë me gol për Bajernin. Një kundërsulm i shpejtë u finalizua nga Herri Kejn me një goditje të saktë nga distanca, pas asistit të Olize, duke dyfishuar rezultatin.

Reali reagoi në minutën e 74-t, kur Kilian Mbape shënoi pas një krosimi nga Trent Aleksandër-Arnold. Goli u konfirmua nga teknologjia e vijës së portës.

Në minutën e 83-të, Vinicius Zhunior iu afrua golit të barazimit, por edhe njëherë tjetër Manuel Nojer i tha “JO”. Rezultati final 1-2. Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në “Allianz Arena”, ku do të vendoset skuadra që do të kualifikohet në gjysmëfinale në Champions League.

Në “Jose Alvalade”, Sportingu i Lisbonës është mposhtur në “frymën e fundit” nga Arsenali me rezultatin e ngushtë 0-1. Rasti më i rrezikshëm i pjesës së parë ishte në minutën e 16-të, kur goditja e Noni Madueke u ndal nga traversa. Në minutat në vazhdim nuk pati ndonjë rrezik serioz për të dy ekipet dhe rezultati nuk ndryshoi deri në fund të 45 minutave të para.

Në minutën e 63-të, Martin Zubimendi shënoi një gol të bukur nga distanca, por që u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje të Viktor Giokeres. Rasti i parë konkret për Sportingun e Lisbonës erdhi në minutën e 83-të, por goditja me kokë e Geni Katamo u ndal në mënyrë të shkëlqyer nga David Raja.

Sfida u zhbllokua vetëm në minutat shtesë, ku pas një kombinimi të përkryer mes Gabriel Martinelit dhe Kai Haverc, gjermani dërgoi topin në rrjetë. Të dy u futën si zëvendësues në pjesën e fundit të ndeshjes.

Fitore e madhe për londienzët, të cilët në ndeshjen e kthimit në shtëpi do të mjaftohen edhe me një barazim për të kaluar në gjysmëfinalen e Champions League.

Te tjera

Lajme te tjera