Rigels Seliman
Gazetari i njohur amerikano-kanadez Guy Lawson, libri i të cilit për shpërthimin e Gërdecit u bë edhe film në Hollivood, ka folur në mediat shqiptare për rihapjen e hetimeve mbi tragjedinë në fjalë, ku në vitin 2008 mbetën të vdekur 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Në një intervistë dhënë dje për disa, ai ka deklaruar se ka dyshime të forta që Shkëlzen Berisha ka qenë i përfshirë bashkë me Fatmir Mediun e zyrtarë të tjerë në këtë tragjedi. Madje shkaku që Shkëlzen Berisha e hodhi në gjyq ishte pikërisht ajo pjesë që sipas Lawson tregon se Shkëlzen Berisha ka qenë pjesë e takimit mes Diverolit dhe Delijorgjit, për të negociuar çmimin e fishekëve që ishte tejet i lartë, por kjo i takon SPAK ta vërtetojë, thotë ai. Nga ana tjetër, ai ka theksuar se të përfshirë kanë qenë dhe amerikanët, pasi ambasada kishte informacione dhe nuk i bëri publike. Më tej ai ka deklaruar se në Ministrinë e Mbrojtjes në atë kohë kanë qarkulluar me miliona lekë nga demontimi i fishekëve dhe ato u zhduken papritur, duke theksuar se kjo ndodhi për shkak të korrupsionit. Madje, gazetari i njohur amerikano-kanadez Guy Lawson ka zbuluar dhe skemën që ndiqej nga ministria e asaj kohe me shitjen lirë të fishekëve dhe tregtinë e tyre. Një tjetër çështje ku është ndalur gazetari është vrasja e Kosta Trebickës.
Ja intervista e plotë
-Do flasim në shqip apo në anglisht?
Guy Lawson: Mendoj e do të merrni më shumë nga unë në anglisht sesa në shqip. Në shqip ndoshta veç një birrë mund të porosis.
-Megjithatë lidhja juaj me Shqipërinë ju ka bërë të mësoni jo pak fjalë shqip.
Guy Lawson: Epo, unë e dashuroj Shqipërinë. Kam qenë atje gjatë luftës së Kosovës dhe kam vazhduar të ruaj një interes për vendin tuaj teksa po përpiqet të kalojë në nje nivel te ri, duke u bere një vend më evropian. Më kujtohen ditët e katastrofës së ndërrimit të sistemit dhe ato vitet e tmerrshme të pas ’90-ës, ndaj kam vërtetë dobësi për Shqipërinë.
-Siç e shikon nga kjo foto, as bluza ime nuk ka ndryshuar. Në intervistën që bëmë dikur bashkë, në vitin 2016, me thatë se nëse donte Edi Rama, do të rihapej dosja Gërdeci.
Guy Lawson: Po, e vërtetë. Për shkak se kisha biseduar me dikë në partinë e Edi Ramës në Nju Jork, kisha ndjesinë se kjo gjë do të ndodhte. Jo vetëm kaq, por edhe se padrejtësia ishte aq e madhe dhe e di që ka pasur një efekt të tmerrshëm te shqiptarët, te kuptonin se ishin të pambrojtur, ndërsa diçka kaq e tmerrshme mund t’u ndodhte njerëzve krejtësisht të pafajshëm. Ndaj nuk mendoja që kjo çështje thjesht do të varrosej dhe harrohej. Nuk mund të varrosej përgjithmonë. Këto ngjarje një ditë nxjerrin kokën nga e kaluara dhe e vërteta, një dite del. Mbetem shumë i interesuar të zbuloj se cila është ajo e vërtetë dhe çfarë drejtimi do të marrë gjykimi, pa ndikimin e frikës apo politikes. Mendoj se banorët e Gërdecit e meritojnë këtë, por jo vetëm ata, edhe sistemi politik shqiptar ka nevojë për të treguar të vërtetën e Gërdecit, nëse Shqipëria do të bëhet vërtet ndonjëherë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të zërë vendin e saj në bashkësinë e kombeve të qytetëruara.
-Ju interesoheni për të vërtetën që do të nxjerrë gjyqësori në Shqipëri sepse ju vetë e dini të vërtetën!
