Fitorja 0-1 në Serbi i ka mundësuar kombëtares shqiptare shkëputjen me katër pikë kundër rivalëve ballkanas, në Grupin K kualifikues. Tanimë tanët pas gjashtë ndeshjeve të luajtura e shohin veten në vendin e dytë me 11 pikë, ndërsa Serbia ka luajtur pesë takime dhe mban vendin e tretë me shtatë pikë. Dy humbjet radhazi sollën shkarkimin e trajnerit Dragan Stojkovic nga Serbia, duke treguar gjendjen jo të mirë të rivalëve tanë. Dje, Letonia dhe Andorra barazuan 2-2 në ndeshjen tjetër.
Ndeshjet e radhës
Me Anglinë që pas pesë takimeve ka 15 pikë të plota dhe thuajse e ka siguruar vendin e parë të grupit, gjithë gara do zhvillohet për vendin e dytë. Shqipëria ndeshjen e radhës kualifikuese e ka kundër Andorrës më 13 nëntor në udhëtim, ndërsa tre ditë më pas presim në Tiranë skuadrën e Anglisë.
Edhe rivalët serbë, që kanë një ndeshje më pak dhe ndodhen poshtë nesh me katër pikë kanë një ndeshje kundër Anglisë në Londër. Mjafton të kujtojmë se Anglia fitoi 0-5 një muaj më parë në mes të Beogradit.
Kalimi në play-off
Me Shqipërinë dhe Serbinë që luajnë kundër Anglisë, më shumë se kurrë Kombëtarja jonë ka avantazhin për vendin e dytë. Një fitore në Andorra me 99 përqind do na jepte një vend në play-off e Kupës së Botës 2026 për zonën UEFA. Mjafton që në Tiranë ekipi ynë mos humbasë kundër Anglisë, e cila në ‘Air Albania’ do vijë e qetë dhe me biletën e Botërorit ‘në xhep’
Kombinimet
Serbia luan kundër Andorrës dhe Letonisë, dy rivalë që në letër janë të kalueshëm. Edhe nëse merr gjashtë pikë, tanët me një fitore në Andorra do mbeteshin me një pikë më shumë dhe do jenë pikërisht ndeshjet kundër Anglisë që do vendosin fatet e grupit.
Me Serbinë që udhëton në Londër dhe me Shqipërinë që pret Anglinë në Tiranë, ekipi kuqezi nuk duhet të gabojë në finalen e radhës dhe ajo është Andorra.
