Juristi dhe analisti i njohur, Kreshnik Spahiu ka komentuar situatën politike në vend, teksa e ka ndalur theksin tek aleanca Meta-Berisha, zhvillimet në Partinë Demorkatike, aksionet e fundit të SPAK dhe jovetëm. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Spahiu shprehet se Meta po e përdor Berishën dhe në momentin më të parë do t’i ngulë thikën, duke e “vrarë” politikisht. Po ashtu, juristi i njohur, paralajmëron telashe për Berishën, i cili sipas tij, është futur në rreth të kuq nga amerikanët. Duke u ndalur tek rikthimi i Lulzim Bashës në politikë dhe ambicia e tij për të ridrejtuar PD-në zyrtare, Spahiu thotë se janë në lojë 9 avantazhe që e favorizojnë “armikun” e Berishës.
-Zoti Spahiu, si e shikoni aleancën Meta-Berisha? Do funksionojë apo do ndahen…
Sali Berisha dhe Ilir Meta janë futur të dy brenda nëndetëses “Titan” në mes Oqeanit Atlantik. Të dyve ju ka mbaruar oksigjeni dhe kanë filluar rënien e lirë. Shpërthimi anijes do ishte shpëtim për të dy sepse do kishin një vdekje politike të shpejtë, në të kundërt do mbeten pa oksigjen dhe frymëmarrje në thellësi dhe më pas do t’i shqyejnë egërsirat e Oqeanit politik. Në vlerësimin tim, ata janë kapur pas njëri-tjetrit, por si i mbyturi mund të mbys të mbyturin. Kjo në kupton, që Meta po pret që Berisha të mbytet i pari dhe të trashëgoj pasurinë politike dhe votat e Saliut.
-Ndërkohë pak ditë më parë për rreth 4 orë forca të shumta të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe forcat RENEA zbarkuan në kampin e MEK në Manzë të Durrësit, ku janë të strehuar anëtarë të opozitës iraniane. Operacioni është kryer në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata pas kërkesës së SPAK, pra totalisht legjitim. Ndërkohë forcat e policisë shqiptare janë hasur edhe me rezistencën e iranianëve brenda në kamp. Urdhrin për kontrolle e ka lëshuar GJKKO, pas dyshimeve për terrorizëm dhe sulme kibernetike. DASH dhe ambasadorja Yuri Kim e mbështeten aksionin e policisë, teksa ish-kryeministri Sali Berisha doli kundër dhe thekson se ndihet muxhahedin. Keni një koment?
Brenda pak ditësh ka 3 ngjarje epike në diplomacinë amerikane:
- Sekretari i SHBA Blinken shkoi në Kinë për të stabilizuar raportet dypalëshe.
- SHBA mesazh “paqe” me Iranin, duke i dhënë një shuplakë “opozitës muxhahedinëve”.
- Ushtria amerikane dhe serbe stërvitje të përbashkët ushtarake të cilësuar si mrekulli nga Uashingtoni.
Gjeopolitika amerikane po kërkon paqe me çdo aleat të Rusisë, për të shmangur çdo vatër tjetër lufte gjatë kohës që Uashingtoni dhe NATO po investojnë në çmontimin e regjimit autoritar të Putinit. SHBA si super-fuqia ekonomike dhe ushtarake që orienton rendin botëror po tenton të negociojë dhe joshë tre partnerët Rusë: Kinën, Iranin, Serbinë. Ne mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj”, thotë DASH. Zëdhënësi i DASH-it gjithashtu shtoi se SHBA-ja nuk e cilëson MEK-un “lëvizje opozitare të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian”, por ka “shqetësime serioze për MEK-un si organizatë, përfshirë akuzat për abuzim të kryera kundër anëtarëve të tij”. Drejtori Ndërkohë në Beograd, Ambasadori Kristofer Hill: “Ishte një mrekulli stërvitja e përbashkët e ushtrisë amerikane dhe serbe. Kështu forcohet partneriteti dhe sigurohet paqja në botë”. Stërvitja e përbashkët e ushtrisë serbe me ushtrinë amerikane erdhi pas pezullimit të Kosovës nga stërvitja e NATO “Defender 23” për shkak përplasjeve të Albin Kurtit me diplomacinë e BE dhe SHBA. Qartazi SHBA nuk ka ndryshuar strategji dhe partneritet ndërkombëtarë por po shtrin influencat e saj diplomatike dhe gjeopolitike duke afruar dhe zbutur marrëdhëniet me 3 shtete të cilat prishin balancat ushtarake edhe për shkak të pozitës gjeografike afër me Rusinë. SHBA e cila ndodhet në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale po tenton një mënyrë të zgjedhjes dhe trajtimit të miqve dhe “armiqve”. Tre qëndrimet e reja të Amerikës brenda 3 ditëve ndaj regjimit të Pekinit, Teheranit dhe Beogradit duhet jenë një leksion për “patriotët” e Kosovës dhe Shqipërisë që me mosmirënjohjen e tyre e trajtojnë partneritetin strategjik me SHBA, ai marrëdhënia e një “dashnore” të llastuar që xhelozohet me të dashurin për çdo flirt që ai bën me Serbinë, Kinën apo Iranin. Kosova dhe Shqipëria duhet kuptojnë që janë një nëndetëse e vogël në Oqeanin Atlantik, ku qoftë edhe një moment po lundrove pa lejen e flotës amerikane mund përfundosh në fund të oqeanit. Për këto arsye ne s’duhet jemi as xheloz me “dashuritë” e reja amerikane dhe as të paqartë për të ardhmen tonë: Ne sot nuk duhet ndjehemi muxhahedin, por shqiptarë kuqezi…..