Guy Lawson: Epo, unë i di akuzat. Unë nuk kam fuqinë hetimore si SPAK-u. Nuk kam mundësinë t’i detyroj njerëzit të vijnë dhe t’i përgjigjen pyetjeve të mia, por unë pyetjet e mia i kam bere në librin tim “Armët dhe çunat”, që siç e dini, është bërë film. Pjesë e historisë ishte eksportimi i municioneve AK-47, por kishte edhe shumë gjëra të tjera që ndodhën në Gërdec duke përfshirë municionet e kalibrit të madh. Personat përgjegjës të atij projekti po përdornin fëmijë dhe gra për të çmilitarizuar ose për të shpëtuar materiale të tjera të çmuara që kishin municionet. Unë jam gazetar investigues, por jo gjykatës siç është SPAK-u dhe nuk kam akses të intervistoj njerëz të që e dinë të vërtetën, në Shqipëri. Mund të them se, edhe pse hetimi i SPAK-ut ka vonuar prej kohësh, jam shumë i kënaqur që po vazhdon. Kështu që unë kam një interes të vazhdueshëm për çështjen e Gërdecit si gazetar, por edhe si njeri dhe si dikush që i uron më të mirën kombit dhe popullit të dashur shqiptar. Më duket se ky lloj niveli padrejtësie të paadresuara, me të vërtetë infekton pjesën tjetër të klasës politike në vend.
-Ju mësuat që Fatmir Mediu u rithirr në SPAK. Atë ditë ju nuk patët ndonjë surprizë kur ne komunikuam në e-mail, nuk shprehët ndonjë habi. Apo jo?
Guy Lawson: Jo, aspak. Nuk u habita fare. Dua të them, ju duhet kujtoni kohën kur ndodhi Gërdeci. Shqipëria po përpiqej të bëhej pjesë e NATO-s në atë kohë dhe rruga që politika vendase po ndiqte ishte kaq e paligjshme dhe qesharake. Siç mund ta dijë kushdo që ka qenë në atë kohë në Shqipëri, atje kishte një stok të madh armësh të dekadave të mëparshme, trashëguar nga komunizmi dhe politikanet e post ‘90, po tregoheshin kaq të pamatur duke u përpjekur të përfitonin nga gjithe ajo pasuri. Kjo është pyetja e madhe që SPAK-u duhet të hetojë; Kush janë njerëzit që përfituan? Ju e dini, që kjo sjellja e tyre, është joetike për t’u bërë anëtare e NATO-s. Ka kaq shumë ironi në këtë histori sepse Shtetet e Bashkuara kishin vërtet nevojë për ato municione në Afganistan dhe kjo gjë po funksiononte. Por më pas qeveria e Shteteve të Bashkuara ia mohoi vetes këto municione jetike, në një kohë jetike për botën, ndoshta për arsye qesharake, sepse municionet nga Shqipëria ishin kineze. Por këto arsye qesharake nuk e bëjnë çështjen Gërdeci me pak serioze. Çështja Gërdeci është shumë serioze. Për sa i përket z. Mediu, unë e di se ai ka qenë një mjeshtër në të shkuarën për të insinuuar lidhjet e tij me politikanë amerikanë; kam parasysh mbledhjet e “Lutjes së Mëngjesit”, ku ai shkon çdo vit dhe madje di që këto ditë, ishte në median shqiptare, duke shtrënguar dorën me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve në Amerikë. Nuk di të them për çfarë apo çfarë kuptimi ka kjo foto. Nuk mendoj se ka ndonjë kuptim dhe kjo nuk duhet të ketë asnjë lloj kuptimi për SPAK. E vërteta është se qeveria amerikane ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të ish-kryeministrit Berisha dhe familjes së tij të afërt, ku bën pjesë edhe djali i tij, sepse ata janë cilësuar nga Sekretari i Shtetit si persona të korruptuar. Kjo është një akuzë shumë serioze dhe ne vetëm mund të nënkuptojmë se çfarë do të thotë kjo, pasi ata kurrë nuk na kanë thënë pse vërtet. Por nuk duhet të jesh matematikan apo gjeni për të menduar se kjo lidhet me atë çfarë ndodhi në Gërdec. Unë e di, nga takimet me zyrtarë të ndryshëm shumë të lartë të Ambasadës Amerikane në Shqipëri në atë kohë, se ata ishin në dijeni të asaj që po ndodhte me demontimin e municioneve, po ashtu njerëzit e Kombeve të Bashkuara ishin në dijeni të asaj çfarë po ndodhte. Pra, nuk ishte sekret. Fakti që u ndrydh për kaq gjatë është vërtet një tragjedi për familjet që kanë vuajtur. Jam i lumtur të shoh që familja e një prej viktimave ka qenë shkaku i këtij hetimi nga SPAK-u.
-Në SPAK e ka çuar Zamira, nëna e fëmijës 7 vjeç, Erit. Gruaja që nuk u dorëzua asnjëherë. E jashtëzakonshme.
