Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë mbledhjes me Kolegjin e Kryetarëve ditën e sotme, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment kritik politik dhe ekonomik, duke akuzuar kryeministrin Rama për kapjen e drejtësisë dhe përfshirje në afera të rënda korruptive.
Berisha u shpreh se mazhoranca ka bllokuar mekanizmat e kontrollit parlamentar dhe ka penguar hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, duke e cilësuar si një akt të paprecedentë për një vend që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se situata ka sjellë edhe pasoja në raportet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi Ramën për bashkëpunim me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, duke e cilësuar këtë si një qëndrim antikombëtar dhe në kundërshtim me interesat e integrimit europian të vendit.
Duke u ndalur te ekonomia, Berisha tha se, pavarësisht rritjes së raportuar të GDP-së, qytetarët përballen me varfëri në rritje, ndërsa përfitimet përqendrohen në një grup të ngushtë të lidhur me qeverinë.
Kryetari i PD bëri thirrje për mobilizim të plotë të strukturave të Partisë Demokratike, rritje të anëtarësimeve dhe intensifikim të komunikimit me qytetarët, duke theksuar rëndësinë e protestave si mjet kryesor për largimin e qeverisë.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha kërkoi angazhim më të madh edhe në rrjetet sociale, duke i konsideruar ato si një armë kyçe përballë kontrollit të mediave dhe propagandës nga qeveria.