-Nga ana tjetër, Berisha ka paralajmëruara se SHBA-të do t’i heqin “non-gratën”, pasi merr si shembull kryeministrin indian, Narendra Modi, cili vite me pare ishte sanksionuar nga Uashingtoni, ndërkohë javën që shkoi takoi presidentin Joe Biden. Sa gjasa ka kjo të ndodhë sipas jush?
Lëreni Sali Berishën t’i tregoj përralla atyre 200 injorantëve që i kanë ngelur dhe i shkojnë prapa. Ku është krahasimi me komik që kam dëgjuar në jetë. Narendra Modi është lideri i popullsisë me të madhe në planet Indisë me 1.4 miliard banorë. Ndërsa Berisha nuk është lider i 5 mijë vetave në Tropojë se dhe aty ka humbur. India lëviz parametrat ekonomik të gjithe planetit dhe është pjesë e vendeve të Komonuelthit. Me Narendra Modin është i detyruar të takohet çdo president amerikan. Ashtu siç e thash me lartë. SHBA po zbut marrëdhëniet me çdo aleat të Rusisë. Lufta në Ukrainë, por edhe 5 shtetet e BRICS-it, Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut kanë ç’balancuar fuqishëm tregun botëror si dhe kanë çuar drejt greminës valutat perëndimore: Euro, USD, Paund. Sali Berisha ka një risavantazh të madh, që është 80 vjeç. SHBA zbuti marrëdhëniet me Modin e Indisë pas 23 vjetësh. Berishës i duhen dy gjëra të shpresoj:
- të jetoj deri 113 vjeç kryetar partie
- të behet lider i një kombi me 1 miliard banorë dhe jo i 4 bashkive të fshatrave të Shqipërisë
Megjithatë, lëreni të shoh ëndrra edhe disa javë, sapo të vij ambasadori i ri amerikan në Tiranë, i cili do ja prish gjumin përjetësisht dhe do i duket Yuri Kim si lule para tij.
– Ndërkaq Lulzim Basha është një nga dy kandidatët që ka shprehur interes për të marrë frenat e PD. Si ju duket rikthimi i Bashës?
Lulzim Basha ka nje fat shumë të madh dhe disa avantazhe nëse di ta përdor:
- Ka partinë e dytë në Shqipëri më të financuar nga Buxheti Shtetit
- Ka logjistike partie te ngritur ne shkalle vendi
- Ka logo dhe emër partie tradicionale
- Ka mbështetje ndërkombëtare
- Ka struktura të ngritura
- Ka një fushë bosh me parti te vogla të pafuqishme
- Ka zyra dhe seli në gjithë Shqipërinë
- Ka dy rival brenda llojit si Berisha dhe Rama tejet të konsumuar dhe në të izoluar nga SHBA dhe BE
- Ka moshën 30 vjet më i ri se Berisha
Në të gjitha këto kushte ai s’ka asnjë ngutje. Ai është 47 vjeç dhe mund të pres edhe 10 vjet për të ardhur në pushtet, ndërsa Berisha jo. Berisha vdes politikisht në 2025. Atëhere mund të filloj një ringritje e Bashës. Mundet sepse çdo gjë varet nga Basha, sa pasion, vullnet dhe mbështetje politike ka në popull. Avantazhe Basha ka më shumë se Berisha, por të shohim sa i aftë është t’i përdor. Ai duhet te rikthej tek njerëzit besimin që, shume prej njerëzve e shohin me dyshim.
-Në përfundim më lejoni t’ju pyes për aksionet e SPAK, çështjen “Gjici” dhe “Beleri”. Keni një koment?
Njëra pjesë e shoqërisë beson se Beleri ka tentuar të blejë vota dhe e meriton të jetë në burg ndërsa pjesa tjetër mendon se Beleri është provokuar dhe nuk duhet të jetë në burg. Qeveria pretendon se Beleri duhet të marrë detyrën si kryetar bashkie deri në një vendim të formës së prerë. Edhe Safet Gjici, ashtu siç dhe Beleri janë në një masë paraprake dhe jo në një vendim të formës së prerë. Të njëjtin standard që ka mbajtur Gjykata për Gjicin, të njëjtin standard po mban për Belerin. Të dy nuk hetohen në gjendje të lirë por në masën e sigurisë së arrestit. Unë mendoj se ligji është i barabartë për të gjithë. Gjatë gjithë këtyre viteve, askush nuk dënohet për shkak të përgatitjes së një vepre penale. Përgatitja nuk dënohet. Alma nuk mund të justifikoj kryerjen e marrëdhënies. Ajo që mund të them është se sot nuk ka një standard për arrestimin e zyrtarëve. Kemi 5 kryetarë bashkish në burg dhe ndërkohë president, kryeministra që hetohen për vrasje nuk janë thirrur as dëshmitarë e jo më të merren të pandehur.
Intervistoi: Rigels Seliman