Guy Lawson: Mendoj se kjo është diçka shumë e bukur.
-Unë e kam intervistuar disa herë, por kam qarë jo vetëm herën kur shkova në shtëpinë e saj, por atëherë kur ajo për herë të 100-të mori përgjigje negative nga drejtësia dhe qëlloi me grusht xhamat e gjykatës. Por nuk u tërhoq asnjëherë…
Guy Lawson: Unë kam fëmijë vet dhe është shumë e vështirë të imagjinosh dhimbjen e një nëne; është thjesht e tmerrshme ta mendosh dhe kjo është një nga arsyet pse interesimi im mbetet për këtë çështje sepse është një histori njerëzore. Nuk është thjesht një histori politike apo juridike. Është një histori njerëzore. Një fëmijë 7 vjeç ka humbur përgjithmonë për shkak të këtyre idiotëve, këtyre idiotëve kriminelë. Dhe ndaj mendoj se drejtësia duhet të vendoset. Nuk e di se kur, nuk e di sesi, nuk e di se ku do të shkojë apo kush do të mbajë përgjegjësi, por di se janë nëna të tilla, si nëna e fëmijës 7 vjeç vrarë në Gërdec, që mund ta ndryshojnë Shqipërinë dhe botën.
-Ndërkohë, lajmi tjetër dhe hera e parë praktikisht, ishte kur Shkëlzen Berisha, djali i Sali Berishës, u thirr në SPAK. Në këtë moment edhe ju u bëtë i interesuar. Ju duk dhe juve ky një lajm për drejtësinë shqiptare?
Guy Lawson: Po, ashtu m’u duk. E pashë këtë në lajme. Siç e mbani mend, Berisha Junior, më paditi në Shtetet e Bashkuara duke pretenduar se unë thashë gjëra që ishin shpifëse për të, por ajo çështje u pushua . Gjykatat gjetën se kishte zero shanse që Berisha Junior të mund të kishte sukses në një gjyq dhe kjo u apelua nga avokatët e tij, deri në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara dhe u hodh poshtë 8 me 1 ose 7 me 2 ndoshta, nuk më kujtohet. Por çështja ishte se Berisha Junior, pra Shkëlzeni, pohonte se nuk ishte personazh publik, ndaj nuk duhej te prekja imazhin e tij, si një person privat. Atëherë botuesi im bëri një sondazh me shqiptarët se sa njerëz e dinin emrin e tij, doli se ishte 100%. Në Amerikë ka një ligj që nëse je personazh publik, kur ngrenë akuza duhet të vërtetosh që gazetari e dinte ose me keqdashje nuk donte të dinte të vërtetën dhe megjithatë e publikoi. Kjo për mua ishte një akuzë qesharake sepse libri “Armët dhe çunat” nuk ka thënë asgjë më shumë se sa është thënë me specifikë dhe akuzë të mprehtë në media të tjera. Unë kam raportuar për biseda shumë specifike që dyshohet se kanë ndodhur. Berisha Junior, pohoi se nuk i ka bërë. Epo, unë shpresoj që SPAK-u do t’i trajtojë këto çështje dhe e di që për t’i shkuar vërtet deri në fund, do të ketë nevojë për më shumë dëshmitarë, përfshirë ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, z.Luan Hoxha, i cili u arratis në Shtetet e Bashkuara në kohën e shpërthimit në Gërdec dhe tani jeton në Bronks. Do të doja shumë të dëgjoja se çfarë ka për të thënë.
-Ju e keni takuar Luan Hoxhën? Foli ndonjëherë ai për ju?
Guy Lawson: Jo, nuk jam takuar, por kam raporte për takimin që ai pati me zyrtarë të lartë në Tiranë, duke thënë se ai kishte frikë për jetën e tij, dhe sesi shqetësimet e tij u morën seriozisht aq sa qeveria amerikane, nuk ka rëndësi për çfarë arsye, pasi nuk e treguan kurrë, e nxori Luan Hoxhën nga Shqipëria. Ky fakt flet shumë për pamëshirën e njerëzve që u përfshinë në tragjedinë e Gërdecit dhe gjithashtu për mënyrën se si qeveria amerikane nuk ka bërë realisht adresimin e duhur të këtyre çështjeve dhe kontekstit shqiptar. Shtetet e Bashkuara vërtetë kanë fuqinë për ta bërë shoqërinë shqiptare të ketë besim ndaj drejtësisë dhe vetëm kështu mund ta bëjnë, në vend që t’i groposin këto gjëra, duhet t’i nxjerrin ato në sipërfaqe dhe ta trajtojnë popullin shqiptar me respekt. Mendoj se ky do të ishte një shërbim shumë më i mirë sesa të bëjnë foto me një person i cili sapo është trajtuar si politikan i korruptuar nga investiguesit shqiptarë dhe pas tre ditëve shfaqet në Uashington duke shtrënguar duart me dikë që duhet të jetë më i informuar para se të pranojë t’i japë dorën dikujt që duhet të japë llogari.
-Duke u kthyer sërish pas, ju pra mendoni që ka lidhje shpallja e Berishës “non-grata” me Gërdecin?
Guy Lawson: Po. Unë mendoj se njerëzit në Ambasadë kishin dijeni se po ndodhte një korrupsion grotesk me municionet, jo vetëm me AEY, por në përgjithësi. Nuk mund të them për kalkulimet politike për të mos i dhënë popullit shqiptar drejtësinë e zbulimit se çfarë ndodhi vërtetë dhe në vend të kësaj duke zgjedhur idenë e interesit amerikan që la vdekjen e atij djali 7-vjeçar në prapaskenë. Nuk e kuptoj dhe nuk pretendoj të mendoj se është e moralshme apo e detyruar. Mendimi im është që Shqipëria, si një vend i ri, po zhvillon realisht sistemet e saj politike, shtypin e të tjera institucione në dy dekadat e fundit dhe përpjekjet e reja duhen ushqyer e kujdesur dhe nuk duhen trajtuar si një tjetër gur shahu në tavolinën e lojës. Më duket sikur popullit shqiptar nuk i është bërë shërbimi siç duhet vetëm duke e ndaluar Berishën të shkojë në SHBA, por nga ana tjetër duke mos e përballur realisht me problemin. Dua të theksoj se ky është opinioni im.
-Mos të harrojmë se akuza zyrtare për këtë çështje është “shpërdorim detyre”, që në fund do të kemi një dënim për vetëm një person dhe me gjasa nuk duket se do të ketë dënim për dikë mbi Fatmir Mediun, aq më tepër për ish-kryeministrin Berisha apo djalin e tij për të cilët nuk di a ka prova.
Guy Lawson: Mendoj se sistemi i drejtësisë, i cili ecën pjesërisht drejt së vërtetës është një problem global, kjo po shihet edhe në Amerikë tani me hetimet për trazirat e 6 janarit, me turmën që u përpoq të zaptojë Kongresin. Pra nga kjo nuk kanë imunitet as vendet e tjera. T’i përgjigjesh pyetjeve politike është në fund të fundit çështje politike. Nuk di si ndryshe ta ndihmoj vendin, pasi unë nuk kam fuqinë investigative të SPAK-ut dhe e di që sistemi ligjor në Shqipëri është shumë i ndryshëm nga ai në Amerikë. Shpresoj të mbahet përgjegjësi deri në hallkat më të larta. Ajo çfarë është e mrekullueshme është që shteti e mbështeti thirrjen e asaj nëne dhe shoqëria po shikon sërish faktet duke kujtuar dhe kuptuar humbjet që iu shkaktuan njerëzve të pafajshëm.
-Një pyetjet konkrete, çfarë keni zbuluar për djalin e ish kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha?
Guy Lawson: Atë që Shkëlzen Berisha ka qenë pjesë e takimit mes Diverolit dhe Delijorgjin për të negociuar për çmimin e municioneve që kompania “AEY” po blinte për Pentagonin. Ishte një fakt që ai e përgënjeshtroi, por unë besoj se ka fakte për këtë, për shembull ish Shefi i ushtrisë Luan Hoxha në atë kohë i tha Ambasadës Amerikane se jeta e tij ishte në rrezik dhe tani është në Bronks. Ai di shumë gjëra për këtë ngjarje. Por edhe fakte për Fatmir Mediun që është akuzuar për korrupsion, që e pashë në një fotografi me kreun e Kongresit Amerikan dhe kjo është për të ardhur keq, pasi qeveria amerikane nuk e ka ndihmuar Shqipërinë të bëj më shumë për zbardhjen e kësaj dosje. Pra është një çështje e komplikuar që kërkon maturi dhe kurajë nga hetuesit e SPAK për ti shkuar deri në fund.
-Veç investigimit tuaj ju patët dhe një gjyq me “Berisha Junior” si e quani ju Shkëlzen Berishën, i cili ju hodhi në gjyq për prekje të imazhit. Pas një kohe të gjatë, cili është mendimi juaj për përfshirjen e Shkëlzen Berishës dhe ish-kryeministrit në këtë ngjarje?
