E shtunë, 18 Prill, 2026

Bujar Çela: 11 maji vërtetoi fundin e Berishës, populli zgjodhi qetësinë, jo kaosin, Saliu s’mund të provokojë një ’98 të dytë, ja 2 dosjet që do të plasin për të pas aferës “Partizani”, kreu i PD do të përfundojë pas hekurave

Share

Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela, shpall fundin politik të Sali Berishës, duke paralajmëruar se vendi nuk do të lejojë më një ’98 të dytë. Në një intervistë ekskluzive për “SOT”, deputeti Çela e cilëson Berishën si një kërcënim të konsumuar për stabilitetin dhe demokracinë, ndërsa i bën thirrje drejtësisë të mos hezitojë për ta çuar para ligjit. Sipas Çelës, shqiptarët më 11 maj zgjodhën qartësisht qetësinë dhe jo kaosin. Ai zbulon edhe dy dosje të reja që pritet të tronditin Berishën pas aferës “Partizani”.

-Zoti Çela, kreu i PD, Sali Berisha ka deklaruar se “janë dy rrugë për të rrëzuar qeverinë: ajo e qetë ose ajo guerile”. Si i shikoni këto deklarata? A janë kërcënuese për stabilitetin demokratik të vendit?

Sali Berisha tani është e shkuara e errët e këtij kombi të shumëvuajtur, nga një shtet me rëndësi historike, trashëgimtar i lavdisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, tek një vend që u gjunjëzua nga etja për pushtet e një njeriu që i ka sjellë më shumë dëme se kushdo tjetër. Në emër të demokracisë, sot flet Sali Ramë Berisha, njeriu që përdori demokratët vetëm për interesin e tij personal dhe të familjes, pa i përfaqësuar asnjëherë. Të gjithë ata që rendin pas tij, pa kuptuar asgjë, janë viktima të një mashtrimi të vjetër, të një njeriu që demokracinë e përdori si mbulesë për autoritarizëm dhe korrupsion. Rruga e demokracisë nuk mund të mbyllet kurrë, por për ata që i besojnë këtij pseudodemokrati, çdo dritare shprese është mbyllur njëherë e përgjithmonë! Kujt i ka mbetur ndonjë iluzion se ai mund të rikthehet me dhunë, t’i hedhë sytë pas: në vitin 1998, ai provoi të bënte një grusht shteti pas vrasjes së Azem Hajdarit, por dështoi. Tani përpiqet të mbjellë frikë dhe të trazojë ujërat, por harroi se Shqipëria e sotme nuk është ajo e 1998-ës. Shteti është më i fortë, qytetarët janë më të ndërgjegjshëm, dhe bota është më vigjilente ndaj aventurierëve politikë. Ai nuk ka më as ushtri partie, as fuqi, as rrugë për t’u kthyer, sepse ajo që ai përfaqëson është kapitulli më i errët i historisë sonë moderne. Nuk do të ketë më një ’98 të dytë, sepse populli shqiptar nuk do të lejojë më kurrë që një njeri i dështuar të shpallë luftë ndaj shtetit për të mbrojtur veten nga drejtësia. Sali Berisha është politikisht i vdekur dhe vendi i tij është para drejtësisë, jo më në rrugë, jo në seli partie, e as në tryezën e fatit të kombit. Kush i fryn më zjarrit të destabilitetit, do të përballet me uraganin e refuzimit të një populli që ka zgjedhur të ecë përpara, jo të rikthehet në të shkuarën e turpshme.

-Çfarë mendoni se qëndron pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit? A ishte kjo një votë besimi për qeverinë apo mungesë alternative nga opozita?

Opozita me Saliun në krye nuk mund të shkonte më shumë, të vegjlit (partitë e reja) gabuan. Edi Rama fitoi. Fitorja e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit tregoi qartë se shumica e shqiptarëve kanë ende besim te stabiliteti, përvoja dhe vizioni që ofron kjo forcë politike. Në një kohë kur opozita ishte e përçarë, e zhurmshme dhe pa një ofertë serioze, qytetarët zgjodhën qartësisht qendrueshmërinë dhe qeverisjen e provuar. Partitë e vogla, në vend që të ndërtonin alternativa të besueshme, zgjodhën të shërbenin si zgjatim i një opozite të vjetër, të konsumuar dhe të humbur në konfliktet e saj të brendshme. Rezultati ishte i pritshëm: shqiptarët nuk votojnë për rrëmujë, por për siguri, zhvillim dhe një rrugë të qartë drejt integrimit europian. PS, me gjithë barrën e qeverisjes, arriti të bindë edhe një herë shumicën, duke treguar se ende ka energji politike, organizim dhe mbështetje popullore. Kjo fitore është një mesazh i fortë: qytetarët duan vazhdimësi, jo aventurë, duan projekte konkrete, jo premtime bosh.

-Dosja “Partizani” tashmë ka kaluar për gjykim, a besoni se do të vijë një dënim për Sali Berishën? Apo sistemi do të vihet sërish në provë?

Sali Berisha nuk është më një lider politik, ai është një dosje penale që ecën në këmbë. Përveç aferës korruptive të ‘Partizanit’, ku dyshohet dhe akuzohet se ka ndarë pronat e ushtrisë sikur të ishin pasuri personale, ai ka ende shumë për të dhënë llogari për Tragjedinë e ‘Gërdeci’, ku 26 shqiptarë u poqën të gjallë nga babëzia e pushtetit dhe e familjes së tij. Sali ka për të dhënë llogari edhe për gjakun e katër qytetarëve të pafajshëm të vrarë më 21 janar 2011, në zemër të Tiranës, nën urdhrat e tij politikë. Sali Berisha i ka ‘duart e lyera me gjak’ dhe drejtësia nuk mund ta anashkalojë këtë më gjatë. Nuk ka më mburoja politike, nuk ka më imunitet moral. Është koha që ky njeri t’i përgjigjet ligjit, jo të fshihet pas flamurit të opozitës. Shqipëria nuk ecën përpara me hijet e së shkuarës që kërkojnë të shpëtojnë veten nga drejtësia. Ai nuk është as i ndjekur politikisht, as i persekutuar, është thjesht një i pandehur që duhet të shkojë në bankën e të akuzuarve dhe t’i përgjigjet një kombi të tërë për zullumet që ka bërë.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera