Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të ish-presidentit Ilir Meta, tanimë në rolin e kryetarit të Partisë së Lirisë dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Këta të fundit thuajse në çdo dalje publik dhe reagim në rrjetet sociale i bëjnë thirrje qytetarëve që të ngrihen dhe të përmbysin qeverinë “Rama”. Por gjatë një interviste për gazetën “SOT”, deputeti Çela u shpreh se thirrjet e ish-presidentit Meta dhe ish-kryeministrit Berisha për revolucion janë dëshpëruese, ndërsa i bëri apel prokurorisë (SPAK) që të vihet në lëvizje, duke çuar para drejtësisë këta 2 politikanë, pasi sipas tij, mbi ta rëndojnë shumë akuza dhe se duhet të arrestohen. Sipas ligjvënësit socialist, Meta dhe Berisha janë arkitektë të “21 Janarit” dhe “Gërdecit”. Ndërkohë zoti Çela u shpreh i bindur se dyshja Meta-Berisha, sipas tij, janë armiq të reformës në drejtësi.
-Zoti Çela, prej disa ditësh në vend zien debati për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, teksa Autoriteti i Dosjeve në një letër drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, pretendon se ish-presidenti Ilir Meta ka qenë spiun. Sa qëndrojnë këto pretendime sipas jush?
Shiko i dashur Rigels, që Ilir Meta ka qenë spiun, këtë e di i madh edhe i vogël. Madje ai jovetëm që ka qenë fuks dhe ka spiunuar shokët e klasës, por ka qenë edhe spiun i Sali Berishës qysh në fillimet e demokracisë në vitin e largët 1993. Kështu që mos vini në diskutim që ka qenë apo jo Ilir Meta spiun, pasi ai është i tillë dhe vesi vdes me shpirtin.
-A duhet ta bëjë Ilir Meta transparente dosjen e tij dhe pse ai po ngurron ta ndërmarrë këtë akt?
Ilir Metaj ka frikë se është i zhytur në m**. Ai që na fakti që ka përdorur dy mbiemra, ku këtej thotë e kam mbiemrin Metaj dhe jam i pastër ndërkohë që në institucionet që ka drejtuar ka firmosur me mbiemrin Meta, tregon qartë se ai ka përdhunuar ligjet e vendit. Ai duhet të ndiqet penalisht për këto shkelje dhe për faktin që e ka mbajtur të fshehtë të qenit spiun i ish-Sigurimit të Shtetit.
-Thuhet dhe madje një aludim të kësaj natyre e ka ngritur edhe kryeministri Edi Rama, që dosjen Ilir Metës (Metajt) ja ka nxjerrë Sali Berisha. Keni një koment?
Unë e besoj këtë, që Saliu ja ka nxjerrë dosjen Ilirit. Sali Berisha ka pasur akses në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, ku ka futur duart tek to dhe pastruar ato që i interesojnë. Por pavarësisht larjes që ka bërë, ai origjinalen e ka mbajtur dhe kjo do të thotë se Metës tashmë ja nxori ai dosjen, pasi kërkon ta përdor si mish për top për interesat e tij. Populli thotë që: “I mbyturi, të mbyt”. Kështu edhe puna e çiftit Meta-Berisha, po lëvizin gurët se janë në panik dhe pi ju ngushtohet laku, sepse po vjen ora që të japin llogari për korrupsionin e tyre galopant dhe krimet e shumta që mbajnë në kurriz.
-Ju si Parti Socialiste keni paralajmëruar ndryshime në ligjin për dosjet e ish-Sigurimit, Lustracionit dhe madje edhe Dekriminalizimit, teksa synon që të nxirrini jashtë loje të gjitha ata politikanë dhe funksionarë publik që ka qene pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit dhe kanë pasur poste të rëndësishme në Partinë e Punës. Besoni se do ja arrini këtij qëllimi?
Ne si mazhorancë socialiste jemi të vendosur për të bërë realitet këto ndryshime dhe flakur nga politika e sistemi këdo që ka qenë spiun i ish-Sigurimit të Shtetit. Do i shkojmë deri në fund këtyre nismave.
