Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka organizuar mbrëmjen e sotme një pritje zyrtare me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë, ku theksoi progresin e bërë nga Shqipëria, por edhe përgjegjësitë që mbeten përpara.
Në fjalën e tij, Begaj u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të vijojnë punën për ndërtimin e një vendi europian dhe më të guximshëm, duke nderuar përjetë simbolet kombëtare.
“Shqipëria ka ecur shumë, por ka ende për të bërë. Të punojmë shumë, të ndërtojmë vendin që ne të krenohemi. Detyra ynë është që të çojmë amanetin në një nivel tjetër. Detyra jonë është që ta bëjmë këtë vend europian dhe më të guximshëm. Ta gëzojmë për jetë Ditën e Flamurin. Ta nderojmë për jetë Flamurin Kuq e Zi. Lavdi për jetë për Kombin Shqiptar”, tha Presidenti Begaj
Kreu i shtetit tha se pas më shumë se një shekulli si shtet i pavarur, Shqipëria ka krijuar sot një imazh serioz në arenën ndërkombëtare dhe është bërë një partner i besueshëm i fuqive rajonale por edhe atyre të mëdha botërore.
Rëndësi të veçantë presidenti Begaj i kushtoi diasporës shqiptare, për të cilën tha se është një urë e fuqishme me botën.
“Është zemra jonë që rreh larg, detyra jonë si shtet është t’i dëgjojmë, t’i përfshijmë dhe t’u krijojmë hapësira reale pjesëmarrjeje. Pavarësia matet me cilësinë e shërbimeve publike, me drejtësinë funksionale, me mundësinë që u ofrojmë të rinjve dhe dashurinë për atdheun.
Këto janë sfidat që na bashkojnë pavarësisht bindjeve tona politike. Bota e sotme po ndryshon me shpejtësi, arkitektura globale po rifigurohet. Në këto kohë transformimesh dhe tronditjesh na duhet vendosmëri e qartë dhe vizion. Viti 2025 na gjeti në një mjedis dinamik. Sfida e sotme përbëhet nën moton e këtij samiti, Europë e re, botë e re. Shqipëria ka fituar besueshmëri si vend që kontribuon në paqen dhe sigurinë dhe dialog. Shqipëria mbetet e besueshme për aleatët tanë euroatlantikë.
Ne jemi krenar për lidhjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fatet tona u ndanë kundër dëshirës tonë, sot fati i Shqipërisë dhe i Kosovës dhe i gjithë shqiptarëve në rajon është në duart tona. Çdo arritje e Kosovës dhe e komuniteteve shqiptare në rajon është krenari për ne. Sot kudo ku jetojnë shqiptarët është ditë feste. Është koha të jemi bashkë, të mbështesim zhvillimin e komuniteteve shqiptare dhe të punojmë që çdo shqiptar brenda e jashtë vendit të ndihet pjesë e një kombi që ecën përpara”,- tha Begaj.
