Brazili është gjithmonë aty, në majën e futbollit botëror, skuadër që hyn në çdo ndeshje për të fituar, që luan futboll të hapur e spektakolar, që ka lojtarë të kalibrit të lartë dhe padyshim është një nga skuadrat pretendente për të fituar titullin e këtij Botërori. Mbrëmë përfaqësuesja braziliane shkatërroi skuadrën e Koresë së Jugut, duke e mundur me rezultatin e thellë 4-1, rezultat që iu përshtat lojës dhe mentalitetit të Brazilit. Rikthimi i Nejmarit ishte një tjetër shenjë se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur për brazilianët. Në fakt, Brazili e nisi lojën në sulm dhe me një gol të shpejtë të shënuar në minutën e 7-të nga Vinicius Junior, i cili u shërbye nga Nejmar. Ky i fundit shënoi vetë golin e dytë, pikërisht me penallti në minutën e 13-të. Dy golat e shpejtë të brazilianëve treguan jo vetëm superioritetin e skuadrës jugamerikane, por njëherësh edhe vullnetin e saj për t’i mbyllur llogaritë e kualifikimit që në pjesën e parë. Për këtë arsye, Brazili e shtoi dozën sulmuese në minutat në vazhdim dhe gjeti golin e tretë me Riçarlison, në minutën e 29-të. Por skuadra e Tites nuk do të ndalej me kaq, pasi asistimit të Vinicius do t’i përgjigjej si duhet Paketa, i cili në minutën e 36-të shënoi golin e 4-t.
Pjesa e parë mbyllet me shifrat 4-0, një rezultat që tregon jo vetëm dominimin, por edhe kualifikimin e parakohshëm të Brazilit. Në pjesën e dytë brazilianët menduan të menaxhonin epërsinë e krijuar, duke vendosur të luajnë në mesfushë dhe të bëjnë pasime të dendura. Por koreanët nuk dorëzoheshin dhe pas shumë përpjekjesh arrijnë të shënojnë golin e nderit në minutën e 76-të me anë të Paik. Minutat e fundit të ndeshjes ishin mjaft të mira për koreanët, që tentuan të bëjnë “Brazilin” në fushë, nëpërmjet pasimeve të sakta e të shpejta dhe driblimeve të shumta, por deri në kufijtë e zonës kundërshtare e pa mundur ta çanin mbrojtjen braziliane, e cila, e udhëhequr nga një veteran si Dani Alvesh, ishte në superformë dhe e menaxhoi mirë epërsinë e rezultatit. Fiton kështu Brazili me rezultatin 4-1 dhe kalon në çerekfinale, aty ku do të gjejë Kroacinë, një kundërshtar shumë më i vështirë se Koreja e Jugut dhe që luan një futboll disi ndryshe, ku përgatitja fizike dhe taktike qëndrojnë lart dhe për më tepër Kroacia ka përcojë tashmë në kto aktivitete, pasi katër vjet më parë ishte finaliste. Fitoren e mbrëmshme Brazili ia dedikoi të madhit Pele, i cili po kalon shqetësime shëndetësore dhe ndodhet në spital.