-Ilir Meta në rolin e kryetarit të Partisë së Lirisë, madje edhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë paralajmëruar revolta, me qëllim rrëzimin e qeverisë. Si ju duken këto thirrje, pasi në syrin tonë, duken të forta?
Nuk mund të kërkojmë sjellje normale nga çifti Berisha-Meta. Ish-presidenti është udhëheqës real i opozitës i kësaj opozite rrugë humbur. Të gjitha thirrjet e tij janë të përsëritura dhe të prodhuara nga lideri i tij shpirtëror, shoku Sali. Meta është bërë për të ardhur keq se ka humbur rrugën njëherë e përgjithmonë. Në këtë rrugë, garë ka vetëm me të çmendurin që ka vite që e fiton po idhullin e tij Sali Ramë Berishën. Këto thirrje janë antikushtetuese dhe një akt akuzë e pastër ku strukturat e drejtësisë dhe SPAK nuk duhet t’i bëjë më sehir, por duhet të urdhërojë prangosjen e tij, madje dhe Berishës. Thirrjet për revolta dhe destabilizim, dënohen me ligj.
-Dakord dhe ju falënderoj pasi si gjithmonë jeni shterues. Po vërtet besoni se Prokuroria do t’i hetojë Metën dhe Berishën, në një kohë që ju si socialistët keni artikuluar dhe madje keni hedhur akuza të forta në adresë të tyre…
E vërtet, që Ilir Meta dhe Sali Berisha i kanë duart e lyera me gjak, janë zhytur si derra në korrupsion, janë koka të krimit të organizuar në Shqipëri dhe janë autorë e arkitekt të disa ngjarjeve të forta, si tragjedia e “gërdecit” dhe “21 Janarit”. Për të mbrojtur bythën e tyre, Meta dhe Berisha urdhëruan vrasjen e katër personave gjatë protestë së opozitës së kohës më 21 janar të vitit 2011. Kështu që përfitoj nga rasti që përmes gazetës “SOT”, i bëj thirrje SPAK-ut që të hetojë “21 Janarin” dhe “Gërdecin”, ku në rast se hetimi do jetë objektiv dhe i pavarur, dyshja Meta-Berisha duhet të përfundojnë në burg. Mos harrojmë që Meta dhe Berisha janë përgjegjës edhe për faktin se kanë shpikur korrupsionin në Shqipëri dhe vodhën floririn e Kërrabës.
-Pra ju po thoni se Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duhet të çojë në bangën e të akuzuarve ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-presidentin Ilir Meta, të cilët sipas jush, janë personat që shkaktuan këto dy tragjedi.
“Po atë po them, që duhet të hetohen këto dy dosje. Populli thotë: “Të kërkosh qiqra në hell”. Sali Berisha ka rrjedhur totalisht, ndërsa Ilir Meta është lemerisur dhe frikësuar. S’ka hetim të ‘97 “Gërdecit”, “21 Janarit”, pa u kapur dorë për dore me byzylykë Berisha- Meta. Këtu fillon puna më e rëndësishme e SPAK, ndryshe emrin e vetëndryshon në “KAK””.
-Po sulmet e Metës dhe Berishës ndaj reformës në drejtësi si ju duken?
Respekte për SHBA, e cila është partneri ynë më i madh në kontributin në reformën në drejtësi, ku e ritheksoj se pa kontributin dhe prezencën e tyre të gjithanshme as do të ishte nisur dhe do të bëhej kurrë nga ne të vetëm. Ka shumë që mundohen ta vrasin reformën në drejtësi, sikundër është dyshja Meta-Berisha. Por nuk do t’iu a japim këtë mundësi ne si mazhorancë që kemi dhënë kaq shumë për këtë kryereformë. Kështu që jam besimplotë se pa shkuar tek hekurat e drejtësisë këta të dy, asgjë s’mund të jetë sukses i kësaj reforme.
Intervistoi: Rigels Seliman