E shtunë, 18 Prill, 2026

Bujar Çela: Strategu amerikan nuk e shpëton dot Sali Berishën nga dështimi, më 11 maj do të marrë goditjen e fortë, ja pse Ilir Meta nuk do të zgjidhet deputet dhe çfarë e pret pas humbjes

Share

Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela, ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ka analizuar përpjekjet e Sali Berishës për të rikthyer PD-në në qendër të vëmendjes, duke përdorur një strategji të re komunikimi me ndihmën e ekspertit amerikan Chris LaCivita. Çela ka shpjeguar se si kjo tentativë e Berishës për të rimodeluar imazhin e tij është një iluzion që nuk mund të zgjasë. Ai gjithashtu ka theksuar se Partia Socialiste, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, vazhdon të udhëheqë vendin me një politikë të qartë dhe të angazhuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sipas Çelës, 11 maji do të jetë një moment i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë për të shprehur mbështetje për të ardhmen e Shqipërisë dhe për të vendosur qartë drejtimin e vendit.

-Zoti Çela, kreu i PD, Sali Berisha është duke përpjekur të rikthehet në politikë me ndihmën e një eksperti amerikan, Chris LaCivita. A mendoni se kjo është një tentativë e suksesshme për ta shpëtuar politikisht, apo thjesht po krijohet një iluzion që do të shuhen shumë shpejt?

Shiko kur një lider politik, sidomos pas një periudhe të gjatë në hije, tenton të rikthehet në qendër të vëmendjes, shpesh mbështetet tek specialistë të komunikimit që mund të krijojnë një iluzion të një “versioni të ri” të tij. Sali Berisha ka zgjedhur këtë rrugë, duke i besuar një eksperti amerikan, Chris LaCivita, për të rimodeluar figurën e tij. Por problemi nuk është se si e thotë, por çfarë përfaqëson Berisha. Partia Demokratike sot është më e përçarë se kurrë, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një debat të brendshëm, por për dy realitete që nuk pranojnë njëri-tjetrin. Në përpjekje për të ndërtuar një koalicion të gjerë, ai ka hapur listat për figura të ricikluara nga LSI, PDIU dhe disa parti të tjera, por kjo nuk është për të bërë opozitë të fortë, është për të mbijetuar politikisht. Mendoj se kjo është një përpjekje e dëshpëruar dhe, për fat të keq për Berishën, nuk do të shpëtojë dot nga humbja që e pret më 11 maj.

Pra ju po thoni se as strategu amerikan Chris LaCivita nuk e shpëton dot Berishën. A mund të na shpjegoni çfarë nënkuptoni me këtë?

Po, e kam thënë dhe e theksoj sërish. Asnjë strateg, qoftë edhe me pasaportë amerikane, nuk mund të bëjë mrekulli për një lider politik si Sali Berisha që ka humbur besimin e publikut dhe ka konsumuar çdo kapital moral e politik. Chris LaCivita është një emër që mund të ketë shërbyer në fushata të tjera, por nuk ka çfarë t’i ofrojë një figure të rrënuar si Sali Berisha. Kur je i mbyllur në një rrugë pa kthim dhe i përjashtuar nga partnerët ndërkombëtarë, nuk të shpëton dot asnjë këshilltar – as edhe më i paguari. Më 11 maj, Berisha do të marrë një goditje të fortë nga vota popullore, sepse shqiptarët e dinë që ai nuk është më përfaqësuesi i ndryshimit.

-Ju e shihni datën 11 maj si një pikë kthese. Çfarë prisni konkretisht të ndodhë atë ditë?

11 maji do të jetë dita e reflektimit të vërtetë politik për Shqipërinë. Qytetarët do të japin një mesazh të qartë kundër rikthimit të të vjetrës dhe politikës së rrëmujës. Sali Berisha dhe njerëzit që e rrethojnë nuk kanë më as vizion, as kredibilitet. Ata nuk përfaqësojnë as të ardhmen, as një projekt për integrim europian. Në të kundërt, Partia Socialiste po udhëheq me forcë dhe seriozitet një rrugë të sigurt drejt Bashkimit Europian, dhe kjo do të vlerësohet në mënyrë të padiskutueshme në kutitë e votimit, ku PS do të korrë një fitore plebishitare.

-Po për Ilir Metën? A mendoni se do të zgjidhet deputet…

Ilir Meta është tashmë një figurë e konsumuar politikisht. Ai përpiqet të paraqitet si viktimë ose si faktor vendimtar, por në realitet nuk ka më as ndikim, as mbështetje. Kandidimi i tij është një përpjekje e dëshpëruar për të qëndruar në lojë. Por qytetarët nuk mashtrohen më – ata e dinë se ai nuk përfaqëson as një vizion, as një zgjidhje. Lista ku ai garon është e dobët, koalicioni i tij është në kaos, dhe me shumë gjasa nuk do të arrijnë të plotësojnë as minimumin e mandateve. Shijen e deputetit Meta nuk do ta provojë më.

-Çfarë mendoni se e pret Ilir Metën pas kësaj humbjeje?

Do ta presë një realitet i ftohtë: fundi politik dhe burgu aty ku ndodhet. Pa mandat, pa ndikim, pa parti të strukturuar, ai do të përballet me pasojat e karrierës së vet të mbushur me marrëveshje të dyshimta dhe lëvizje oportuniste. Dhe nëse dikur mund të kishte iluzionin e rikthimit, më 11 maj do të kuptojë se shqiptarët i kanë kthyer përfundimisht faqen.

-Si po ecën fushata për Partinë Socialiste? A ndiheni optimist për rezultatin?

Fushata e PS është shumë e fortë, e organizuar dhe e mbështetur nga një bazë e gjerë qytetare. Partia Socialiste është forca e vetme politike që ka treguar seriozitet, përvojë dhe aftësi për të drejtuar vendin. Ne jemi motori i vetëm që po çon Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. Opozita, nga ana tjetër, është e rrënuar – pa ide, pa strukturë dhe pa besim. Nuk është alternativë, është një rikthim në krizë. Prandaj, më 11 maj, qytetarët do të zgjedhin qartë dhe me bindje: vazhdimësinë dhe progresin që ofron PS.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera