Juristja e njohur, Brizida Gjikondi ka analizuar situatën politike në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zonja Gjikondi theksoi se listat e kandidatëve të partive kryesore janë rezultat i një sistemi të mbyllur dhe autoritar, ku liderët politikë vendosin sipas interesave të tyre. Sipas saj, Edi Rama po përpiqet të trondisë dhe dobësojë klanet brenda Partisë Socialiste, ndërsa lista e Sali Berishës sipas saj, është e mbushur me figura të vjetra politikisht dhe moralisht. Po ashtu, Gjikondi e cilëson politikën shqiptare peng të bajraktarizmit, ku emrat vendosen jo për meritë, por për bindje ndaj liderit. Ajo gjithashtu kritikoi partitë e reja, duke vlerësuar Lëvizjen Bashkë për transparencën dhe duke dënuar nepotizmin e partisë “Shqipëria Bëhet”.
-Zonja Gjikondi, si i shikoni listat e deputetëve të propozuara nga forcat politike shqiptare, po lista e PS?
Dinakëria e politikës është që i çon shqiptarët në kurthin e komentimit të listave, duke evituar thelbin, se me çfarë baze ligjore dhe mekanizëm antidemokratik këto lista hartohen nga kryetarët bajraktarë të partive kryesore shqiptare. Ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008 shkatërruan ate sistem të brishtë vlerash demokratike që sidomos me asistencën e ndërkombëtarëve ishte arritur. Është bërë klishe të përmendet 21 prilli i 2008’ës por ndërkohë mos ndryshohet. Sepse s’ka interes që të ndryshohet, pasi nëse të gjithë zërat do bëheshin bashkë si të shoqërisë civile dhe asaj politike ky sistem i shëmtuar antidemokratik do ishte ndryshuar. Listat i bën kryetari bajraktar i partisë, dhe i bën shpesh për interesat e ngushta personale dhe familjare si rasti i Berishës ose për vizionet e tij imponuese si Rama. Sikur të evitojmë këtë narrativë të sipërme, do te thoja që ka ndryshim thelbësor mes listave të PS dhe PD. Edi Rama është përpjekur që me anë të kësaj liste, të bëj një ndryshim nga lart poshtë të Partisë Socialiste. Të tronditë dhe këpusë monopolet dhe klanet e asaj partie. Mendoj se ka bërë gjënë e duhur. Pavarësisht se disa personazhe në lista të qarqeve të ndryshme janë jo vetëm zgjedhje emocionale dhe euforike të tij, por ka dhe raste si ai qarkut të Dibrës, ku përzgjedhja është pragmatiste dhe imorale politikisht por ka dhe raste si lista e Tiranës (këtu e kam fjalën për listën e mbyllur) që në tërësinë e saj ka njerëz qytetar, larg zhurmës, klithmës dhe agresivitetit që karakterizon listën e Berishës. Nuk mendoj dhe nuk kam njohur kënd që mos ti bindet Ramës në atë parti. Nuk ka spastrim, ka bindje ndaj autoritarizmit të Ramës
-Berisha përjashtoi fituesit e primareve dhe i zëvendësoi me besnikët e tij, duke tradhtuar pritshmëritë e demokratëve për një garë të ndershme. A është ky fundi i çdo iluzioni për demokracinë e brendshme në PD?
Është e dhimbshme që në pranverën e 2025 të flitet akoma për Berishën. Dhe opozitën e marrë peng nga ai. Mendoj se ai ka kryer punë me Shqipërinë, nuk ka çfarë t’i jap më. Ai nuk zhgënjen në vizionin e tij agresiv dhe përçarës brenda partisë demokratike por sidomos brenda shqiptarëve në përgjithësi. Vetëm një naiv mund të shpresonte tek primaret e Berishës. Lista e tij është një listë e përbërë nga qenie të vjetra si politikisht dhe moralisht, nga qenie që mendojnë se dhuna, ofendimi, klithmat dhe djegia janë qëllimi dhe gjoja zgjidhja. Personalisht nga e djathta shqiptare çmoj zotin Alibeaj dhe zotin Dashamir Shehi. Si dhe doja te nënvizoja qe Shqipëria nuk ndahet ne te djathte dhe ne te majte, por ne shqiptare te mire dhe ne shqiptare jo te mire.
-Po për listat e partive të reja politike çfarë mendon? Sidomos për listat e partisë Shqipëria Bëhet?
Nga partitë e reja, do të veçoja mekanizmin dhe strukturimin e aplikuar për listat nga Lëvizja Bashkë, ai ishte i duhuri dhe surprizues për mirë. Procedura serioze dhe hapa demokratizimi që në hapat e parë duke vendosur kryetarin e partisë z. Arlind Qorri në vend jo të sigurtë. Duke amplifikuar votën partiake dhe duke vënë në radhë të parë interesin e forcës politike jo të individit. Për sa i takon partisë Shqipëria Bëhet, mendoj që bëri një lëvizje të papjekur me listat familjare, çka komprometoi të gjithë aksionin e saj politik deri të tanishëm. Vendosja nëpër lista e të afërmve dhe familjarëve të krerëve të kësaj lëvizje tregoi që emri forcë e re nuk zhbën dhe kamuflon vjetërsinë dhe mendësinë bajraktare të të bërit politikë. Pavarësisht se ju plasi skandali në dorë dhe po justifikohen se e bënë kastile, edhe ky justifikim rëndon më shumë pozitat e tyre. Pasi serioziteti dhe varrosja e lidhjeve nepotike do ishte flamuri i tyre, jo e kundërta. Një parti politike nuk bën akrobacira dhe përdorë babain dhe bashkëshorten për ta vënë gjoja në krize sistemin. Sistemi vendoset në krizë duke ndarë pushtet me qytetarë të tjerë, jo me familjarët e tu, ndryshe kjo tregon dhe nje hipokrizi dhe mosbesim te thellë ndaj njerëzve që të kanë mbështetur dhe ndjekur deri më tash. Nuk mund të ndash pushtet me njerëz që s’ia u ke besën por bënë skema familjare në kurriz dhe me vota të tyre.
Intervistoi: Rigels Seliman