Guy Lawson: Unë i qëndroj besnik asaj që kam shkruar në libër. Në libër, persona relevantë që kanë qenë të përfshirë ne historinë e armeve te Gërdecit, kanë thënë se janë takuar me Berisha Junior, gjë që ai e mohon të ketë ndodhur. Duket se ka një sasi të konsiderueshme provash se kishte njerëz që po përfitonin personalisht nga shitja e asaj sasie të municioneve; kishte para të dërguara në llogaritë bankare në Qipro që thjesht u zhdukën, ishte një tregtar armësh zviceran që u zhduk pa lënë gjurmë. Pra kishte shumë gjëra që ndodhën në atë kohë apo atë botë, që nuk zbulohen kurrë. Ndiej se libri im shkoi aq larg sa dikush nuk ka shkuar ndonjëherë, sa i takon botës së tregtisë së armëve. Nuk e di se sa është penguar drejtësia, nga fakti që pas gjithë këtyre viteve, ende familja Berisha po mohon këto gjëra, edhe pse nuk e di sa besohen ata në Shqipëri. Unë i qëndroj besnik librit tim dhe besoj se sistemi gjyqësor amerikan e përkrahu shumë te vërtetën e librit tim, gjithashtu. Po të lexosh vendimet e gjykatave në Shtetet e Bashkuara, ne gjyqin tim me Berisha Junior, ato nuk u shqetësuan nga ideja nëse z. Berisha Junior ishte nëpërkëmbur duke u akuzuar për korrupsion. Nuk kishte vlerë, asnjë simpati për të në këtë këndvështrim. Në Amerikë nuk ndodhi asgjë, përveç hetimit të plotë dhe të drejtë. Këtë do të më pëlqente ta shihja të ndodhte edhe te ju. Por, edhe unë jetoj në botën reale, siç thoni ju, dhe ne duhet vetëm të presim. Përsëri, përgëzoj nënën dhe pikëllohem për fëmijët që humbën jetën.
-A keni ju dokumente ose dëshirë që t’i bashkoheni si dëshmitar drejtësisë shqiptare?
Guy Lawson: Epo ja, tani jam duke folur me ju. Por nuk do e kisha aspak problem të flisja edhe për SPAK-un, nëse kjo është ajo çfarë kanë nevojë. Unë mendoj se njerëzit më të përshtatshëm për të dëshmuar, janë, për shembull Luan Hoxha, që përmenda më parë i cili është në mërgim në Amerikë. Mendoj se do të ishte shumë e dobishme që ambasadori amerikan, që shërbeu në vitin 2008 së bashku me atasheun ushtarak, të vinin të përgjigjeshin. Mendoj se ata mund të flasin sinqerisht për atë që ndodhi në ato ditë dhe javë. Gjithashtu, mendoj se do të ishte shumë interesante të kishit zotin Efraim Diveroli, i cili ishte një nga çunat, një nga tregtarët e armëve, që ishte në Tiranë dhe që u regjistrua në telefonatë nga një zotëri i quajtur Kosta Trebicka, i cili më pas vdiq në rrethana shumë misterioze. Ka shumë rrethana që janë shumë të çuditshme. Ishte një aksident në mes të askundit, pasi u gjet trupi shumë larg makinës, kur e gjetën pa jetë. Shumë e kishin paralajmëruar dhe unë mendoj se shumë dyshime ka. Nuk do të hyj në të gjitha detajet e librit, por duhet të pyesni veten, si arriti një djalë 19-vjeçar nga Miami, të shpikë një histori për djalin e ish-kryeministrit të Shqipërisë, të shpikë një takim me te, nëse nuk e ka takuar kurrë? Si mund të shpikë Efraim Diveroli diçka pa ndodhur në të vërtetë? Këtë nuk di ta them. Por do të isha i lumtur të ndihmoja dhe mendoj se ata do të bënin mirë të lexonin librin tim dhe nëse duan pyetje të mëtejshme, do të isha i lumtur të ndihmoja aq sa mundem. Por përsëri mendoj se ka njerëz të tjerë që duhet të flasin. E di që ka pasur dëshmitarë në Gërdec që kanë parë njerëz që vinin e shkonin. Nëse duan të më pyesin se cilët janë ata njerëz, unë mund të përdor emrat e tyre. Çfarë shpresoj nga SPAK-u është që të jetë duke bërë gjithçka që mundet dhe të arrijë tek e vërteta sa më shpejt.
